Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Bota

Francë: Policia bastisë zyret e kompanisë “X”

Policia franceze bastisi dje zyrat e kompanisë “X” të Elon Musk-ut në Paris.

Autoritetet e Francës e ftuan miliarderin për t’u marrë në pyetje, si pjesë e një hetimi të zgjeruar ndaj kompanisë së mediave sociale dhe chatbot-it të saj të inteligjencës artificiale, Grok, shkruan CNN,.

Zyra e prokurorit tha të martën se kërkimi lidhej me një hetim që Franca hapi në janar të 2025-tës, duke shtuar se njësia e saj e krimit kibernetik kreu bastisje, me ndihmën e Europolit.

Elon Musk, dhe ish-drejtoresha ekzekutive e X-it, Linda Yaccarino, janë thirrur për t’u paraqitur në seancat dëgjimore në prill, ndërsa punonjësit e kompanisë do të merren në pyetje si dëshmitarë.

Prokurorja Laure Beccuau tha se hetimi, i cili fillimisht u përqendrua në abuzimin e dyshuar të algoritmeve, ishte zgjeruar në përfshirjen e “deepfake-t seksuale” të Grok-ut.

Sulme të reja ruse në Ukrainë, Zelensky akuzon: Nuk e mbajtën fjalën që i dhanë Presidentit Trump

Në një deklaratë të ashpër të martën, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë për shkeljen e një marrëveshjeje të bërë me Presidentin Donald Trump për të pezulluar sulmet ndaj sistemeve të energjisë të Ukrainës gjatë dimrit të ashpër.

Kjo akuzë vjen pasi forcat ruse realizuan një sulm ajror masiv ndaj Kryeqytetit Kyiv, vetëm një ditë para nisjes së bisedimeve mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi.

Ky sulm ka shkaktuar dëme të mëdha në pesë distrikte të Kryeqytetit dhe ka lënë të paktën nëntë persona të plagosur. Banorët e Kyiv-t raportuan shpërthime të forta që nisën në orën 1 të mëngjesit, ndërsa alarmin për sulmet ajrore e kanë mbajtur të aktivizuar për më shumë se pesë orë. Sipas Zelensky-t, Rusia po përdor ditët më të ftohta të dimrit për të terrorizuar qytetarët, duke e përshkruar këtë si një akt që e bën diplomacinë të dështojë.

Në një reagim të fortë, Zelensky theksoi se Rusia kishte dështuar të mbante fjalën e dhënë për të ndaluar sulmet gjatë periudhës më të ftohtë të dimrit, një kërkesë që Trump e kishte bërë personalisht tek Vladimir Putin. “Rusia ka shkelur marrëveshjen që kishte bërë me Trump për të ndaluar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike, veçanërisht për shkak të temperaturave të ulëta”, tha ai. Ai shtoi se sulmet kishin përfshirë një numër rekord prej 71 raketash balistike dhe 450 dronësh, të cilat kishin shkatërruar infrastrukturën energjetike të kryeqytetit.

Zelenskyy bëri thirrje për shtimin e furnizimeve me raketa për sistemet mbrojtëse ajrore, për të garantuar mbrojtjen e jetës normale për qytetarët ukrainas. Sipas tij, këto sulme tregonin se Rusia është e gatshme të luajë vetëm përmes luftës, duke pritur ditët më të ftohta të dimrit për të intensifikuar sulmet.

Në mesin e tensioneve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili ishte në vizitë në Kyiv, akuzoi Moskën për përpjekjen për të krijuar kaos dhe dhimbje për civilët e pafajshëm. Ai e cilësoi këtë sulm si një “sinjal të keq” dhe u shpreh se Zelenskyy ishte “plotësisht i gatshëm për të negociuar”, ndërkohë që pyeste nëse Rusia ishte serioze për bisedimet e ardhshme.

Pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë bisedimet e planifikuara në Abu Dhabi mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-ve, situata e luftës mbetet e tensionuar. Takimi i parë i këtij muaji dështoi të sillte një avancim të dukshëm në procesin e paqes, ndërkohë që luftimet në terren vazhdojnë të rrisin tensionet

Kreu i NATO-s në Kiev, mesazh i fortë mbështetjeje për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur në Kiev dhe po takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Kështu deklaroi një korrespondent i Financial Times në një postim në X.

Vizita e raportuar e Rutte vjen pasi Rusia sulmoi Ukrainën me 450 dronë dhe mbi 60 raketa gjatë natës.

Ndryshe, Rusia dhe Ukraina thanë javën e kaluar se ndaluan sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës, por nuk ranë dakord për afatin kohor për armëpushimin.

Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë për Epsteinin

Ish-presidenti i ShBA-së Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për autorin e ndjerë të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein.

Kjo vjen disa ditë para një votimi nëse çifti do të akuzohet për përbuzje penale për refuzimin për t’u paraqitur para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve pas një bllokimi disamujor, raporton BBC.

Bill Clinton njihej me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të krimeve të tij seksuale dhe thotë se i ka ndërprerë kontaktet dy dekada më parë.

Nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por do të jetë hera e parë që një ish-president i ShBA-së dëshmon para një paneli të Kongresit që kur Gerald Ford e bëri këtë në vitin 1983.

Irani shqyrton kushtet për rinisjen e bisedimeve me SHBA

Irani po shqyrton kushtet për rinisjen e bisedimeve me SHBA-të, bëri me dije këtë të hënë një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit për “Reuters”.

Të dy palët kanë dhënë sinjale për rigjallërimin e diplomacisë pas mosmarrëveshjeve të gjata lidhur me programin bërthamor të Tehranit.

Zyrtari iranian bën me dije se ditët e ardhshme mund të kemi një takim në Turqi mes të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve Steve Ëitkoff dhe kryediplomatit iranian Abbas Araqchi.

Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm pas shtypjes së dhunshme të demonstrative kundër regjimit të Ajatollahëve.

Bisedimet në Gjenevë, Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë trupat e ushtarëve të vdekur

Rusia dhe Ukraina kanë kryer një tjetër shkëmbim trupash të ushtarëve të vrarë në luftë.

Sipas ndihmësit të Kremlinit, Vladimir Medinsky, trupat e 1000 ushtarëve ukrainas janë dorëzuar autoriteteve në Kiev. Në këmbim, Moska ka marrë trupat e 35 ushtarëve rusë të vrarë.

Medinsky e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në Telegram, ku publikoi edhe një foto nga procesi i dorëzimit. Në imazh shihen pjesëtarë të ekipeve speciale të veshur me kostume mbrojtëse nga substancat e rrezikshme, teksa transportojnë një nga trupat.

Shkëmbimet e trupave të ushtarëve të vrarë janë ndër të paktat forma bashkëpunimi mes Moskës dhe Kievit që kanë vijuar pavarësisht luftimeve të ashpra në terren.