Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Izraeli konfirmon shifrat e autoriteteve në Gaza: Mbi 70 mijë palestinezë të vrarë nga tetori 2023

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se bilanci i viktimave i përpiluar nga autoritetet shëndetësore në Gaza është “gjerësisht i saktë”, duke shënuar një kthesë të fortë qëndrimi pas vitesh kritikash ndaj këtyre shifrave, të cilat i cilësonte si “propagandë e Hamasit”.

Sipas një zyrtari të lartë të sigurisë izraelite, rreth 70 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që prej tetorit 2023, pa përfshirë personat e zhdukur.

Autoritetet shëndetësore në Gaza flasin për mbi 71 600 viktima dhe të paktën 10 mijë të tjerë të supozuar të varrosur nën rrënoja. Deri tani, Izraeli kishte publikuar vetëm shifra për militantët që pretendonte se kishte eliminuar. Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë rreth 22 mijë luftëtarë, çka nënkupton se shumica e viktimave janë civilë.

Ky pranim i vonuar ka rihapur debatin mbi pasojat humanitare të luftës dhe mbi akuzat për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar se do të rihapë pikën kufitare me Egjiptin në Rafah për kalimin e këmbësorëve, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian, duke lejuar për herë të parë kthimin e disa palestinezëve në Gaza që prej fillimit të luftës

Qeveria amerikane mbyllet pjesërisht

Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pjesërisht pavarësisht një marrëveshjeje financimi të fundit të miratuar nga Senati i SHBA-së.

Ndërprerja e financimit filloi zyrtarisht në mesnatë sipas kohës lindore të SHBA-së të shtunën, disa orë pasi senatorët ranë dakord të financonin shumicën e agjencive deri në shtator.

Projektligji parashikoi një përjashtim dyjavor për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr agjencitë e zbatimit të ligjit për imigracionin.

Projektligji ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e cila është jashtë seancës, shkruan BBC.

Presidenti Donald Trump arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të jepnin më shumë fonde për zbatimin e ligjit për imigracionin pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentët federalë.

Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë gjatë vitit të kaluar dhe vjen vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm të financimit, i cili zgjati 43 ditë, më i gjati në historinë e SHBA-së.

Mbyllja e qeverisë në vitin 2025, e cila zgjati nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati ndikime të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë udhëtimin ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

Por megjithatë, kjo mbyllje nuk ka gjasa të jetë kaq e gjatë ose e përhapur, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të rifillojë seancën të hënën

Reshjet rekord të dëborës shkaktojnë kaos në disa pjesë të Japonisë

Agjencia meteorologjike e Japonisë ka lëshuar paralajmërime për reshje të dendura dëbore përgjatë bregdetit të Detit të Japonisë, nga rajonet perëndimore deri në ato veriore të vendit, me kushtet që pritet të vazhdojnë deri të premten.

Moti i keq që ka goditur Japoninë ka shkaktuar tashmë probleme serioze në trafik, pasi reshjet e vazhdueshme të dëborës kanë krijuar kushte të rrezikshme në rrjetin rrugor, duke e bërë të vështirë udhëtimin.

Në prefekturën Niigata, qyteti Tsunan regjistroi 21 centimetra borë në gjashtë orë, ndërsa distrikti Tadami në Fukushima regjistroi 16 centimetra në të njëjtën periudhë. Trashësia totale e borës tani ka arritur në 264 centimetra në disa pjesë të Niigatës dhe 150 centimetra në qytetin Aomori.

Sipas parashikimeve, masat më të ftohta të ajrit pritet të intensifikojnë më tej fenomenin në Tohoku, si dhe në Japoninë perëndimore dhe lindore. Në disa zona, autoritetet vlerësojnë se deri në 70 centimetra borë e re mund të bjerë brenda 24 orëve.

Shërbimet kompetente paralajmërojnë për probleme me udhëtimin, një rrezik në rritje të orteqeve dhe ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë.

Turqia hyn në lojë: Erdoğan ofron ndërmjetësim mes Iranit dhe SHBA-së

Përpjekjet e vazhdueshme të fuqive rajonale për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me një pengesë thelbësore: hendekun e thellë strategjik mes palëve.

Administrata amerikane, nën presidentin Trump, po artikulon kushte që Irani i konsideron ekzistenciale dhe të panegociueshme, ndalim të plotë të pasurimit bërthamor, kufizim drastik të programit raketor balistik dhe heqje dorë nga kapacitete që Teherani i sheh si elemente kyç.

Kjo qasje, e bën dialogun formal pothuajse të pamundur, pavarësisht retorikës për hapje diplomatike. Si rezultat, distanca mes palëve jo vetëm që mbetet e madhe, por po thellohet.

Në këtë kontekst tensioni, Irani po përpiqet të forcojë koordinimin me aktorë rajonalë që i sheh si më pragmatikë. Vizita e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Turqi pasqyron këtë strategji.

Teherani e sheh Ankaranë si një partner kyç në menaxhimin e sfidave rajonale dhe si një kanal potencial për uljen e tensioneve me Washingtonin. Araghchi theksoi nevojën për “konsultime më të afërta” me Turqinë, duke nënvizuar ndryshimet serioze që po ndodhin në rajon, veçanërisht për shkak të qëndrimeve amerikane.

Paralelisht, Irani ka ashpërsuar ndjeshëm tonin ndaj Bashkimit Europian. Vendimi i BE-së për të shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste është interpretuar në Teheran si një gabim strategjik dhe dëshmi e asaj që zyrtarët iranianë e quajnë mungesë kuptimi të realiteteve rajonale nga ana e Europës. Araghchi e përshkroi BE-në si një “kontinent në rënie”, ndërsa figura të larta të sigurisë, si Ali Shamkhani, paralajmëruan për kundërmasa të menjëhershme.

Reagimi iranian lidhet ngushtë edhe me kontekstin e luftës në Gaza.

Teherani akuzon Perëndimin për standarde të dyfishta: mbështetje për Izraelin, ndërsa kriminalizon strukturat iraniane që, sipas Iranit, kanë luftuar kundër grupeve si ISIS. Ky diskurs synon të legjitimojë pozicionin iranian si pjesë e një “rezistence rajonale”, jo si burim destabilizimi.

Në këtë mozaik tensioni, Turqia po përpiqet të pozicionohet si ndërmjetës.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka shprehur gatishmërinë për të luajtur një rol lehtësues mes Teheranit dhe Washingtonit, duke reflektuar interesin e Ankarasë për të parandaluar një përshkallëzim që do të rrezikonte stabilitetin rajonal.

Kontakti i drejtpërdrejtë mes Erdoganit dhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian, si edhe pritja e Araghchit në Ankara, tregojnë përpjekje konkrete për diplomaci paralele.

Në thelb, këto zhvillime tregojnë një Iran që ndihet gjithnjë e më i rrethuar nga Perëndimi, por që njëkohësisht po kërkon të forcojë aleanca rajonale për të balancuar presionin.

Ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja po rrisin kërkesat dhe sanksionet, Irani po përgjigjet me rezistencë, diplomaci selektive dhe paralajmërime, duke e bërë kompromisin afatshkurtër shumë të vështirë

Antonio Guterres thirrje Iranit: Dialog për të shmangur një krizë me pasoja katastrofike

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë sot thirrje palëve për dialog me Iranin, veçanërisht lidhur me programin e tij bërthamor, me qëllim shmangien e një krize që mund të ketë “pasoja shkatërruese për rajonin”.

Guterres deklaroi se OKB-ja ka dënuar ashpër shtypjen e dhunshme që ka ndodhur në Iran.

“Po ndjekim me shqetësim diskutimet që janë në zhvillim dhe vlerësojmë se është thelbësore të vendoset një dialog për të arritur një marrëveshje, veçanërisht për çështjen bërthamore, në mënyrë që të shmanget një krizë që mund të ketë pasoja shkatërruese për rajonin”, u shpreh kreu i OKB-së, gjatë një konference për shtyp nga selia e Kombeve të Bashkuara në New York.

Trump: Rusia pajtohet me armëpushim të pjesshëm

Rusia është pajtuar me armëpushim të pjesshëm për t’i ndalur të gjitha sulmet në disa qytete të Ukrainës për një javë, ka njoftuar presidenti amerikan Donald Trump.

Presidenti amerikan ka thënë në një mbledhje të kabinetit se i ka kërkuar Vladimir Putinit “të mos gjuajë në Kiev dhe qytete të tjera për një javë”. Sipas Trumpit, “Putini është pajtuar me këtë”.

Sipas Trumpit, kërkesa e tij ka qenë për shkak të temperaturave të ulëta me të cilat po përballen ukrainasit, në kohën kur Rusia ka goditur infrastrukturën kritike duke lënë shumë ukrainas pa ngrohje.

“Personalisht i kam kërkuar presidentit Putin të mos gjuajë në Kiev dhe në qytetet dhe qytezat për një javë gjatë… këtij të ftohti të jashtëzakonshëm”, ka thënë Trumpi. “Ai u dakordua me këtë”.

Duke komentuar bombardimet e sistemit energjetik të Ukrainës, Trumpi ka thënë se Putini “bën mirë” që i ndalon sulmet.

“Ata nuk kanë përjetuar kurrë të ftohtë të tillë”, ka thënë Trumpi.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Rusia nëse do t’i ndalë sulmet. Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Moska po planifikon sulme në shkallë më të gjerë, pavarësisht bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Putini edhe më herët ka pasur marrëveshje me Trumpin, por më vonë dakordimet hidheshin poshtë.