Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga BIRK

Një grup prej 60 besimtarëve nga Kosova është nisur për në tokat e shenjta të Mekës

Një grup prej 60 besimtarëve nga Kosova është nisur për në tokat e shenjta të Mekës, për ta kryer Umren e cila do të zhvillohet nga data 24 tetor deri më 2 nëntor.
Udhëheqës i këtij grupi është Blerim Musliu, kurse në përcjellje të tyre kishin dalë edhe zëvendëskryeimami Fatmir Iljazi dhe Fitim Gashi nga Drejtoria e Haxhit në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilët iu uruan besimtarëve udhëtim të mbarë dhe pranim të lutjeve e ibadeteve që do t’i bëjnë gjatë qëndrimit në Mekë dhe Medinë.
Në fotografitë e realizuara, shihet gëzimi dhe emocionet e besimtarëve që u nisën drejt një prej adhurimeve më të dashura.
Sikurse është e ditur Bashklsia Islame e Kosovës bënë organizimin e umres me aranzhman të kompletuar duke ofruar shërbime cilësore në të gjitha aspektet; hotele me komoditet të lartë si në Mekë ashtu në Medine, ushqime cilësore, vizita të ndryshme të vendeve historike-islame, përkujdesje maksimale nga udhëheqësit-hoxhallarët e grupeve të cilët në çdo kohë janë të gatshëm dhe në dispozicion për të ofruar ndihmën dhe udhëzimet e nevojshme.

Këshilli i Bashkësisë Islame i Ferizajt, organizon hapjen solemne të xhamisë së Sallahanes

Këshilli i Bashkësisë Islame i Ferizajt, organizoi dje hapjen solemne të xhamisë së Sallahanes, e cila për një kohë qe në renovim të plotë.
Përveç besimtarëve të shumtë, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, anëtari i Kryesisë së BIK-ut, Sevdair ef. Haxhiu, kryeimami i Këshillit të Ferizajt, Ibrahim ef. Beqiri, si dhe hoxhallarë të tjerë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryeimami Sahiti, vlerësoi rolin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që kanë kontribuuar për renovimin e kësaj xhamie, duke lutur Zotin e Madhëruar që t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë dhe botën tjetër.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, takon kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka takuar sot kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës, me të cilët ka biseduar për ecurinë e punëve dhe sfidat me të cilat ata po përballen.

Në fillim të takimit, Myftiu Tërnava, ka falënderuar kryetarët e Këshillave për punën dhe kontributin e vazhdueshëm që po japin në shërbim të besimtarëve dhe institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u prezantua puna që është duke u bërë në ndërtimin e 23 xhamive nëpër qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit, duke vlerësuar se këto projekte janë dëshmi e përkushtimit institucional për krijimin e kushteve më të mira për besimtarët.

Në takim u fol edhe për përgatitjet për muajin Ramazan, ku Myftiu Tërnava kërkoi nga Këshillat që të intensifikojnë aktivitetet fetare, humanitare dhe vetëdijësuese në këtë periudhë të rëndësishme për besimtarët myslimanë.

Në fund të takimit, Myftiu Tërnava ka inkurajuar kryetarët e Këshillave që të vazhdojnë me përkushtim dhe përgjegjësi në detyrat e tyre, duke ruajtur unitetin dhe traditën e mirë të bashkëpunimit, tolerancës dhe frymën vëllazërore.

Kliko ketu per video

Myftiu Tërnava viziton Këshillin e Bashkësisë Islame të Dragashit dhe Këshillin e Bashkësisë Islame për Rajonin e Gorës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një vizitë pune në Këshillin e Bashkësisë Islame të Dragashit dhe në Këshillin e Bashkësisë Islame për Rajonin e Gorës, ku është pritur nga kryetarët, Driton ef. Çengaj, respektivisht nga Munafis ef. Hoxha dhe administrata e tyre.
Gjatë takimeve, u diskutua për ecurinë e punëve në Këshilla, për zhvillimet në jetën fetare, si dhe për sfidat dhe telashet me të cilat përballen në terren gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.
Myftiu Tërnava vlerësoi angazhimin e imamëve dhe të strukturave të Bashkësisë Islame në këtë rajon, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe punën e tyre në shërbim të xhematit dhe ruajtjes së vlerave islame.
Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillave lokalë dhe Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një funksionim sa më i mirë institucional dhe një organizim efikas i jetës fetare.
Myftiu Tërnava, po ashtu, ofroi mbështetjen e plotë të Kryesisë për projektet dhe iniciativat e këtyre Këshillave, që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe lehtësimin e mbarëvajtjes së jetës fetare në Dragash dhe në Rajonin e Gorës.
Në përmbyllje të vizitës, Myftiu u shprehu falënderime për mikpritjen dhe i inkurajoi që të vazhdojnë me përkushtim në misionin e tyre fisnik në shërbim të fesë dhe shoqërisë.