Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga BIRK

Në Fushë Kosovë u vu gurëthemeli i xhamisë re-Video

Në Fushë Kosovë u vu gurëthemeli i xhamisë re

Kliko ketu per video

Në prani të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnavës dhe bashkëpunëtorëve të tij, kryetarit të Fushë Kosovës, z. Burim Berisha, përfaqësuesit të Shoqatës së Katarit, Ahmed al Ashal, kryetarit të Këshillit të BI-së së Fushë Kosovës, Valon ef. Ibrahimit, si dhe përfaqësuesve të tjerë institucional, sot, nën këndimin e tekbireve, në mënyrë solemne u vu gurthemeli i xhamisë së re në Fushë Kosovë.

Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se sot, në këtë ditë të bekuar xhumaje, erdhi edhe momenti për ta realizuar një dëshirë të kahmotshme për ndërtimin e një xhamie të re në këtë vend.
“Sot, këtu para jush, falënderoi kryetarin e Komunës për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi pasur së bashku në projekte të ndryshme, e së fundmi edhe për ndërtimin e kësaj xhamie. Një falënderim të veçantë, për punën e tyre të palodhshme, merion edhe Shoqata e Katarit, e cila në vazhdimësi, për 25 vjet me radhë, ka qenë pranë popullit të Kosovës duke kontribuar në fusha të ndryshme.”

Myftiu Tërnava ndër të tjera tha se e veçanta e kësaj xhamie është se financohet nga familja e emirit të Katarit, pra nga familja e Muhamed bin Hamad bin Abdullah.

Kryetari i Fushë Kosovës, z. Burim Berisha, tha se ndjehet i lumtur që sot, në këtë ditë të bekuar, po hedhin gurthemelin për ndërtimin e një xhamie, e cila do t’u shërbejë besimtarëve myslimanë për kryerjen e riteve të tyre fetare. Ai tha se në varësi nga rritja e numrit të qytetarëve, do të ndërtohen edhe xhami të tjera, duke treguar kështu gatishmërinë që proceset e këtilla të ecin para.

Shoqata Bereqeti hap dyqanin e bamirësisë në Fushë Kosovë

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, ka hapur sot dyqanin e bamirësisë në Fushë Kosovë, të katërtin me radhë, pas Prishtinës, Prizrenit dhe Malishevës.

Në hapje të këtij dyqani i pranishëm qe edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, nënkryetari i Fushë Kosovës, z. Besnik Osmani, përgjegjësi i “Bereqetit”, Xheladin ef. Fazliu, si dhe kryetari i Këshillit të BI-së së Fushë Kosovës, Valon ef. Ibrahimi.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Myftiu Tërnava, tha se fillimisht këtu do të ndihmohen rreth 50 familje, për të vazhduar më pas edhe me rritjen e këtij numri. Ai tha se falë donatorëve bamirës, Shoqata “Bereqeti”, në vazhdimësi po qëndron pranë familjeve nevojtare. Myftiu Tërnava falënderoi edhe nënkryetarin Osmani për gatishmërinë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm të Komunës.

Nga ana e tij, nënkryetari Osmani, tha se në të ardhmen ky objekt do të zgjerohet edhe më tej, duke treguar kështu gatishmërinë e Komunës që të jetë pranë familjeve nevojtare.

Ky dyqan përmban gjërat elementare ushqimore dhe higjienike.

Kliko ketu per video

Përmbyllet edicioni i gjashtë i panairit ndërkombëtar të Librit në Tuz të Malit të Zi.

Shtëpia Botuese “Dituria Islame” ishte pjesë e këtij panairi me mbi 40 tituj librash të fushave të ndryshme.

Në përmbyllje të panairit, në emër të komunës së Tuzit, sekretarja Marina Ujkaj i ndau mirënjohje për pjesëmarrje shtëpisë botuese “Dituria Islame”, të përfaqësuar nga Mihana Goga-Bekteshi.

Stenda e Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” u vizitua nga lexues të moshave të ndryshme të cilët u pajisën me literaturë përkatëse.

Myftiu Tërnava takon Ministrin ne detyrë të kulturës , Hajrullah Çeku

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku.
Gjatë këtij takimi u bisedua rreth bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në projektet e restaurimit dhe ruajtjes së trashëgimisë islame në vend. Të dyja palët vlerësuan se ky bashkëpunim ka dhënë rezultate të prekshme në mbrojtjen e objekteve me vlerë historike, kulturore dhe fetare, e të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar dhe shpirtëror.
Myftiu Tërnava e falënderoi ministrin në detyrë, z. Çeku për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se kujdesi ndaj trashëgimisë islame është një detyrë e përbashkët e të gjithëve, si dhe një vlerë që duhet trashëguar brezave të ardhshëm.
Nga ana e tij, ministri në detyrë, z. Çeku, shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të vazhduar bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës, me synimin që trashëgimia kulturore islame të mbrohet, të restaurohet dhe të promovohet si pasuri e përbashkët e vendit tonë. Ai çmoi lart përkushtimin dhe përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbanë mbledhjen e radhës

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të cilën e hapi dhe e kryesoi kryetari i saj, Myftiu Naim ef. Tërnava.
Gjatë kësaj mbledhje u diskutua për fillimin e vitit të ri shkollor 2025-2026 në Medresenë e Mesme “Alauddin”, si dhe për fillimin e vitit të ri akademik 2025-2026 në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Po ashtu gjatë mbledhjes u diskutuan edhe lëndë të tjera bazuar në kompetencat e Kryesisë së BIK-ut.

Ekrem ef. Simnica, pret në takim imamin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Londër, Mehmet ef. Stubllën.

Drejtori i Drejtorisë së Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, ka pritur në takim imamin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Londër, Mehmet ef. Stubllën.
Në këtë takim miqësor u diskutua për gjendjen e xhamive shqiptare në diasporë dhe për bashkëpunimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe të punëve me xhamtin e atjeshëm.
Imami Stublla me këtë rast bëri dorëzimin e mjeteve financiare nga xhemati i xhamisë që ai udhëheq.
Drejtori Simnica falënderoi imamin Stublla për punën dhe angazhimin e tij në diasporë për mirëqenien e shqiptarëve atje.
Që të dyja palët ranë dakord që të vazhdohet bashkëpunimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve për të mirën e të gjithëve.