Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga BIRK

Dhurohen veshje dimri për nxënësit në Medvegjë

Sot Shoqata Humanitare “Bereqeti” dhuroi veshje dimri për fëmijët e shkollës fillore “Banja e Sjarinës” Sjarinë dhe për nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini” në Tupallë – Medvegjë.
Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit të Shoqatës “Bereqeti” me drejtues Xheladin Fazliu dhe imamin e Medvegjës, Ilham Hasani.
Drejtuesit e shkollave dhe përfituesit u shprehën shumë të kënaqur dhe mirënjohës për këtë kontribut humanitar.
Faleminderit të gjithëve që mbështesin kauza të tilla në dobi të fëmijëve dhe komunitetit!

Bashkësia Islame e Kosovës ndihmon financiarisht fëmijët jetim në Kosovë

Bashkësia Islame e Kosovës u ka dhuruar gjatë ditës së sotme 75 mijë euro për fëmijët jetimë në Kosovë.
Nga 150 euro kanë përfituar 500 fëmijë jetim për tre muajit e ardhshëm si pjesë e donacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Qendrës së Mbretit të Arabisë Saudite, më saktësisht Qendrës për Ndihma Humanitare.

Vetëm përmes këtij projekti gjatë këtij viti, Bashkësia Islame e Kosovës ka ndihmuar me 300 mijë euro para të gatshme fëmijët jetim në Kosovë, pa përfshirë ndihmat në forma të tjera.

KLIKO KETU PER VIDEON E PLOTE

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, shikon nga afer punimet në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, sot pa nga afër punimet në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Punimet në ndërtimin e kësaj xhamie janë duke ecur sipas planit të paraparë, për çka Myftiu Tërnava u shpreh tejet i kënaqur.

Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës merr pjesë në simpoziumin shkencor me temë “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.

Delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, i udhëhequr nga sekretari i BIK-ut, njëherësh zv.myftiu Ahmet ef. Sadriu, dhe në përbërje nga drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora dhe drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.
Në këtë tubim morën pjesë përfaqësues të bashkësive islame nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, imamë, studiues, përfaqësues institucionalë nga Ambasada e Kosovës, Ambasada e Maqedonisë së Veriut, Konsullata e Kosovës në Cyrih, si dhe drejtues të unioneve islame shqiptare nga Gjermania, Austria, Italia e vende të tjera të Evropës.
Diskutimet u përqendruan në rolin e xhamive në diasporë si shtylla të identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar të komunitetit shqiptar në mërgatë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, sekretari i BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu, përshëndeti të pranishmit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe Myftiut Naim ef. Tërnava. Ai shprehu mirënjohje për organizatorët, Komunitetin Mysliman Shqiptar në Zvicër dhe kryetarin e tij, hfz. Mehas ef. Alija, duke vlerësuar lart këtë nismë me karakter shkencor dhe komunitar.
Ndërsa drejtori i IHSI-së, Sabri ef. Bajgora, paraqiti kumtesën e tij me titull “Xhamitë shqiptare në mërgatë për kauzën kombëtare”, duke theksuar rëndësinë e xhamive si qendra të identitetit dhe vetëdijes kombëtare.
“Ky organizim dëshmon nivelin e lartë të vetëdijes dhe të organizimit. Shqiptarët tanë, kudo që jetojnë, duhet ta dinë se nga vijnë, kush janë dhe si duhet të veprojnë për të mbrojtur fenë dhe identitetin e tyre, sot dhe në të ardhmen”, theksoi ai.
Ngjarja u vlerësua si platformë e rëndësishme diskutimi dhe si mundësi për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve fetare të vendlindjes dhe diasporës. Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të BIK-ut dëshmoi mbështetjen e fuqishme të institucionit për mërgatën shqiptare dhe vlerësimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e fesë, identitetit, traditës dhe unitetit kombëtar.

Promovohen në Tiranë dy libra të rinjë të botuara nga shtëpia botuese”Dituria Islame”

Në kuadër të aktiviteteve të Panairit të 28-të të Librit – Tirana 2025, që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, sot u promovuan dy vepra me rëndësi të veçantë për historinë dhe studimet bashkëkohore, të botuara nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame”, më konkretisht vepra “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, e autorit Mevludin Hrnjić dhe “Konvertimi në Islam në Ballkan”, i autorit Anton Minkov.

Për librin “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës” të autorit Mebludin Hrnjić, foli drejtori për Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, i cili theksoi se vepra është një rrëfim autentik i një të mbijetuarit të gjenocidit të Srebrenicës dhe sjell për lexuesin kujtimet e dhimbshme të tragjedisë së korrikut 1995.

Ndërkaq për librin “Konvertimi në Islam në Ballkan” i autorit Anton Minkov, profesor Sadik Mehmeti, në fjalën e tij, u shpreh se kjo vepër fton në një rishikim të thellë të paradigmave të trashëguara dhe paraqet një korrigjim të rëndësishëm paradigmatik për studimet ballkanike.

Ky aktivitet u prit me interes nga vizitorët e panairit, të cilët u njohën nga afër me përmbajtjen dhe vlerën shkencore të këtyre dy veprave.