Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Kuvendi njofton se në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion është formuar grupi punues për shqyrtim të aplikacioneve për anëtarë të KGJK

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e radhës e Komisionit për Legjislacion.

Në njoftim thuhet se në këtë mbledhje u formua grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e radhës, kryesuar nga Përparim Gruda, kryetar”.

Nagavci: Kosova ka nevojë për të dhëna institucionale të sakta për luftën e fundit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar lidhur me ekspozitën për masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e të dhënave institucionale të besueshme.

“Shprehim solidaritetin dhe bashkëndjejmë me familjarët e viktimave, por gjithashtu kjo situatë tregon se akoma na duhet punë që të kemi të dhëna të sakta dhe institucionale”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se gjatë vizitës së ekspozitës së bashku me kryekuvendaren Albulena Haxhiu, diskutuan rëndësinë e saktësisë së të dhënave dhe përparimin që ka sjellë funksionalizimi i Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës.

“Është e rëndësishme që të kemi të dhëna të sakta, dhe fatmirësisht tashmë kemi Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit, i cili u miratua dhe u funksionalizua gjatë qeverisë Kurti”, përfundoi ajo.

Parashikimi i motit (30 mars – 03 prill 2026) Sipas IHMK

Java e ardhshme parashihet të jetë kryesisht e vranët dhe me reshje shiu në gjithë territorin e vendit. 🌧️
👉 Të mërkurën dhe të enjten reshjet priten të jenë më intensive, ndërsa ditët e tjera do të dominohen nga vranësira me reshje më të dobëta.
🌱 Agrometeorologjia
Këto kushte konsiderohen të favorshme për bujqësinë:
• 🌡️ Nuk priten temperatura negative (pa rrezik ngricash)
• 💧 Lagështia ndihmon tokën dhe rritjen e bimëve
• 🌿 Krijohen kushte të mira për kulturat pranverore
👨‍🌾 Këshillë për bujqit:
Shfrytëzoni këtë periudhë për:
• punimin e tokës
• mbjellje të reja
• kujdes për bimët (sidomos pemët)

📅 Parashikimi ditor

🌥️ E hënë
• 🌡️ Min: 3–5°C | Max: 6–9°C
• 🌧️ Vranët, vende-vende me riga shiu
• 🌬️ Erë nga verilindja: 1–8 m/s

☁️ E martë

• 🌡️ Min: 1–3°C | Max: 6–9°C
• 🌧️ Vranët, vende-vende me riga shiu
• 🌬️ Erë nga veriperëndimi: 1–7 m/s

🌧️ E mërkurë
• 🌡️ Min: 1–4°C | Max: 5–7°C
• 🌧️ Vranët me reshje shiu
• 🌬️ Erë nga veriperëndimi: 1–8 m/s

🌧️ E enjte
• 🌡️ Min: 1–4°C | Max: 7–9°C
• 🌧️ Vranët me reshje shiu
• 🌬️ Erë nga veriperëndimi: 1–9 m/s

🌦️ E premte
• 🌡️ Min: 1–4°C | Max: 8–11°C
• 🌧️ Vranët me riga shiu
• 🌬️ Erë nga verilindja: 1–7 m/s

Ngritja e jashtëzakonshme e Fisnik Asllanit brenda një viti: Nga Bundesliga 2 te kalimi i mundshëm te Barcelona si dhe afër Kupës së Botës me Kosovën

Futbollisti që po shkëlqen më së shumti nga Kosova në Evropë është padyshim qendërsulmuesi i Hoffenheimit Fisnik Asllani.

Ylli i skuadrës gjermane përpos që po e ndihmon Kosovën të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës 2026, edhe po kërkohet nga top gjigantët evropianë si Barcelona, Bayern Munich e Borussia Dortmund.

Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy është përparimi më i madh që ka bërë Fisnik Asllani, atë brenda vetëm një viti.
Para një viti, Asllani ishte duke luajtur për Elvsbergun në Bundesliga 2, me shpresën për ta kompletuar objektivin – kualifikimin në elitën e futbollit gjerman, gjë që s’e arritën në sfidën e fundit.

Sidoqoftë pas atij sezoni, Asllani vendosi të qëndrojë te Hoffenheimi edhe pse kishte disa oferta, vendim që rezultoi të jetë më i duhuri ngase e fitoi vendin e titullarit si dhe u bë sulmuesi më i mirë– për ta “larguar” Mërgim Berishën, lojtarin që e refuzoi Kosovën.

Edhe statistikisht Asllani qëndron tepër mirë, ku ka shënuar tetë gola e dhuruar pesë asistime në 26 paraqitje për Hoffenheimin.

Falë këtyre paraqitjeve pozitive, Asllani ka fituar vëmendjen e tre gjigantëve evropianë si Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund që po e konsiderojnë seriozisht si transferim i mundur në verë – kurse presin t’ia aktivizojnë klauzolën e lirimit prej 25-30 milionë eurove.

Lushaku: Nëse VV-së i mungon vullneti për një marrëveshje, LDK e gatshme për zgjedhje të reja

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se, nëse VV-së i mungon vullneti për një marrëveshje, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja.

Lushaku theksoi se partia e saj e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojë të mbajë qasje bashkëpunuese në dialogun politik për zgjedhjen e presidentit.

“Ne tani jemi në një situatë të re, ku Gjykata Kushtetuese ka dhënë interpretimin e saj dhe ka dhënë sqarime për disa pika, dhe ne, si parti, e kemi pranuar vendimin si të tillë dhe vazhdojmë qasjen tonë, ashtu si para vendimit, që të jemi bashkëpunues dhe të marrim pjesë në dialog. Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale dhe të mos cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit tonë. Ne do të japim kontributin tonë për aq sa është përgjegjësia jonë, por nuk duhet harruar se përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe, që ka numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti”.

“Prandaj, nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve, për çka LDK-ja është e gatshme, e bashkuar dhe unike për të shkuar drejt zgjedhjeve. Qytetarët kanë votuar që VV ta ketë qeverisjen, por jo edhe presidentin”, tha ajo.

Sela për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë: Arsyetime boshe dhe banale

Arsyetime boshe dhe banale, i ka quajtur Ziadin Sela justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë, në kuadër të projektit për Korridorin 8.

Sela tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e Liqenit të Ohrit.

“Nëse duhet të flasim për UNESCO-n, duhet të flasim për objektet pa leje, të cilat janë me mijëra në Liqenin e Ohrit, në qytetin e Ohrit dhe Strugës.

Nëse flasim për zonën e UNESCO-s, ku në kontekst më tepër vendoset Struga sesa Ohrit, duhet thënë një e vërtet se Korridorit 8, nga Trebenishta në Qafë Thanë, në të gjithë këtë trajektore, nga Liqeni i Ohrit është së paku në vijë ajrore larg 1 km, nëse flasim për segmentin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Ohrin, ky segment, kjo linjë ajrore e afërsisë së autostradës me Liqenin e Ohrit, ka vende ku kjo distancë nuk është as edhe dhjetëra metra. Kështu që është e qartë, është vazhdimësi i një politikëbërje të sëmurë”, tha Sela.

Sela i bëri thirrje faktorit politik shqiptar në pushtet dhe faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë vendim.

Lidhur me vulat e partisë ASH, Sela tha se do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Apelit për të marrë emrin e partisë Aleanca për Shqiptarët.

Sela tha se ka krijuar një parti rezervë, që pavarësisht vendimit gjyqësor, të mund të garojë në zgjedhje pa u varur nga, siç thotë ai, vulat e partive të tjera.