Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar caktimin e seancave përfundimtare nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, tha se kjo nënkupton se procesi gjyqësor është drejt përfundimit dhe se vendimi në shkallë të parë mund të jepet në pjesën e parë të këtij viti. Në një intervistë për RTV21, Bajraktari tha se pala mbrojtëse, në raport me Prokurorinë, është në avantazh.
“Kjo është faza e fundit në të cilën palët mund të paraqesin pikëpamjet e tyre në lidhje me akuzat, mbi të gjitha në lidhje me provat, materialet, si dhe relevancën, përkatësisht besueshmërinë e tyre. Në këtë drejtim, unë kam përshtypjen se pala mbrojtëse, në raport me Prokurorinë, ndodhet në avantazh të madh sa i përket besueshmërisë, si të dëshmitarëve, ashtu edhe të dokumenteve të tjera, në drejtim të kundërargumentimit të suksesshëm të tezave të Prokurorisë. Për çka unë jam i bindur se deri më tash nuk është arritur të argumentohen dy prej elementeve esenciale, siç janë çështja e hierarkisë komanduese dhe ushtrimi efektiv i kontrollit, të cilat janë dy nga bazat themelore që do të mund t’i bënin përgjegjës ish-krerët e UÇK-së.”
Avokati Bajraktari tha se pas përfundimit të kësaj faze, kryetari i trupit gjykues e deklaron çështjen të mbyllur dhe, rrjedhimisht, kalohet në fazën e shqyrtimit të materialit dhe të bërjes publike të vendimit. Sipas dispozitave të Rregullores së Procedurës dhe Provave, trupi gjykues ka mundësi që brenda tre muajve, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë kur lënda është voluminoze, të nxjerrë vendimin, çka nënkupton se në pjesën e parë të këtij viti mund të pritet epilogu në shkallë të parë.

