Shtëpia Botuese “Dituria Islame” vjen para lexuesit me një botim me vlerë të veçantë shkencore, historike dhe kulturore: “Ixhazetnamet e Haxhi Sherif Ahmetit”, vepër e autorit Dr. Sadik Mehmeti, e cila hedh dritë mbi një segment ende pak të njohur të trashëgimisë intelektuale islame në trevat shqiptare.
Ky libër sjell për herë të parë në mënyrë të përgatitur shkencërisht, të dokumentuar dhe të pasuruar me faksimile origjinale, dy ixhazetname (diploma tradicionale islame) të dhëna Haxhi Sherif ef. Ahmetit – një prej figurave më të rëndësishme të arsimit dhe mendimit islam shqiptar të shekullit XX. Ixhazetnamet, si kulm i arsimit klasik në medrese, nuk ishin thjesht diploma formale, por dëshmi e një autoriteti të fituar shkencor, pedagogjik dhe moral, që i jepte dijetarit të drejtën për të dhënë mësim dhe për të transmetuar dijen brez pas brezi.
Përmes këtyre dokumenteve, libri rindërton me mjeshtëri jetën akademike të Medresesë “Pirinaz” në Prishtinë, një nga qendrat më të rëndësishme të dijes islame në Kosovë, si dhe rrjetin e gjerë të dijes (silsilën/isnadin) që lidhte dijetarët shqiptarë me qendrat klasike islame të Stambollit, Kajros, Bagdadit, Medinës e më gjerë. Ky zinxhir i pandërprerë dëshmon vazhdimësinë e traditës hanefite dhe rolin e ulemave shqiptarë si bartës të saj në një periudhë historike plot sfida.
Një pjesë e rëndësishme e veprës i kushtohet figurës së Haxhi Sherif ef. Ahmetit (1920–1998) – alim, myderriz, përkthyes dhe komentues i Kuranit në gjuhën shqipe, drejtor i Medresesë “Alaudin”, kryeredaktor i revistës “Edukata Islame”, myfti i Prishtinës dhe pedagog i disa brezave të ulemave shqiptarë. Libri sjell një panoramë të plotë të veprimtarisë së tij arsimore, fetare dhe botuese, duke e vendosur këtë personalitet në vendin që i takon në historinë e mendimit islam shqiptar.
Vlera e këtij botimi nuk qëndron vetëm në publikimin e dokumenteve, por në analizën e tyre historike, filologjike dhe kulturore, e cila e bën librin një burim të domosdoshëm për studiuesit, studentët, imamët dhe të gjithë të interesuarit për trashëgiminë islame shqiptare. Njëkohësisht, vepra hap horizonte të reja kërkimore për studime të tjera mbi ixhazetnamet e dijetarëve shqiptarë – një pasuri ende e pashfrytëzuar sa duhet.
Me këtë botim, Shtëpia Botuese “Dituria Islame”, përkatësisht Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, konfirmon misionin e saj për ruajtjen, dokumentimin dhe afirmimin e trashëgimisë intelektuale islame, duke i ofruar publikut një libër serioz, estetikisht të përgatitur dhe shkencërisht të qëndrueshëm – një kontribut i çmuar për kulturën dhe kujtesën tonë kolektive. Ndërkohë, autori i kësaj vepre, Dr. Sadik Mehmeti, dëshmohet edhe njëherë si studiues i përkushtuar dhe i formuar, i cili me qasje të përgjegjshme akademike dhe me ndjeshmëri të lartë ndaj burimeve historike, jep një ndihmesë të rëndësishme në studimin dhe interpretimin e trashëgimisë islame shqiptare. (R.SH.)
Botime të reja: NJË LIBËR QË RIKTHEN NË VËMENDJE ZINXHIRIN E DIJES ISLAME SHQIPTARE

