Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga BIRK

Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar sot Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, në të cilin u prit nga kryetari Naim ef. Aliu, administrata dhe anëtarët e këtij Këshilli.
Gjatë këtij takimi u diskutua për mbarëvajtjen e jetës fetare në Gjilan, si dhe për projektet e reja që janë duke u zhvilluar në këtë qytet.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe vizita e objektit vakëf të Këshillit të BI-së së Gjilanit, i cili është në ndërtim e sipër, si dhe vizita në punishten e ndërtimit të xhamisë në Lagjen e Spitalit.
Myftiu Tërnava u njoh për së afërmi me ecurinë e punimeve në këto dy objekte, për të cilat tha se do ta lehtësojnë mbarëvajtjen e jetës fetare në Gjilan.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka përuruar sot objektin e ri, i cili do të shfrytëzohet për organizimet e Departamentit të Gruas

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka përuruar sot objektin e ri, i cili do të shfrytëzohet për organizimet e Departamentit të Gruas, si dhe për mbajtjen e mësim-besimit nga nxënësit e këtij qyteti.
Në këtë ceremoni i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, përfaqësuesit e Këshillit të BI-së së Gjilanit, si dhe përfaqësuesi i shoqatës “Swiss Barakah”, njëherësh bashkëdonatori, Ardian Mehmetaj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, ndër të tjera kujtoi rëndësinë e mësimit si porosi e parë hyjnore. Ai tha se fjala e parë e zbritur te Muhamedi a.s., është fjala “Lexo”, çka dëshmon se përmes leximit vije arsimimi, edukimi dhe mësimi. Myftiu Tërnava më pas vazhdoi me porositë për ruajtjen e vetes, vendit dhe familjes, duke kujtuar kështu sakrificën e këtij populli për të arritur këtu ku jemi sot.
Kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu, falënderoi donatorët për përkrahjen e dhënë në këtë projekt, duke treguar më pas edhe për rëndësinë që ka shfrytëzimi i këtij objekti për të mirën e fëmijëve të qytetit.
Përfaqësuesi i “Swiss Barakah”, Ardian Mehmetaj, tha se ndjehet i lumtur që ky objekt do të shfrytezohet si mundësi e artë për mësimnxënie, aty ku edhe fëmijët do të kenë mundësi t’i ndjekin aspiratat e tyre.
Në fund, Myftiu Tërnava, vizitoi edhe nxënësit që vijojnë mësim-besimin në këtë objekt.

KLIKO KETU PER VIDEON E PLOTE

Në Pejë mbahet Mevlud kushtuar ditëlindjes së Pejgamberit a.s.,

Me këndimin e pjesëve nga Kurani fisnik, salvateve, ilahive dhe pjesëve nga Mevludi, mbrëmë u mbajt manifestimi kushtuar Mevludit- ditëlindjes së Pejgamberit a.s., i organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë.
Ligjëratën kryesore e mbajti Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndjekjes së rrugës së Pejgamberit a.s. dhe edukimit të brezave të rinj në frymën e moralit, mirësisë dhe përkushtimit. Ai rikujtoi fjalën e Zotit të Madhëruar: “Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
Kryeimami porositi që jeta dhe mësimet e Pejgamberit a.s. të mbahen gjallë në familjet tona përmes këndimit të Mevludit, organizimit të tubimeve dhe mexhliseve tradicionale, si dhe përmes leximit të librave kushtuar jetës së tij të bekuar.
Programi vazhdoi me këndimin e pjesëve nga Mevludi nga Nexhmedin Hoxhaj, me ilahi të interpretuara nga hfz. Mehdi Goga dhe Muhamed Mavraj, ndërsa u përmbyll me lexim nga Kurani fisnik nga hoxha Ergyn Baykal. Duaja u bë nga kryeimami Enes ef. Goga.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë Musli ef.Arifaj në fjalën përmbyllëse falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.

Doli nga shtypi numri i ri (418 – shator 2025) i revistës “Dituria Islame”,

Doli nga shtypi numri i ri (418 – shator 2025) i revistës “Dituria Islame”, ku mund të lexoni:

2 Urimi i Myftiut Tërnava, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026
_________
EDITORIAL
4 Përmbysja e injorancës me lindjen e më të mirit njeri
________
FETARE
5 Si ta përkujtojmë me dinjitet lindjen e Pejgamberit a.s.
Dr. Rijad Imeri
8 Pejgamberi Muhamed a.s. – burim i pakontestueshëm i normave juridike islame
Dr. Selatin Mehani
13 Pejgamberi a.s., model i përkryer i jetës bashkëshortore dhe familjare (1)
Prof. ass. dr. Ilmije Kuqi
17 Mëshira si thelb i edukimit profetik
Rashit Zylfiu
20 Ngjarja e elefantit – një qasje klasike dhe moderne
Prof. ass. dr. Valmire Batatina – Krasniqi
24 Muhadramët – bashkëthemelues të hallkës së parë të medhhebit hanefi
Dr. Muhamed Stublla
28 Eutanazia ne optikën e fesë islame
Verona Rrahmani
_____________________
FAMILJE & EDUKIM
31 Komponentët e edukimit ndërmjet asaj se çka lipset të jenë dhe realitetit
Dr. Myrvete Allmeta
34 Teoria para përvojës – edukimi qytetar pa themel vleror
PhD. Merjeme Gashi
37 Edukimi i fëmijëve në mes të familjes dhe shkollës – nevoja për një modelim të integruar
Prof. ass. dr. Ferdi Kamberi
42 Shkolla, dija dhe vlerat e tyre
Imer Topanica
45 Intoleranca në ushqim
Agron M. Rexhepi, MD, PhD, MSc, Urata Rexhepi, Nderim Rexhepi
_________
KULTURË
48 Ndikimi i mendimit orientalist në Perëndim
Abdulvehab el Karesh
50 El Biruni – një studiues i gjithanshëm
Sead Ahmetaj
53 Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë – ombrellë e dijes islame
Dr. Azmir Jusufi
____________
AKTIVITETE
58 Myftiu Tërnava priti në takim lamtumirës këshilltarin për Çështje Fetare të Turqisë, z. Bunjamin Albayrak
Revistën “Dituria Islame” mund ta siguroni në librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë (https://www.facebook.com/librariadituriaislame, dhe në të gjitha selitë e Këshillave të Bashkësisë Islame në të gjitha qendrat e Kosovës.

Me këndimin e pjesëve nga Kurani fisnik, salvateve, ilahive dhe pjesëve nga Mevludi, sonte në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, u mbajt manifestim kushtuar Mevludit – ditëlindjes së Pejgamberit a.s.

Me këndimin e pjesëve nga Kurani fisnik, salvateve, ilahive dhe pjesëve nga Mevludi, sonte në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, u mbajt manifestim kushtuar Mevludit – ditëlindjes së Pejgamberit a.s.
Ligjëratën kryesore kushtuar jetës dhe porosive të Pejgamberit a.s. e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ndër të tjera tha se Pejgamberi a.s. erdhi si mëshirë për mbarë botët dhe për gjitha krijesat.
“Zoti i Madhëruar që nga krijimi i njeriut të parë, Ademit a.s., dërgoi edhe pejgamber, që njeriun mos ta linte të paudhëzuar. Kështu nisi vargun e pejgamberëve nga Ademi a.s. për të vazhduar kështu deri te Muhamedi a.s., i cili erdhi si mëshirë për gjitha botët dhe gjitha krijesat. Zoti i Madhëruar, në një ajet kuranor, thotë: “Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për gjitha krijesat.”
Myftiu Tërnava më tej porositi që jeta dhe mësimet e Pejgamberit a.s. vazhdimisht të rikujtohen nëpër shtëpitë tona, qoftë përmes këndimit të Mevludit, apo edhe përmes leximit të librave që janë shkruar për jetën e bekuar të Pejgamberit a.s..
Programi më pas vazhdoi me këndimin e pjesëve nga Mevludi nga hoxhallarët, Jahir ef. Beqiri dhe Sallah ef. Feta, si dhe me këndimin e ilahive nga vëllezërit Allajbeg.