Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Rubio: Gati për aksion ushtarak, nëse Venezuela nuk bashkëpunon!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të dalë sot para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, për të paralajmëruar SHBA-në se administrata e Donald Trumpit është gati të ndërmarrë një aksion ushtarak kundër Venezuelës, nëse qeveria e përkohshme e kësaj të fundit nuk bashkëpunon sipas pritshmërive amerikane.

“Jemi të përgatitur të përdorim forcë për të siguruar bashkëpunim maksimal nëse metodat e tjera dështojnë”, thuhet në deklaratën hapëse të Rubios, të publikuar nga Departamenti i Shtetit, të cilës i referohen mediat amerikane.

Sidoqoftë, Rubio shton se shpresa mbetet që ky aksion të mos jetë i nevojshëm.

Gjatë seancës, Rubio pritet tu dalë në mbrojtje disa nga vendimet më të debatueshme të presidentit Trump, në një kohë kur politika e jashtme amerikane po luhatet mes Amerikës Latine, Europës dhe Lindjes së Mesme.

Seanca fokusohet te Venezuela dhe operacionet amerikane pas aksionit të këtij muaji për kapjen e ish-presidentit Nicolas Maduro, i cili u dërgua në SHBA për t’u përballur me akuza për trafik droge. Rubio do të mbrojë gjithashtu goditjet ushtarake ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge dhe sekuestrimin e cisternave me naftë venezueliane.

“Nuk ka luftë kundër Venezuelës dhe ne nuk kemi pushtuar një vend,” pritet të thotë Rubio.“Nuk ka trupa amerikane në terren. Ky ishte një operacion për të ndihmuar zbatimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e tij.

Demokratët në Kongres kanë dënuar veprimet e Trumpit, duke thënë se ai po tejkalon kompetencat e tij kushtetuese. Shumica e republikanëve i kanë mbështetur këto veprime, por jo të gjithë.

Për pasojë, Dhoma e Përfaqësuesve rrëzoi me një diferencë të ngushtë një rezolutë që do ta detyronte Trumpin të tërhiqte trupat amerikane nga Venezuela. Administrata e tij këmbëngul se nuk ka trupa amerikane në terren, pavarësisht grumbullimit të madh ushtarak në rajon.

Ndërkohë, familjet e dy shtetasve nga Trinidadi, të vrarë në një sulm ndaj një anijeje, kanë ngritur padi, në atë që konsiderohet çështja e parë gjyqësore për vdekje të paligjshme nga kjo fushatë e Trumpit.

Që nga shtatori, të paktën 126 persona janë vrarë në dhjetëra sulme ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor.

Në të njëjtën kohë që mban presionin ndaj atyre që i quan “narkotrafikantë”, administrata e Trumpit po punon edhe për të normalizuar marrëdhëniet me presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodríguez.

Rubio pritet të bëjë të qartë se Rodríguez duhet të përmbushë kërkesat e Uashingtonit, përfshirë hapjen e sektorit energjetik për kompanitë amerikane, përdorimin e të ardhurave nga nafta për blerjen e mallrave amerikane dhe ndalimin e eksporteve të subvencionuara të naftës drejt Kubës.

Rodríguez deklaroi të martën se qeveria e saj dhe administrata e Trumpit kanë vendosur “kanale komunikimi të respektueshme dhe korrekte”. Ajo tha se po punon me Trumpin dhe Rubion për një “agjendë pune”.

Sipas një organizate venezueliane për të drejtat e njeriut, 266 të burgosur politikë janë liruar që nga 8 janari. Trump i përshëndeti lirimet në rrjetet sociale si një “gjest të fuqishëm humanitar”.

Në një hap tjetër drejt rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Departamenti i Shtetit njoftoi Kongresin se planifikon të dërgojë personel shtesë diplomatik në Karakas, për të përgatitur rihapjen e ambasadës amerikane, e mbyllur që nga viti 2019.

Rubio pritet të takohet gjithashtu me lideren e opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila u detyrua të fshihej pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 dhe më pas u shfaq sërish për të marrë çmimin “Nobel” për paqen në Norvegji.

Rrëzohet një helikopter, një i vdekur dhe një i plagosur në Itali

Një helikopter u rrëzua në lagjen Olivola, pranë aeroportit të Beneventos, Itali, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri.

Sipas mediave italiane, viktima është 76-vjeçari Pasquale Esposito, ndërsa piloti 68-vjeçar që mbeti i plagosur, me origjinë nga Napoli, është një ish-kolonel i Forcave Ajrore me përvojë të provuar.

Hipoteza më e mundshme për momentin është se një defekt teknik shkaktoi humbjen e kontrollit të helikopterit. Shërbimet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit shkuan menjëherë në vendngjarje, së bashku me oficerët e policisë mjeko-ligjore, të cilët do të rindërtojnë rrethanat e sakta të aksidentit./

SHBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania mirëpresin zgjatjen e armëpushimit në Siri

SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania përshëndetën sot njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes Siriane për të zgjatur armëpushimin për 15 ditë me grupin terrorist YPG/SDF.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe tre vende evropiane përshëndetën armëpushimin midis ushtrisë siriane dhe YPG/SDF-së duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen në mënyrë strikte armëpushimit dhe të ushtrojnë përmbajtjen e tyre maksimale.

“Ne i nxisim të gjitha palët e jashtme të bashkohen me ne në ndjekje të paqes dhe uljes së dhunës”, thuhet në deklaratën që u lëshua pas një takimi midis ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, sekretares së Jashtme britanike Yvette Cooper, zëvendësministres së Jashtme gjermane Serap Guler dhe të dërguarit special të SHBA-së, Tom Barrack.

Në deklaratë, ata përsëritën detyrimet e të gjitha palëve për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile ndërsa mirëpritën krijimin e korridoreve humanitare për të siguruar shpërndarjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të bien dakord shpejt për një armëpushim të përhershëm dhe të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat që synojnë integrimin paqësor dhe të qëndrueshëm të Sirisë verilindore në një shtet unitar dhe sovran që respekton dhe mbron në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, bazuar në marrëveshjen e 18 janarit 2026 si rruga më efektive drejt stabilitetit në Siri”, thuhet në deklaratë.

Ata u bënë thirrje të gjitha palëve të shmangin “çdo boshllëk sigurie” në dhe përreth qendrave të paraburgimit të ISIS (DEASH) dhe deklaruan se për të adresuar këto shqetësime palët ranë dakord të thërrasin menjëherë takim të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.

“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë për një tranzicion politik gjithëpërfshirës në Siri, i cili mbron të drejtat e të gjithë sirianëve dhe theksojmë se stabilizimi i Sirisë verilindore përmes mjeteve paqësore përbën përparësi qendrore për parandalimin e një ringjalljeje të terrorizmit dhe për sigurinë rajonale”, thuhet ndër të tjera.

SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania nënvizuan gatishmërinë për të mbështetur dhe monitoruar së bashku me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, zbatimin e marrëveshjeve midis palëve.

Shtëpia e Bardhë tërhiqet, largohet Bovino nga Mineapolisi pas trazirave

Presidenti amerikan, Donald Trump, tregoi shenjat e para të zbutjes në luftën ndaj emigrantëve të paligjshëm. Një zyrtar i lartë i emigracionit në SHBA pritet të largohet nga qyteti Minneapolis, në atë që mund të shënojë një ndryshim në tonin e Shtëpisë së Bardhë pas të shtënave fatale të një qytetari të dytë amerikan nga oficerët federalë gjatë fundjavës, shkruan A2 CNN-i.

Ndërsa komandanti i Patrullës Kufitare Gregory Bovino dhe disa agjentë të imigracionit largohen, “Cari i kufirit” Tom Homan, do të fillojë të udhëheqë përpjekjet në terren në qytetin Minesota, pasi të shtënat me armë zjarri ndaj Alex Pretti të shtunën përshkallëzuan tensionet. Vendimi i presidentit Donald Trump mund të tregojë interesin e administratës për të tërhequr vëmendjen nga veprimet më agresive federale në goditjen e tij mbarëkombëtare kundër imigracionit.

“Askush në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë presidentin Trump, nuk dëshiron të shohë njerëz të lëndohen ose të vriten në rrugët e Amerikës. Të shtënat e së shtunës mbeten nën hetim aktiv. Si president i zgjedhur siç duhet, presidenti po përmbush vullnetin e popullit duke arrestuar dhe larguar këto kërcënime nga vendi ynë. Është shpresa, dëshira dhe kërkesa e presidentit Trump që rezistenca dhe kaosi të marrin fund sot. Kjo është arsyeja pse presidenti Trump foli drejtpërdrejt me guvernatorin Walz dhe ai ka përcaktuar një rrugë të qartë dhe të thjeshtë për rivendosjen e ligjit dhe rendit në Minesota”, tha Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Pavarësisht njoftimit, raportimet në internet tregojnë se operacionet kundër emigracionit kanë vazhduar. Megjithatë, heqja e Bovinos mund të paralajmërojë një largim nga qasja e ashpër që ai kishte inkurajuar. Ndryshimi i lidershipit erdhi si një lehtësim për disa në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, të cilët e shohin Homanin si një dorë më me përvojë duke pasur parasysh vitet e tij në zbatimin e ligjit federal. Ndryshimi gjithashtu u prit mirë dhe me lëvdata nga udhëheqësit e Partisë Republikane në Capitol Hill.

Jep dorëheqje ish-shefi i shërbimit sekret malazez, iu publikuan foto intime me sekretaren shtetërore

Këshilltari i deritanishëm për siguri i presidentit të Malit të Zi, Dejan Vukshiq dhe ish drejtor i Shërbimit sekret të Malit të Zi, bashkë me sekretaren shtetërore në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mirjana Pajkoviq, kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, pasi në publik u publikuan pamje me përmbajtje eksplicite ku shfaqet Pajkoviq.

Të dy zyrtarët kanë deklaruar se dorëheqjet janë dhënë për arsye personale dhe kanë pohuar se janë viktima në këtë rast. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Sigurisë (ANB) është distancuar nga çdo përfshirje në këtë aferë, raportojnë mediat serbe.

Dejan Vukshiq, ish-drejtor i shërbimit sekret ANB, ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me publikimin e pamjeve komprometuese.

“Mohoj të gjitha pretendimet e pasakta dhe tendencioze me të cilat, pa prova, tentohet të më ngarkohet përgjegjësi për cenimin e privatësisë së Pajkoviq dhe shpërndarjen e pamjeve. Këto materiale i kam parë për herë të parë vetëm pasi filluan të qarkullonin në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale”, tha ai.

Sipas Vukshiqit, Pajkoviq ka marrë në mënyrë të paligjshme telefonin celular në tetor të vitit 2024, i cili më pas është keqpërdorur. Ai thotë se një audio-incizim, ku dëgjohet duke i bërë presion Pajkovićit, është reagim i drejtpërdrejtë ndaj kësaj vjedhjeje dhe se telefonata është bërë nga telefoni fiks i zyrës së presidentit Jakov Milatoviq.

Ai shtoi se në mars të vitit 2025 ka marrë mesazhe kërcënuese nga një numër i panjohur, së bashku me pamjet komprometuese, me qëllim që ta detyronin të hiqte dorë nga kandidatura për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, ai ka paraqitur kallëzim penal ndaj Pajkoviqit dhe personave të panjohur.

Vukshiq deklaron gjithashtu se Pajkoviqmë vonë e ka kontaktuar duke kërkuar “t’i rregullonte diçka” për t’u “shlyer”, çka ai e ka interpretuar si tentativë të re shantazhi, kësaj here të lidhur me kandidaturën e saj për Avokate të Popullit.

Ai pretendon se kallëzimi penal i dorëzuar nga Pajkoviqnë fund të dhjetorit 2025 është bërë me qëllim diskreditimin e tij para zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit.

Vukshiq ka deklaruar se është i gatshëm t’i nënshtrohet testit të poligrafit dhe ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, e kanë shpifur dhe kërcënuar në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Mirjana Pajkoviqka paraqitur tri kallëzime penale në polici për shpërndarje të paautorizuar të përmbajtjes eksplicite. Ajo dyshon se pikërisht Dejan Vukshiq, si ish-drejtor i ANB-së, ka keqpërdorur pozitën dhe informacionet e sigurisë për ta kërcënuar me publikimin e materialeve komprometuese.

Si provë, ajo ka publikuar një audio-incizim ku, sipas saj, dëgjohet Vukshiq duke i thënë se “e gjithë Mali i Zi do t’i shohë” fotografitë dhe videot komprometuese.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me publikimin e materialeve private, duke theksuar se respekton plotësisht të drejtat kushtetuese dhe se përmbajtje të tilla nuk janë objekt interesi i saj.

Deri më tani, Prokuroria e Shtetit nuk ka dalë me qëndrim zyrtar, ndërsa mbetet e paqartë nëse rasti do të përfundojë në gjykatë.

Sipas ligjeve të Malit të Zi, shpërdorimi i pamjeve, fotografive apo materialeve seksualisht eksplicite të personave të tjerë, i njohur si “pornografi hakmarrëse”, përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burg. Në rastet kur viktima është e mitur, dënimi mund të arrijë nga dy deri në dhjetë vjet burg.

Shkon në 20 numri i të vdekurve nga stuhia e dimrit në SHBA

Një stuhi e fuqishme po godet disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke lënë të paktën 20 persona të vdekur dhe qindra mijëra pa energji elektrike.

Viktima janë raportuar në Nju Jork, Tenesi, Luiziana, Masaçusets, Kansas, Pensilvani dhe Teksas, mes tyre edhe një 16-vjeçare.

Më shumë se 10 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa shkollat dhe rrugët në mbarë vendin janë mbyllur. Reshjet e dendura të borës gjatë fundjavës kanë shkaktuar kaos në transport dhe shërbime, duke prekur veçanërisht zonat qendrore dhe lindore të SHBA-së.

Sipas parashikimeve, bora do të nisë të pakësohet gjatë ditë së sotme, por temperaturat shumë të ulëta do të vazhdojnë të prekin pjesët qendrore dhe lindore të vendit. Paralajmërimet e Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS) shtrihen nga Teksasi në jug deri në Anglinë e Re në verilindje.
Stuhia ka pasur ndikim edhe në Kanada. Në Toronto, Aeroporti Pearson regjistroi të dielën reshje rekord dëbore, duke shkaktuar vonesa dhe anulime fluturimesh.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës ndërsa kushtet e motit mbeten të vështira