Mar. Mar 31st, 2026

Lajme nga BIRK

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në punimet e seminarit të organizuar nga Ministria e Arsimit e Turqisë, përkatësisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Fetar, i cili u mbajt në Stamboll.

Më 5 dhe 6 nëntor 2025, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në punimet e seminarit të organizuar nga Ministria e Arsimit e Turqisë, përkatësisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Fetar, i cili u mbajt në Stamboll.
Përveç drejtuesve të arsimit nga Ministria e Arsimit e Turqisë, në takim ishin të pranishëm edhe këshilltarët për arsim pranë ambasadave turke në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe përgjegjësit për arsimin fetar pranë institucioneve të bashkësive islame të këtyre vendeve.
Gjatë punimeve të seminarit, kryeimami Sahiti, theksoi rolin dhe rëndësinë që kanë institucionet fetaro-arsimore të Bashkësisë Islame në përgatitjen e kuadrove, si dhe kontributin e tyre në ngritjen e vetëdijes, edukimin dhe fisnikërimin e besimtarëve.
Ai po ashtu nënvizoi nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve edukativo-arsimore në hartimin e kurrikulave, shkëmbimin e përvojave dhe përfitimin nga përvoja e pasur e shkollave “Imam Hatip” në Turqi, me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit fetar dhe avancimit të institucioneve fetaro-arsimore në vendet tona.
Në fund, kryeimami Sahiti, theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës bashkëkohore arsimore dhe domosdoshmërinë që medresetë tona t’i plotësojnë ciklet e arsimit të ulët dhe të mesëm, në përputhje me nevojat bashkëkohore të arsimit fetar.

Botimi i Ri

Shtëpia botuese “Dituria Islame” ka nxjerrë në qarkullim librin “Vakëfi – Dispozita Themelore” të autorit të njohur Burhanuddin Ibrahim bin Musa Et-Tarabulsi El-Hanefij. Ky botim paraqet një përpjekje të rëndësishme për t’u mundësuar studentëve qasje në literaturën më të mirë dhe më të besueshme mbi çështjen e vakëfeve. Libri i zgjedhur, “El Isaf”, përmbledh dy libra thelbësorë të medhhebit hanefi, El Khassaf dhe Helalfi El Vakëf, duke ofruar një burim të pasur dhe të detajuar për studimin e këtij kapitulli. Ai ka vlerë të veçantë jo vetëm për përmbajtjen e tij të plotë dhe të saktë, por edhe për rrallësinë e tij, pasi ekzistojnë vetëm disa kopje të dorëshkrimeve më të vjetra se një shekull, përfshirë një botim të vitit 1902.
Qëllimi pedagogjik i këtij botimi është t’u mundësojë studentëve të kuptojnë qartë rregullat, dispozitat, kushtet dhe shtyllat e vakëfeve, përmes teksteve më eminentë të medhhebit hanefi. Përveç librit kryesor, janë përfshirë edhe referime nga autorë të tjerë të njohur si Kuduriu, Mustafa Ez Zerka, si dhe studime të detajuara mbi investimet në vakëfe nga Dr. Muhamed Ez Zuhejli. Kjo qasje i ofron lexuesit një pamje të plotë mbi dispozitat, investimet, përfitimet dhe rëndësinë sociale e ekonomike të vakëfeve.
Vakëfet përbëjnë një mjet efektiv për rregullimin e çështjeve financiare dhe për mbështetjen e qëllimeve humanitare, shëndetësore dhe arsimore. Praktika e tyre e zhvilluar në vendet islame ka ndikuar edhe në menaxhimin e shpenzimeve publike në vende të tjera, duke treguar rëndësinë e tyre të vazhdueshme në shoqëri.
Ky botim nuk është vetëm një material studimor, por edhe një kontribut modest i autorit për të ruajtur dhe përhapur dijen mbi vakëfet. Përmes recensimit të kujdesshëm të kopjeve origjinale dhe shpjegimeve të detajuara, lexuesi mund të mësojë dhe të vlerësojë historinë, dispozitat dhe praktikat e vakëfeve. Ky libër është tashmë i qasshëm për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me një studim dhe qasje bazike mbi vakëfin, duke plotësuar kështu mungesën e literaturës të tillë në gjuhën shqipe, e cila deri tani ka qenë shumë e pakët.
Librin mund ta siguroni në Librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë.
https://www.facebook.com/librariadituriaislame

Nga shtëpia në Francë, te Shtëpia e Allahut në Prizren

Para se të mbushte 20 vjeç, Bilall Likaj nga Lubeqeva e Prizrenit mori rrugën e mërgimit drejt Francës. Atje jetoi plot shtatë dekada. Pesë muaj më parë, në moshën 88-vjeçare, u kthye në vendlindje – i vetëm, por me zemrën plot.
Ky burrë i urtë, që tashmë i afrohet të nëntëdhjetave, i ka dhuruar Bashkësisë Islame 7 ari truall në Prizren dhe me mjetet e veta e ndërtoi xhaminë që sot njihet si Xhamia “Bilali” – një nga më të bukurat e qytetit. Shumëkush e njeh edhe si “Xhamia e Gurit”, për shkak të hijeshisë dhe mjeshtërisë së ndërtimit.
“Kam punuar në rini, bleva një shtëpi në Francë… e më pas e shita për të ndërtuar xhaminë. Në atë xhami e kam lënë shpirtin.”
Fjalë që të prekin thellë.
Allahu e shpërbleftë me mirësitë e Tij!
Një jetë e tërë pune për një vepër që do të jetojë brez pas brezi.
“Vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që falin namazin, japin zekatin dhe nuk i frikësohen askujt tjetër përveç Allahut, janë ata që e ndërtojnë (dhe e mirëmbajnë) Shtëpinë e Allahut.”
(Surja Et-Teube, ajeti 18)
Allahu e bekoftë këtë njeri me shpërblime të pafund!

Nga 31 tetor deri më 2 nëntor 2025, në qytetin e Edirnes në Turqi, u mbajtën punimet e Konferencës Islame me temë “Nën nënqiellin e kupolës sonë”

Nga 31 tetor deri më 2 nëntor 2025, në qytetin e Edirnes në Turqi, u mbajtën punimet e Konferencës Islame me temë “Nën nënqiellin e kupolës sonë”, organizuar nga Fondacioni “İslam Âlimleri Vakfı”, nën patronazhin e Guvernatorit të Edirnes.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë Konferencë mori pjesë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili në seancën e parë të Konferencës, të udhëhequr nga prof. dr. Nasrullah Hacımüftüoğlu, prezantoi kumtesën me temë “Roli i institucioneve fetare në ndërtimin e kohezionit social në vendet ballkanike”.
Në këtë Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga bashkësitë islame të dhjetë shteteve të Ballkanit, si dhe intelektualë dhe profesorë të njohur të shkencave islame nga Turqia dhe bota arabe.
Punimet e Konferencës, të ndara në gjithsej katër seanca, trajtuan tema me interes të veçantë mbi sfidat me të cilat përballen shoqëritë islame në vendet e Ballkanit, si dhe nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimit me bashkësitë simotra për të tejkaluar sfidat dhe rreziqet që kërcënojnë virtytet morale dhe vlerat familjare islame.
Në hapje të konferencës morën pjesë ish-kryetari i Dijanetit të Turqisë Ali Erbash, zëvendëskryetari Osman Şahin, guvernatori i Edirnes, rektori i Universitetit të Trakisë në Edirne, si dhe shumë personalitete të njohura të botës akademike e publike të Turqisë.
Në seancën e tretë, që kishte për temë familjen dhe sfidat e saj në vendet e Ballkanit, kryeimami Sahiti, shpalosi para të pranishmëve rëndësinë dhe rolin historik të familjes shqiptare në ruajtjen e identitetit, si dhe në kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare të shoqërisë shqiptare. Ndër të tjera, ai theksoi sfidën e migrimit si një nga problemet më serioze me të cilat përballet familja shqiptare në kohët moderne, e cila në masë të madhe ka ndikuar në strukturën dhe stabilitetin e saj.
Kjo Konferencë është e dyta me radhë që organizohet në Edirne nga Fondacioni i Dijetarëve Myslimanë, nën patronazhin e Guvernatorit të Edirnes.

Drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës,mori pjesë në tubimin e organizuar me moton: “Me emrin e Allahut, bashkë ndërtojmë dritë e bashkim.”

Me ftesë të Kryesisë së Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Shqiptare në Hildesheim të Gjermanisë, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, dhe imami i xhamisë “Mati 1”, Fadil ef. Musliu, më 1 nëntor 2025, morën pjesë në tubimin e organizuar me moton: “Me emrin e Allahut, bashkë ndërtojmë dritë e bashkim.”
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të iniciativës për blerjen e objektit për xhami në Hildesheim.
Tubimi ishte një ngjarje e veçantë, ku morën pjesë shumë mysafirë nga diaspora dhe nga trojet tona. Përveç numrit të madh të besimtarëve nga Gjermania dhe më gjerë, të pranishëm ishin edhe mysafirë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, drejtori Ekrem ef. Simnica, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai theksoi vlerën dhe rolin e xhamisë në jetën e besimtarit, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit në ndërtimin, renovimin dhe blerjen e objekteve fetare.
Tubimi u karakterizua nga një atmosferë vëllazërore dhe entuziaste, duke u përmbyllur me sukses përmes grumbullimit të shumës së nevojshme për blerjen e objektit të xhamisë në Hildesheim.
Në fund të aktivitetit u shkëmbyen dhurata dhe u ndanë mirënjohje për kontributin e dhënë, të cilat u pranuan nga kryetari i xhamisë, z. Idriz Pulaj.

Botim i Ri nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame”

Rishikimi i historisë së konvertimeve në Islam përmes burimeve osmane arkivore
(Anton Minkov – Konvertimet në Islam në Ballkan: Peticionet e kisve bahası dhe jeta shoqërore osmane 1670–1730, Prishtinë 2025)
Shtëpia Botuese “Dituria Islame” sjell për lexuesin shqiptar një vepër të rëndësishme studimore të autorit dhe akademikut bullgar Anton Minkov, e cila hedh dritë mbi një prej periudhave më të debatuara të historisë ballkanike – procesin e konvertimeve në Islam gjatë sundimit osman.
Ky botim përfaqëson një kontribut të çmuar shkencor që sfidon qasjet e vjetra ideologjike të historiografisë ballkanike, të cilat për dekada me radhë kanë interpretuar periudhën osmane përmes lenteve nacionaliste dhe politike. Në vend të miteve dhe paragjykimeve, Minkov na ofron një analizë të thelluar historike, të bazuar në burime arkivore autentike, të njohura si peticionet e kisve bahası – dokumente të rralla që dëshmojnë proceset reale të kalimit në fenë islame në shekujt XVII–XVIII.
Në këtë studim, konvertimet nuk shihen si rezultat i imponimit apo dhunës, por si procese komplekse dhe shumëplanëshe, të ndikuara nga faktorë ekonomikë, juridikë, shoqërorë e fetarë. Me këtë qasje, autori e rivendos këtë temë në binarë të mirëfilltë shkencorë, duke e çliruar nga paragjykimet ideologjike.
Botimi në gjuhën shqipe i kësaj vepre është një hap i rëndësishëm për studimet historike shqiptare, sepse jo vetëm që plotëson një boshllëk të dukshëm në literaturë, por edhe nxit një rishikim të matur dhe objektiv të së kaluarës. Ai u jep studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë mundësinë për ta parë periudhën osmane në Ballkan me një këndvështrim më të kthjellët e të paanshëm.
Ky botim është tashmë i qasshëm për studiuesit, studentët dhe të gjithë lexuesit që dëshirojnë të njihen me një perspektivë të re, shkencore dhe të paanshme mbi historinë osmane të Ballkanit.
Librin mund ta siguroni në Librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë
🔗 Libraria “Dituria Islame” Prishtinë