Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga BIRK

Përfundojnë punimet në “Xhaminë e Vogël” në Ferizaj

Nën organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, në “Xhaminë e Vogël – Boshnjakut” u mbajt manifestim fetar për ta shënuar përfundimit e punimeve në renovimin e kësaj xhamie. Manifestimi u mbajt pikërisht në muajin e Mevludit, ditëlindjes së Pejgamberit a.s..
Një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e mbajti kryetari i Këshillit të BI-së së Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare në këtë qytet.
Me këtë rast, imami i “Xhamisë së Vogël”, njëherësh anëtari i Kryesisë së BIK-ut, Sevdair ef. Haxhiu, ndau mirënjohje për Këshillin e Xhamisë për kontributin e tyre dhënë për renovimin e xhamisë, ndërsa një mirënjohje e veçantë iu nda post-mortum haxhi Triumf Islamit, i cili kishte kontribuar për renovimin e kësaj xhamie pak kohë para ndarjes së tij nga kjo jetë.
Ligjëratën kryesore kushtuar jetës së të Dërguarit a.s., e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili foli për jetën, mësimet dhe madhështinë e Pejgamberit Muhamed a.s. Ai theksoi se i Dërguari i Allahut erdhi si dritë shpëtimi për njerëzimin, duke udhëzuar zemrat drejt besimit të pastër e të vërtetë islam.
Programi vazhdoi me lexim Kurani, këndim ilahish dhe pjesë nga Mevludi, të cilat u interpretuan nga hoxhallarët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt.

Myftiu Tërnava mirëpritet nga ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Sauditë në Tiranë , z. Fejsal Hivzi

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, është pritur në një takim nga ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fejsal Hifzi.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan tema me rëndësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare, me theks të veçantë në avancimin e projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në dobi të besimtarëve dhe shoqërisë.
Myftiu Tërnava e falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë besimtarëve myslimanë në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në zhvillimin e jetës fetare dhe mbështetjen në fusha të ndryshme.
Nga ana e tij, ambasadori Hifzi, shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

Myftiu Terrnava viziton ambasadën e Kuvajtit në Tiranë, mirëpritet nga i ngarkuari me punë z.Adnan al Gunejmi

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një vizitë në Ambasadën e Kuvajtit në Tiranë, ku u prit nga i ngarkuari me punë, z. Adnan al Gunejmi.
Gjatë këtij takimit u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë e thellimit të tij në të ardhmen. Myftiu Tërnava e falënderoi diplomatin kuvajtian për përkrahjen e vazhdueshme që shteti i Kuvajtit i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në realizimin e projekteve të rëndësishme humanitare dhe zhvillimore.
Nga ana e tij, z. Al Gunejmi vlerësoi rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në shërbim të komunitetit dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, takon ambasadorin e ri të Hungarisë në Republikën e Kosovës, z. László István Dux.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Republikën e Kosovës, z. László István Dux.

Myftiu Tërnava fillimisht i uroi mirëseardhje ambasadorit, e më pas e uroi atë për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Më pas, gjatë takimit, Myftiu Tërnava e njohu ambasadorin për veprimtaritë dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar rolin që ky institucion ka në edukimin fetar, ruajtjen e harmonisë ndërfetare dhe promovimin e vlerave morale në shoqëri. Ai nënvizoi se BIK-u ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe paqeje në vend, duke kontribuar për mirëqenien shpirtërore dhe shoqërore të qytetarëve.

Nga ana e tij, ambasadori Dux çmoi lart rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e vlerave të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës.

Doli nga shtypi numri i ri (138-2025) i revistës “Edukata Islame”

#Edu

Doli nga shtypi numri i ri (138-2025) i revistës “Edukata Islame”, ku mund të lexoni:

I. EDITORIAL
30-VJET NGA GJENOCIDI SERB NË SREBRENICË
II. ISLAMISTIKË
Mr. Driton ARIFI
HARRESA SI PENGESË E ZOTËSISË LIGJORE NË TË DREJTËN ISLAME
Dr. Sedat ISLAMI
PEJGAMBERI ISA, A.S., SIPAS KURANIT, SUNETIT DHE KËSHILLAVE TË PËRCJELLA PREJ TIJ
Asist. Prof. Dr. Rexhep SUMA
STILISTIKA E KURANIT NË PARAQITJEN E HISTORIVE, TË RRËFIMEVE DHE TË TË VËRTETAVE
III. KULTURË / TRASHËGIMI
Dr. Ferid PIKU
ABEDIN PASHË DINO, SI KOMENTUES I KURANIT FAMËLARTË SIPAS MËNYRËS SË TEFSIRIT SHOQËROR
Semra VASIJA-TËRHOLLI
SUZI ÇELEBIU-PRIZRENASI DHE VAKËFET E TIJ
Dr. Sc. Zilha MASTALIQ KOSHUTA
FUSHATË SNAJPERI NË SARAJEVË GJATË PERIUDHËS SË RRETHIMIT 1992-1995
Myderriz Sabit efendi ZAIMI
NJË HUMBJE E DHIMBSHME PËR BOTËN ISLAME – Myderriz Haxhi Selim efendi Jashari-Drejta (1887-1951).187
Enes KARIQ
AJETET E KURANIT NË MONUMENTIN MBIVARROR TË JOSEPH VON HAMMER-PURGSTALL-IT
IV. TEMA E NUMRIT (30-vjet nga gjenocidi serb në Srebrenicë)
Naim ef. TËRNAVA
KUJTESA E GJALLË DHE DËSHMIA E SHKRUAR: SREBRENICA NË NDËRGJEGJEN TONË
Albin KURTI
SRBERENICA – MË SHUMË SE MASAKËR ISHTE PËRPJEKJE PËR TË ZHDUKUR NJË POPULL
Ramadan SHKODRA
SREBRENICA – DËSHMI E KTHYER NË AMANET
Dr. Hysen MATOSHI
KUJTESA SI AMANET PËR SREBRENICËN
Prof. Dr. Sylë UKSHINI
KUJTESA SI REZISTENCË: RRËFIMI I IMAM HRNJIQIT PËR SREBRENICËN
Durim ABDULLAHU
SREBRENICA KA NDODHUR, PRANDAJ MUND TË NDODHË SËRISH!
V. REFLEKSIONE
Muharrem B. GASHI
KËNGË POPULLORE ME ELEMENTE FETARE
VI. RECENSIONE
AUTOBIOGRAFIA SI KONTRIBUT HISTORIOGRAFIK
“SHQIPËRIA PO DIGJET” DHE “LETRA NGA MËRGIMI” RIKTHEJNË MEHMET AKIFIN TE SHQIPTARËT

Revistën “Edukata Islame” mund ta siguroni në librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë (https://www.facebook.com/librariadituriaislame, dhe në të gjitha selitë e Këshillave të Bashkësisë Islame në të gjitha qendrat e Kosovës.

Myftiu Tërnava, takohet me koordinatorët e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka zhvilluar një takim me koordinatorët e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.
Në këtë takim u diskutua për rrugëtimin dhe sukseset e deritanishme të kësaj shoqate, për sfidat me të cilat janë përballur gjatë realizimit të projekteve humanitare, si dhe për planet dhe synimet në të ardhmen.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart angazhimin e koordinatorëve në terren, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre në shërbim të familjeve në nevojë dhe të gjithë shoqërisë. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Bashkësisë Islame të Kosovës për nismat e “Bereqetit”, duke nënvizuar se solidariteti dhe humanizmi janë vlera të çmuara islame.
Nga ana e tyre, koordinatorët e “Bereqetit” paraqitën të arriturat në projekte të ndryshme sociale, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në përmbushjen e misionit të tyre. Ata falënderuan Myftiun Tërnava për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofruan ide për projekte të reja që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët në nevojë.