Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga BIRK

Myftiu Tërnava i dërgon telegram ngushëllimi mbretit të Mbretërisë së Arabisë Saudite

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i ka dërguar një letër ngushëllimi mbretit të Mbretërisë së Arabisë Saudite me rastin e kalimit në botën tjetër të myftiut të Arabisë Saudite, shejh Abdulaziz al Shejh.
Në telegramin e tij, Myftiu Tërnava ngushëlloi familjen, të afërmit, kolegët dhe gjithë kombin arab, duke lutur Zotin e Madhëruar që myftiun Al Shejh ta mëshirojë dhe t’ia japë një vend në kopshtet e Xhenetit.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart figurën e myftiut Al Shejh, duke e cilësuar atë si një dijetar të shquar dhe një jurist me njohuri të thella të parimeve të jurisprudencës islame. Ai tërë jetën e tij ia kushtoi shërbimit të dijes dhe njerëzve të saj, duke lënë pas vetes një trashëgimi të gjerë dhe të pasur shkencore.

Miftiu Naim ef. Tërnava pret në takim delegacionin nga Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në selinë e Kryesisë së BIK-ut një delegacion nga Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë, i kryesuar nga dekani, prof. dr. Mustafa Hasani, i cili shoqërohej edhe nga prodekani prof. dr. Zuhdija Hasanoviç, prodekani për cilësi prof. dr. Nedim Begoviç dhe prodekani për arsim prof. dr. Ahmet Alibasiç.

Gjatë këtij takimi u bisedua rreth mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks në shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve, ngritjen e kapaciteteve akademike, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe edukimit islam.

Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve simotra, duke vlerësuar lart rolin e Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë në përgatitjen e kuadrove cilësore dhe në ruajtjen e traditës së studimeve islame në rajon. Ai shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të fuqizuar lidhjet institucionale dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi.

Delegacioni nga Sarajeva, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, do të vizitojë edhe institucionet fetaro-arsimore, në veçanti Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, për të parë nga afër mundësitë konkrete të bashkëpunimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta akademike.

Drejtori për Diasporē Ekrem ef.Simnica merr pjesë në organizimin e aktivitetit të Xhamisë “Uniteti” në Au të Zvicrës

Me ftesë të Kryesisë së Xhamisë “Uniteti” në AU të Zvicrës, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, më 21 shtator 2025, mori pjesë në tubimin e organizuar me moton: “ Me emrin e Allahut, bashkë ndërtojmë dritë e unitet”, organizim për blerjen e objektit për xhami, i cili u mbajt në Cyrih.

Ky ishte një aktivitet i jashtëzakonshëm, në të cilin morën pjesë mysafirë nga diaspora dhe trojet tona. Përveç numrit të madh të besimtarëve nga Zvicra e më gjerë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve islame nga Zvicra, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshës si dhe grupi i ilahive nga vendlindja. Prania dhe fjalimet e tyre ishin dëshmi e mbështetjes së fuqishme për projektin e xhamisë.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, drejtori Simnica përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai foli për disa pika të rëndësishme që kanë të bëjnë me vlerën dhe rolin e xhamisë, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e kontributit në ndërtimin, renovimin dhe blerjen e saj.

Tubimi ishte i jashtëzakonshëm e me plot surpriza ku rezulltoi të përmbyllet me grumbullimin e 900 mijë CHF, për blerjen e objektit të xhamisë Uniteti në Au të Zvicrës.
Në fund të aktivitetit u shkëmbyen dhurata dhe u ndanë mirënjohje për xhaminë, të cilat u pranuan nga kryetari Qamil Begjeti dhe imami Irfan Musliu.

Xhamia e re në fshatin Orllan të komunës së Podujevës po merr formë

Punimet e vrazhda në strukturën e objektit janë drejt përfundimit, duke hapur rrugën për fazat përfundimtare të ndërtimit. Ky projekt ka rëndësi të veçantë për banorët e fshatit, pasi xhamia e re do të shërbejë jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si qendër e tubimeve dhe aktiviteteve fetare e kulturore, duke forcuar jetën shpirtërore e shoqërore të komunitetit.

KBI në Kamenicë organizon manifestim fetar me rastin e muajit te Mevludit

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë, pas namazit të drekës në xhaminë “Sylë Rama”, organizoi manifestim fetar me rastin e muajit të Mevludit – ditëlindjes së Pejgamberit Muhamed a.s.

Me këtë rast, kryetari i KBI Kamenicë, Ferid ef. Dërmaku, falënderoi besimtarët për pjesëmarrjen dhe shprehu përkushtimin që aktivitete të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ligjëratën kryesore e mbajti kryeimami i BIK-ut, Vedat ef. Sahiti, i cili theksoi se Pejgamberi a.s. erdhi si mëshirë dhe udhëzim për mbarë njerëzimin, duke ndriçuar zemrat dhe mendjet me besimin islam.

Manifestimi u mbyll me këndimin e pjesëve nga Mevludi dhe me dua.

Myftiu Tërnava i dërgon telegram urimi prof. Dr. dr. Safi Arpaguş,

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i ka dërguar një telegram urimi prof. dr. Safi Arpaguş, me rastin e emërimit të tij në detyrën e lartë të kryetarit të Çështjeve Fetare të Turqisë.

Në urimin e tij, Myftiu Tërnava shprehu kënaqësinë dhe nderin për këtë emërim, duke e konsideruar këtë si një përgjegjësi me rëndësi të madhe për Republikën e Turqisë, popullin turk dhe mbarë umetin islam.

Ai, në emër të myslimanëve të Kosovës, uroi që detyra e re e prof. dr. Arpaguş të sjellë begati e dobi, si dhe shprehu urimet e tij të përzemërta për shëndet, suksese dhe mbarësi në kryerjen e kësaj përgjegjësie të lartë.