Enj. Nën 13th, 2025

Baraliu: Rivotimi në Mitrovicë bëhet vetëm nëse cenohet integriteti në pjesë të madhe të vendvotimeve

Profesori, Mazllum Baraliu ka thënë se kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për rivotim në Komunën e Mitrovicës mund të shqyrtohet vetëm nëse provohet se është cenuar integriteti i procesit zgjedhor në një numër të madh vendvotimesh.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Baraliu ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të zbatojë ligjet dhe rregullat ekzistuese, dhe se rivotimi nuk mund të bëhet pa prova të qarta.

“PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht, mirëpo KQZ-ja ka rregulla dhe ligje që duhet t’i zbatojë. Rivotimi në një komunë bëhet vetëm atëherë kur ka fakte, prova e dëshmi që është cenuar substanca e integritetit në një pjesë të madhe e të rëndësishme të vendvotimeve, që ndikon edhe në rezultatin e kandidatëve”, ka deklaruar Baraliu.

Ai ka sqaruar se KQZ-ja nuk mund të lejojë kthimin prapa të procesit zgjedhor për çështje që janë lehtë të verifikueshme, pasi ekzistojnë mekanizma kontrolli në çdo qendër votimi.

“Ekziston libri i nënshkrimeve të çdo votuesi që krahasohet me fletëvotimet në kuti. Nëse ka përputhshmëri, procesi është në rregull dhe nuk ka nevojë për rivotim. Por nëse ka mospërputhje, votat shpallen të pavlefshme, siç ndodhi me ato 75 vota. Një gabim teknik prej 1 apo 2% nuk mund të konsiderohet shkelje e integritetit të procesit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, gabimi në fletëvotimet në Mitrovicën e Jugut nuk ka ardhur nga institucionet vendore, megjithatë ai e ka quajtur KQZ-në bashkëpërgjegjëse.

“Është me rëndësi që gabimi nuk ka qenë nga institucionet e Kosovës, por nga kompania që ka përgatitur materialin zgjedhor. Megjithatë, KQZ-ja është në njëfarë mënyre bashkëfajtor, sepse është dashur të mos lejojë asnjë gabim. Shpresoj që ky rast të mos e dëmtojë procesin në përqindje të madhe”, ka përfunduar Baraliu.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në Mitrovicë të organizohet rivotim për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë procesit të votimit dhe numërimit.

Lidhur me këtë, PDK-ja ka dorëzuar më 11 nëntor ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ‘mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës’.

Sipas njoftimit të PDK-së, ky veprim është kryer në përputhje me ligjin dhe me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së lirë të qytetarëve.

PDK ka theksuar se do të ndjekë me përgjegjësi të gjitha procedurat ligjore, për të siguruar që rezultati përfundimtar të reflektojë vullnetin real të qytetarëve të Mitrovicës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën (11 nëntor) Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, i cili u ndërpre më 10 nëntor pas raportimeve për parregullsi.

Prokuroria tha se vendimin e mori pasi kompania sllovene CETIS, mori përgjegjësinë për një gabim në printimin e fletëvotimeve.

Ajo tha se kompania “ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *