Njohësi i çështjeve politike Azem Vllasi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar në Konventën e mbajtur të hënën.
Në një prononcim për IndeksOnline, Vllasi vlerëson se ndryshimet në krye të PDK-së pikërisht në këtë moment, para vendimit përfundimtar për shpalljen e zgjedhjeve të reja janë tregues se brenda partisë po ndodhin lëvizje të pazakonta.
Sipas tij, mbetet e paqartë pse u bë një ndryshim kaq i shpejtë dhe i ngutshëm, duke theksuar se ky proces lë vend për dyshime.
Aithotë se qëndrimi kritik i Enver Hoxhajt të cilin Vllasi e konsideron ‘figura më serioze politike brenda PDK-së’ – u shpërfill plotësisht, gjë që sipas tij tregon përçarje të dukshme në parti.
“Enver Hoxhaj, njeriu politikisht më serioz në PDK pati qëndrim ndryshe por nuk u përfill. Shpejt do shihet për çka bëhet fjalë”, ka thënë Vllasi për IndeksOnline.
Ai ka paralajmëruar se mund të ndodhë një rebelim i Hoxhajt bashkë me 4–5 deputetë të tjerë të PDK-së.
“Mund të pritet rebelimi i Hogjajt me 4-5 deputetët nga ata të PDK-s dhe me ato 56 vota që ishin për Kurtin, të votohet Qeveria Konjufca”, ka thënë Vllasi për IndeksOnline.
Sipas tij, me mbështetjen e 56 deputetëve që votuan më herët për Albin Kurtin nuk përjashtohet mundësia që të votohet një Qeveri e udhëhequr nga Glauk Konjufca.
Tutje Vllasi madje përmend se në këtë skenar, tre votat e Fatmir Limajt mund t’i bashkohen grupit të Hoxhajt, gjë që sipas tij do të shmangte zgjedhjet e reja dhe do të zhbllokonte skenën politike pas dhjetë muajsh ngërç.
“Kjo do të ishte më e mira për Kosovën, sesa të shkohet në zgjedhje të reja me të njëjtat fytyra që po e mbajnë shtetin të bllokuar. Nëse ndodh një qeveri e tillë, Hoxhaj dhe Limaj do të kishin meritën që e nxorën vendin nga kriza”, është shprehur Vllasi.
Ai vlerëson se Konjufca si kryeministër ‘nuk do të ishte zgjidhje e keqe’.

