Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Grenlanda sërish në fokus: Trump flet për marrëveshje me aleatët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi një kthim pas nga kërcënimet e tij të mëparshme për carina ndaj vendeve evropiane lidhur me Grenlandën, duke thënë se është arritur një “okvir për një marrëveshje të ardhshme” me NATO-n për sigurinë në Arktik dhe pozicionin e Grenlandës.

Trump bëri këtë njoftim pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai theksoi rëndësinë strategjike të Grenlandës për sigurinë kombëtare amerikane dhe aleatët e NATO-s. Si rezultat, ai njoftoi se do të tërhiqet nga plani për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve evropiane, të cilat ishin caktuar të hynin në fuqi më 1 shkurt, shkruan Jutarnji.hr, transmeton IndeksOnline.

Nga ana tjetër, Danimarka dhe vetë Grenlanda kanë theksuar se suvraniteti i ishullit nuk është për diskutim, duke e quajtur çdo ide për ndryshim të statusit të tij si të papranueshme. Edhe pse Trump tha se nuk ka ndërmend të përdorë forcë ushtarake për të marrë kontrollin e territorit, detajet e marrëveshjes mbeten ende të paqarta dhe bisedimet do të vazhdojnë.

Ky zhvillim erdhi pasi Trump më parë kishte paralajmëruar se nëse SHBA nuk vepronte, Rusia ose Kina mund të ushtronin ndikim mbi Grenlandën, duke e cilësuar atë një pikë kyçe të sigurisë globale

“Jemi marrë vesh me NATO-n për Groenlandën”, Trump anulon tarifat ndaj shteteve europiane

Trump ka deklaruar se nuk do të vendosë tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi, më 1 shkurt, përcjell A2 CNN-i.

Në një postim në Truth Social, ai tha se, bazuar në një “takim shumë produktiv” me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ata “kanë formuar kuadrin e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën”.

Ai u shpreh: “Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë një shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet e NATO-s.

Bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi, më 1 shkurt. Po zhvillohen diskutime shtesë lidhur me ‘Kupolën e srtë’, ashtu siç lidhet ajo me Groenlandën”.

Trump shtoi se zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe persona të tjerë të ndryshëm, sipas nevojës, do të jenë përgjegjës për negociatat. “Do të raportojnë drejtpërdrejt tek unë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shtoi Trump

Witkoff: Nuk jemi në bisedime me Iranin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff – duke folur në emër të administratës Trump – tha se SHBA-ja nuk është në bisedime me Iranin tani për tani, megjithëse “kemi pasur kontakt me ta”.

Duke folur në një intervistë për CNBC, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Witkoff tha se “Irani është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.

I pyetur për hollësi, ai e shmangu përgjigjen, por e përsëriti se ka mundësi për një marrëveshje.

Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor 2025, në tregjet e kryeqytetit Teheran, nga tregtarë të zemëruar për kushtet e këqija ekonomike, përfshirë inflacionin e madh dhe rënien e lirë të monedhës.

Trazirat u përshkallëzuan me shpejtësi, duke u shndërruar në demonstrata të gjera kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe shtypjes të lirive themelore.

Tensionet SHBA–Iran
Tensionet e kahershme mes Uashingtonit dhe Teheranit po thuajse kanë arritur pikën kulmore gjatë kësaj krize.

Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” dhe të përgatitura për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues.

Më vonë, ai u zotua për “veprime shumë të fuqishme”, nëse Irani do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve.

Trump më pas tha se kishte zgjedhur personalisht të mos urdhëronte sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuuar këtë vendim anulimit të raportuar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.

Në një tjetër intervistë në Davos, Witkoff i tha Arab News se Irani duhet të vijë dhe të ulet në tryezën diplomatike.

“Kjo duhet të ndodhë [që Irani të negociojë]”, tha ai. “Është e rëndësishme. Nëse shkon Irani, shkon edhe rajoni, ndaj duhet ta sqarojmë këtë”.

Witkoff këmbënguli se Lindja e Mesme po lëviz në drejtimin e duhur.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme ajo që po ndodh. Të gjithë, mendoj, po punojnë së bashku drejt paqes”, tha ai. “Të gjithë janë angazhuar me idetë e presidentit Trump për paqen kufitare dhe jam kam shumë shpresa”.

Trump për raportet me Evropën: Ajo më trajton mirë, por ka sfida serioze

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, foli për raportet me liderët evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

I pyetur për marrëdhëniet me ta, Trump tha se nuk ka komunikuar së fundmi, por se thotë se ka raporte të mira.

“Nuk kam folur me ta që nga postimet në rrjetin Truth Social, por mendoj se kaloj shumë mirë. Dua të them, ata gjithmonë më trajtojnë mirë. Ata bëhen paksa të ashpër, kur, e dini… nuk jam andejpari, por kur jam, më trajtojnë shumë mirë”, shtoi presidenti amerikan, raporton “The Guardian”.

Trump shtoi se i pëlqen të dy liderët, por kritikoi politikat e tyre, duke theksuar se Franca dhe Britania përballen me probleme serioze të imigrimit dhe energjisë. Ai u shpreh kundër përdorimit të energjisë së erës dhe tha se Britania duhet të shfrytëzojë më shumë pasuritë e Detit të Veriut, ashtu siç bën Norvegjia.

“Kanë potencial të madh për t’i rregulluar vendet e tyre”, përfundoi presidenti amerikan

Burgim i përjetshëm për personin që vrau ish-kryeministrin japonez

Është dënuar me burgim të përjetshëm i dyshuari që vrau ish-kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.

Vendimi u mor tre vjet e gjysmë pasi ai qëlloi për vdekje ish-liderin japonez, gjatë një tubimi në qytetin e Narës në vitin 2022, shkruan BBC,.

Vet Tetsuya Yamagami u deklarua fajtor për krimin, në hapjen e gjyqit vitin e kaluar, por dënimi që ai meriton ka ndarë opinionin publik në Japoni.

Ndërsa shumë e shohin 45-vjeçarin si një vrasës gjakftohtë, disa e simpatizojnë edukimin e tij të trazuar.

Prokurorët thanë se Yamagami meritonte burgim të përjetshëm për “aktin e tij të rëndë”.

Duke kërkuar zbutje të dënimit, ekipi mbrojtës i Yamagami-t tha se ai ishte viktimë e “abuzimit fetar”.

Vdekja tronditëse e Abe-s, ndërsa mbante një fjalim në mes të ditës, nxiti hetime mbi Kishën e Unifikimit dhe praktikat e saj të dyshimta

Liderët evropianë të palëkundur pas paralajmërimeve të Trumpit lidhur me Grenlandën

Udhëheqësit evropianë po përpiqen ta paraqesin një front të bashkuar në Davos të Zvicrës, pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që e kundërshtojnë përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i nënshtrohet “ligjit të të fortit”, duke shtuar se është “çmenduri” që blloku po detyrohet ta shqyrtojë përdorimin e “instrumentit të tij kundër shtrëngimit” ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne besojmë se kemi nevojë për më shumë rritje, kemi nevojë për më shumë stabilitet në këtë botë, por ne e parapëlqejmë respektin para bullizmit”, tha Macron në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, një ditë para mbërritjes së Trumpit në Zvicër.

Pa iu referuar drejtpërdrejt Trumpit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për t’iu përgjigjur ndryshimeve sizmike në botë dhe tha se shpejtësia dhe shkalla e ndryshimeve kanë krijuar një konsensus në Evropë për pavarësi.

“Është koha ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta ndërtojmë një Evropë të re, të pavarur”, tha ajo në një fjalim.

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, tha se blloku me 27 anëtarë ndodhet “në udhëkryq”, sepse i duhet të vendosë se si të dalë nga një “pozitë shumë e keqe” pas përpjekjeve për ta kënaqur Trumpin për të siguruar mbështetjen e tij për luftën në Ukrainë.

“Pra, ne duhet të bashkohemi dhe t’i themi Donald Trumpit … ‘Po i kalon vijat e kuqe këtu’. Ose qëndrojmë bashkë, ose do të qëndrojmë të përçarë”, tha De Wever gjatë një diskutimi.

Evropianët të ndarë për mënyrën se si t’i përgjigjen Trumpit

Trump njoftoi të shtunën vendosjen e tarifave ndaj importit nga vendet mike evropiane, të cilat e kundërshtojnë përvetësimin e Grenlandës nga SHBA-ja.

Grenlanda është një ishull gjysmautonom që i përket Danimarkës.

Qeveritë evropiane, të cilat po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha nga partitë populiste dhe nacionaliste, kanë qenë të ndara për mënyrën se si duhet t’i përgjigjen kërcënimit me tarifa, duke ruajtur njëkohësisht mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Macron tha se Evropa nuk duhet të pranojë një botë ku forca bën ligjin dhe bëri thirrje për veprime të guximshme për t’i mbrojtur industritë evropiane.

“Mos të jemi të turpshëm. Mos të jemi të përçarë. Mos të pranojmë një rend global që do të ndahet nga ata që pretendojnë se kanë zërin më të madh”, tha Macron.

Vendet evropiane thonë se kërcënimi i Trumpit për tarifa të reja do të shkelte një marrëveshje tregtare të arritur me SHBA-në vitin e kaluar, dhe udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë kundërmasa të mundshme në një samit emergjent në Bruksel të enjten.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të gjenin një zgjidhje dhe do të shmangnin atë që disa kanë paralajmëruar se mund të shndërrohet në një luftë të zgjatur tregtare.

“Pse po hidhemi menjëherë atje? Pse po e çoni situatën në skenarin më të keq? … Ndaleni histerinë. Merrni frymë thellë”, tha ai.

Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për tregtinë, Jamieson Greer, paralajmëroi vendet evropiane që të mos e përdorin “bazukën” e tarifave kundër vendit të tij, duke thënë se kjo “nuk do të ishte gjë e mençur”./REL