Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Bota

Punëtorët e transportit publik në Gjermani në grevë, kërkojnë paga më të larta dhe orar të shkurtuar të punës

Udhëtarët në mbarë Gjermaninë u përballën të hënën me temperatura të ftohta dhe pa transport, pasi dhjetëra mijëra punëtorë të transportit publik braktisën vendet e punës në një grevë të thirrur nga sindikata Verdi, duke paralizuar shërbimet e autobusëve dhe tramvajeve në shumicën e qyteteve.

Verdi, e cila përfaqëson gati 100 mijë punëtorë të transportit, e thirri grevën pasi bisedimet me punëdhënësit komunalë dhe ata të landeve për kushtet e punës u bllokuan javën e kaluar.

Sindikata po kërkon ndërrime më të shkurtra, pushime më të gjata mes ndërrimeve dhe paga më të larta për punën e natës dhe fundjavave, edhe pse qytetet po përballen me kufizime buxhetore.

Greva prek rreth 150 kompani komunale të transportit në të gjitha, përveç njërit, nga 16 shtetet federale të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Bremenin.

Zelensky pret vazhdimin e bisedimeve tripalëshe, Rusia shton sulmet vdekjeprurëse

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se rundi i ri i bisedimeve tripalëshe me Rusinë dhe SHBA-në, është caktuar të mbahet këtë javë, sikurse herën e parë, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas tij, takimi do të mbahet, më 4 dhe 5 shkurt, për çka dje tha se ekziston një marrëveshje për një gjë të tillë.

Kujtojmë se cikli i bisedimeve vjen pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë ndaj objekteve civile.

Rihapet pikëkalimi kufitar në Rafah mes Gazës dhe Egjiptit

Palestinezët kanë filluar të hyjnë në pikëkalimin kufitar të Rafah, midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, pasi ai u rihap për lëvizjen e njerëzve. Kalimi kufitar ka qenë kryesisht i mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur pala palestineze u pushtua nga forcat izraelite.

Rihapja e vonuar prej kohësh është një pjesë kyç e fazës së parë të planit të armëpushimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump midis Izraelit dhe Hamasit, i cili filloi në tetor. Vetëm dhjetëra njerëz do të jenë në gjendje të kalojnë në të dy drejtimet çdo ditë. Ndihma humanitare dhe mallrat tregtare ende nuk do të lejohen.

Rreth 20,000 palestinezë të sëmurë dhe të plagosur po presin të largohen nga Gaza për trajtim. Raportet izraelite thonë se vetëm 50 pacientë – të shoqëruar nga dy të afërm – do të lejohen të dalin çdo ditë, dhe se 50 nga dhjetëra mijëra njerëz që u larguan nga Gaza gjatë luftës do të lejohen të kthehen.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të mbikëqyrë transferimin e pacientëve nga territori nën kontrollin e Hamasit, duke i transportuar ata me autobus përmes territorit të kontrolluar nga ushtria izraelite në pikën e kalimit, sipas BBC News.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se kushdo që kalon Vijën e Verdhë, e cila shënon territorin e kontrolluar nga Izraeli sipas marrëveshjes së armëpushimit, do të “përballet me zjarr”. Kalimi i Rafah-ut do të drejtohet nga mbikëqyrës nga Bashkimi Evropian dhe stafi lokal palestinez, ndërsa Izraeli do të kryejë kontrolle sigurie në distancë.

Të dielën, autoritetet izraelite thanë se një hapje provuese e pikës së kalimit u krye dhe përfundoi. Një zyrtar palestinez i njohur me rregullimet për provën e kalimit i tha BBC-së se rreth 30 anëtarë të stafit palestinez kishin mbërritur në anën egjiptiane të pikës së kalimit, përpara fazës operative.

Plani 20-pikësh i paqes i Trump për Gazën thotë se rihapja e pikës së kalimit të Rafah-ut në të dy drejtimet do t’i nënshtrohet të njëjtit mekanizëm të zbatuar sipas një marrëveshjeje të mëparshme armëpushimi në janar të vitit të kaluar. Përpara se të pushtohej nga Izraeli në vitin 2024, ky vendkalim ishte pika kryesore e daljes për palestinezët që lejoheshin të largoheshin gjatë konfliktit dhe një pikë kyçe hyrjeje për ndihmë humanitare.

Në dhjetor, qeveria izraelite tha se vendkalimi Rafah do të hapej për t’u lejuar palestinezëve të largoheshin nga Gaza. Por Egjipti tha se vendkalimi do të hapej vetëm nëse lejohej lëvizja në të dyja drejtimet, duke mundësuar kthimin e dhjetëra mijëra palestinezëve që ikën nga Gaza.

Hapja e vendkalimit u vonua gjithashtu për shkak se qeveria izraelite e kushtëzoi gjetjen e trupit të pengut të fundit izraelit të vdekur në Gaza nga Hamasi. Javën e kaluar, ushtria izraelite tha se kishte gjetur eshtrat e oficerit të policisë, Sergeant Ran Gvili, në një varrezë në Gazën veriore.

Ai ishte një nga 251 personat e rrëmbyer nga Hamasi dhe aleatët e tij gjatë sulmit të tyre ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili vrau rreth 1,200 njerëz. Fushata ushtarake e Izraelit në Gaza, e nisur në përgjigje të sulmit, ka vrarë më shumë se 71,790 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në territor.

Mandelson jep dorëheqje nga Partia Laburiste për shkak të lidhjeve me Epsteinin

Lord Mandelson ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia në Partinë Laburiste, duke thënë se nuk dëshiron të “shkaktojë më shumë turp” për partinë për shkak të lidhjeve të tij Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual me të mitur.

Ish-ministri britanik u përmend sërish në dokumentet e reja të publikuara të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku sugjerohet se Epstein kishte kryer tri pagesa nga 25 mijë dollarë, në total 75 mijë dollarë, në vitet 2003 dhe 2004, të lidhura me emrin e Mandelsonit.

Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Laburistëve, Mandelson ka shkruar se ndihet “i keqardhur dhe i penduar” për situatën e krijuar, duke shtuar se pretendimet për pagesa financiare janë, sipas tij, të pavërteta dhe se nuk ka asnjë kujtim apo evidencë për to.

“Ndërkohë që këto çështje kërkojnë hetim nga ana ime, nuk dua të shkaktoj më shumë turp për Partinë Laburiste dhe për këtë arsye po largohem nga anëtarësia,” ka deklaruar ai.

Mandelson ka kërkuar falje “pa asnjë rezervë” për faktin që ka pasur lidhje me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008, si dhe u ka kërkuar falje grave dhe vajzave që kanë qenë viktima të tij.

Deputeti laburist Gordon McKee ka deklaruar për BBC Radio 4 se viktimat e Epstein do të jenë “me të drejtë të indinjuara” nga zbulimet e fundit, duke shtuar se Mandelson ka bërë gjënë e duhur duke dhënë dorëheqje.

Nga ana tjetër, Partia Konservatore ka kritikuar kryeministrin Sir Keir Starmer, duke thënë se Mandelson duhej përjashtuar nga partia dhe jo të largohej vullnetarisht. Liderja konservatore Kemi Badenoch kishte kërkuar pezullimin e tij dhe nisjen e një hetimi zyrtar.

Dokumentet përfshijnë pasqyra bankare që tregojnë pagesa të lidhura me emrin e Mandelsonit nga llogaritë e Epstein në JP Morgan.

Një pagesë e vitit 2003 ishte drejtuar në një llogari të Barclays, ku përmendej edhe emri i partnerit të tij të atëhershëm, ndërsa dy pagesa të tjera në vitin 2004 ishin drejtuar në llogari të HSBC-së. Ende nuk dihet nëse këto pagesa janë realizuar përfundimisht.

Po ashtu, në dokumente janë përfshirë edhe fotografi të redaktuara të Mandelsonit, të cilat ai ka thënë se nuk i kujton rrethanat, vendin apo personat e përfshirë. Autoritetet theksojnë se përmendja në këto dokumente nuk nënkupton automatikisht fajësi.

Email-e të publikuara tregojnë se Mandelson kishte komunikuar me Epstein edhe pas dënimit të tij, përfshirë diskutime rreth politikave qeveritare për taksimin e bonuseve bankare në kohën kur Mandelson ishte sekretar i biznesit në qeverinë e Gordon Brown.

Ai ka mohuar se ka vepruar në interes të një individi të vetëm, raporton BBC.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjykimin për akuza të reja për trafikim seksual.

12 të vrarë nga një sulm rus pranë një autobusi në Ukrainë

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me dron rus pranë një autobusi që transportonte punonjës të një kompanie në Ukrainën lindore, ka njoftuar një zyrtar rajonal.

Sipas informacionit paraprak, edhe shtatë të tjerë janë plagosur në rajonin Dnipropetrovsk, ka shkruar në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Ganzha.

Kompania energjetike DTEK, që tha se autobusi po transportonte minatorët e saj pas një shifte, e përshkroi sulmin si të synuar drejt punonjësve të saj. Sipas kompanisë, 15 persona kanë humbur jetën në këtë sulm.

Ndërkohë, autoritetet lokale raportuan se të paktën tre të tjerë u vranë dhe nëntë u plagosën në sulme të ndara ruse gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, përfshirë dy gra që u plagosën gjatë lindjes në një maternitet në Zaporizhzhia.

Kreu rajonal Ivan Fedorov e përshkroi sulmin ndaj maternitetit si “dëshmi të mëtejshme të një lufte kundër jetës”. Të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme, dhe Fedorov publikoi video dhe fotografi të dritareve të thyera dhe mbeturinave të djegura brenda maternitetit.

Sulmet e fundit vijnë pas një vale sulmesh ruse ndaj rrjetit të energjisë në Ukrainë gjatë janarit, që shkaktuan probleme me ngrohjen dhe furnizimin me elektricitet në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, me temperatura që pritet të bien nën -20°C në disa zona këtë fundjavë, raporton BBC.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte deklaruar të enjten se Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte rënë dakord të ndalonte sulmet ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës gjatë valës së të ftohtit, për një javë, ndërsa Kremlini më pas tha se kjo do të zgjasë deri të dielën.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se raundi i dytë i bisedimeve trilaterale për përfundimin e luftës, pas gati katër vjetësh, do të nisë të mërkurën në Abu Dhabi, duke shtyrë datën e mëparshme që ishte e planifikuar për të dielën.

Vuçiq: Shteti nuk është i përfshirë në posedimin e pesë tonëve marihuanë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 1 shkurt se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën që bërë e ditur pas kapjes së pesë tonëve të marihuanës në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe që kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht” dhe pretendojnë se shteti është mbrapa aferës.

“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink.

Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.

Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragniq and Urosh Mlladenovski.

Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviqin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.

Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.

Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.

Aleksiq ka thënë se personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq.

Ministri Gashiq nuk ka bërë ndonjë koment pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.

Përmes një deklarimi të publikuar në gazeta serbe, ai i ka përgëzuar autoritetet policore dhe të sigurisë për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”. /REL