Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kërkesa e partisë së tij është e qartë ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet në lexim të dytë dhe të aprovohet nga Kuvendi.
“E kemi pasur komunikimin, kërkesa është e qartë: ligji me u votu në lexim të dytë. Nuk ka asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese, çfarëdo vështirësie, pse ka kaluar në lexim të parë, po mundka me i kalu të gjitha procedurat. Mirëpo, kur po vika në fazën finale, nuk po kalojka. Këto janë çështje të ndara”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që ligji të votohet në të dy leximet, duke shtuar se çështja e UÇK-së nuk duhet të shihet si pronë e një partie politike.
“Kemi folur vazhdimisht, kemi thënë që ligji duhet të votohet në të dy leximet, duhet të aprovohet ligji. Kjo nuk është çështje që ligji i takon vetëm një partie politike, nuk është ligj që i takon PDK-së. UÇK-ja ka ekzistuar para se me ekzistu PDK-ja dhe partitë tjera. Është mirë që të gjitha partitë tjera kanë ushtarë të UÇK-së”, tha ai.
Hamza u ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kuvendit dhe ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ta thërrasin seancën dhe deputetët të votojnë ligjin në lexim të dytë.
“Unë i bëj ftesë zotit Kurti, Kuvendit, zonjës Haxhiu me e thirr seancën, me na thirr deputetëve, me e aprovu ligjin në lexim të dytë. Normalisht, janë çështje të ndara. Ka koinciduar, vendi ka mujt me pas presidentin andej, kërkesa jonë është me u miratu ligji”, u shpreh Hamza.

