Sht. Nën 1st, 2025

Botim i Ri nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame”

Rishikimi i historisë së konvertimeve në Islam përmes burimeve osmane arkivore
(Anton Minkov – Konvertimet në Islam në Ballkan: Peticionet e kisve bahası dhe jeta shoqërore osmane 1670–1730, Prishtinë 2025)
Shtëpia Botuese “Dituria Islame” sjell për lexuesin shqiptar një vepër të rëndësishme studimore të autorit dhe akademikut bullgar Anton Minkov, e cila hedh dritë mbi një prej periudhave më të debatuara të historisë ballkanike – procesin e konvertimeve në Islam gjatë sundimit osman.
Ky botim përfaqëson një kontribut të çmuar shkencor që sfidon qasjet e vjetra ideologjike të historiografisë ballkanike, të cilat për dekada me radhë kanë interpretuar periudhën osmane përmes lenteve nacionaliste dhe politike. Në vend të miteve dhe paragjykimeve, Minkov na ofron një analizë të thelluar historike, të bazuar në burime arkivore autentike, të njohura si peticionet e kisve bahası – dokumente të rralla që dëshmojnë proceset reale të kalimit në fenë islame në shekujt XVII–XVIII.
Në këtë studim, konvertimet nuk shihen si rezultat i imponimit apo dhunës, por si procese komplekse dhe shumëplanëshe, të ndikuara nga faktorë ekonomikë, juridikë, shoqërorë e fetarë. Me këtë qasje, autori e rivendos këtë temë në binarë të mirëfilltë shkencorë, duke e çliruar nga paragjykimet ideologjike.
Botimi në gjuhën shqipe i kësaj vepre është një hap i rëndësishëm për studimet historike shqiptare, sepse jo vetëm që plotëson një boshllëk të dukshëm në literaturë, por edhe nxit një rishikim të matur dhe objektiv të së kaluarës. Ai u jep studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë mundësinë për ta parë periudhën osmane në Ballkan me një këndvështrim më të kthjellët e të paanshëm.
Ky botim është tashmë i qasshëm për studiuesit, studentët dhe të gjithë lexuesit që dëshirojnë të njihen me një perspektivë të re, shkencore dhe të paanshme mbi historinë osmane të Ballkanit.
Librin mund ta siguroni në Librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë
🔗 Libraria “Dituria Islame” Prishtinë

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *