Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga BIRK

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e 12 Rebiul-Evelit, ditëlindjes së Pejgamberit a.s.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Sonte, në këtë natë të bekuar të 12 Rebiul-Evelit, ne përkujtojmë lindjen e më të dashurit të Allahut, Pejgamberit tonë, Muhamed Mustafasë a.s., i cili është mëshira e dërguar për mbarë botët.

Kjo natë e shënuar dhe ky muaj i bekuar, i njohur si Muaji i Mevludit, na fton ta përforcojmë besimin tonë, dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit të Allahut.

Pejgamberi a.s. është shembull i përsosur i mëshirës, drejtësisë, përkushtimit dhe moralit më të lartë. Ai është drita që ndriçoi njerëzimin, udhëzuesi që na mësoi si të jetojmë me dinjitet, me adhurim dhe me shpresë. Dashuria për të është pjesë e imanit tonë, ndërsa respekti ndaj tij është rruga drejt afrimit me Zotin. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin fisnik, thotë:“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) si dëshmitar, si përgëzues dhe si qortues; që të thërrasësh njerëzit tek Allahu me lejen e Tij dhe si një dritë ndriçuese.” (El Ahzab, 45-46).

Dashuria e besimtarëve për Pejgamberin Muhamed a.s. është e pakushtëzuar dhe e përhershme. Ajo nuk kufizohet vetëm në fjalë, por manifestohet në adhurim, në ndjekjen e Sunetit të tij dhe në përpjekjen për të pasqyruar moralin e tij në jetën e përditshme. Besimtarët e ndiejnë të Dërguarin a.s. më afër se çdo njeri tjetër, e përmendin me salavate, e nderojnë në zemrat e tyre dhe e shohin si udhërrëfyesin që i lidh me Krijuesin e gjithësisë. Kjo dashuri është një shenjë e fortë e imanit, ashtu siç ka thënë vetë Pejgamberi a.s.: “Askush prej jush nuk beson vërtet, derisa të mos më dojë mua më shumë se prindërit e tij, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”

Përgjatë shekujve, dijetarët dhe ulematë tanë e kanë kujtuar dhe nderuar të Dërguarin a.s. me vepra të vyera, me kaside, mevlude, ilahi dhe libra biografikë, që pasqyrojnë jetën dhe misionin e tij madhështor.

Kështu, dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është bërë pjesë e kulturës sonë fetare dhe shpirtërore. Nata e Mevludit nuk është vetëm kujtim i lindjes së tij, por edhe thirrje për të ecur në rrugën e tij, për të manifestuar me vepra dashurinë ndaj tij, duke u munduar të përqafojmë moralin e tij të lartë dhe mësimet e tij hyjnore.

Prandaj, ftojmë besimtarët tanë, familjet tona dhe institucionet e Bashkësisë Islame që këtë muaj të bekuar ta kalojnë duke e përkujtuar në mënyrën më të mirë Pejgamberin a.s., qoftë në ambientet e shtëpisë, me namaz, dhikër dhe lexim të ilahive, qoftë nëpër institucionet fetare, me ligjërata, manifestime dhe veprimtari që ngjallin dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut.

Urime kjo natë e shënuar, me shëndet, mbarësi e harmoni për të gjithë.

Qoftë i kënaqur Allahu dhe Pejgamberi a.s. me veprat tona!

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

BIK-u ekzekutoi mjetet financiare për 500 jetimë

Bashkësia Islame e Kosovës ka ekzekutuar mjetet financiare për 500 jetimë në gjithë territorin e vendit për tre mujorin e tretë me radhë të shpërndarjes. Kjo vije në kuadër të projektit “Përkujdesja ndaj jetimëve të Republikës së Kosovës” i cili u bë i mundur në bashkëpunim me Qendrën e “Mbretit Selman” të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Kështu ka bërë të ditur Besim Mehmeti, shefi i Kabinetit të Myftiut Tërnava, i cili ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës që t’iu gjendur pranë qytetarëve të saj në çdo situatë.

Këto mjete financiare të gjithë përfituesve u transferohen nëpërmjet xhirollogarisë bankare. Kjo formë është bërë në mënyrë që t’u lehtësohet marrja e mjeteve pa pasur nevojë për prezencë fizike.

Kujtojmë që në inagurimin e këtij projekti, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, shprehu mirënjohje të thellë për Qendrën e “Mbretit Selman” të Mbretërisë së Arabisë Saudite për këtë projekt, por edhe për ndihmat e vazhdueshme që kanë dhënë përgjatë viteve për popullin e Kosovës. Ai tha se synimi i tij është që nga në vitet e ardhshme të shtohen ndihmat edhe për shumë jetimë të tjerë mbarë territorit të vendit.