27 vjet më parë, Serbia kishte vrarë gjashtë të rinj serbë në një lokal në qytetin e Pejës në mënyrë që faji të vihej te shqiptarët. Megjithatë për rastin e njohur si “Panda”, avokati Arbër Jashari thotë se autorët e krimit asnjëherë nuk u vënë para përgjegjësisë.
Megjithëkëtë, Jashari thotë se rasti “Panda” është një mësim historie që Kosova nuk guxon ta harrojë.
“Rasti “Panda”, një mësim historie qe Kosova nuk guxon ta harrojë. Sot bëhen 27 vjet nga rasti “Panda”. Vrasja e gjashtë të rinjve serbë, rreth tri dekada më parë, në një lokal në qytetin e Pejës, e kryer nga vetë shteti serb me qëllim që fajësia t’u hidhej shqiptarëve, shpërfaq më së miri mendësinë e një politike të rrezikshme, barbare dhe djallëzore të këtij shteti ndaj shqiptarëve. Ky është një mësim historie që Kosova nuk guxon ta harrojë kurrë. Se krimi u krye nga serbët, e kishte pranuar rreth dy vjet më parë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, mbetet për keqardhje fakti që autorët e këtij krimi, ndonëse të njohur nga shteti, nuk janë vënë kurrë para përgjegjësisë”, ka shkruar Jashari.

