Hën. Mar 30th, 2026

Radio Dodona

Osmani: Izbica është kujtesë që nuk guxon të zbehet, thirrje që drejtësia të mos vonojë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakra e Izbicës, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Në mesazhin e saj, Osmani theksoi se Izbica nuk përfaqëson vetëm dhimbjen dhe çmimin e lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet kurrë dhe një thirrje të vazhdueshme që drejtësia të mos vonojë.

Ajo rikujtoi se 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat serbe, ndër ta edhe foshnja 6-muajshe Dafina Qelaj, një simbol i pafajësisë së shuar në mënyrë barbare. Sipas presidentes, këto krime u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit shqiptar dhe si të tilla duhet të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore.

“Krimet e Serbisë duhet të përballen me drejtësinë. Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet”, theksoi Osmani.

Në përfundim të mesazhit të saj, presidentja bëri thirrje për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përkushtim të vazhdueshëm në kërkimin e drejtësisë për viktimat

Kliko ketu per postimin e plote

Komuna e Prishtinës largon ekspozitën për masakrat, Braha: Përmbajtje e pasaktë dhe e pavërtetë

Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka konstatuar përmbajtje të pasaktë në disa prej materialeve të ekspozuara.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se vendimi për largimin e ekspozitës ka ardhur pas revokimit të lejes për shkak të pasaktësive që, sipas tij, kanë ndikuar në kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik.

“Komuna e Prishtinës ka revoku pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri me datën 7 prill, në përkujtim të masakrave që kanë ndodhë në Kosovë. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë kriju një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik. Prandaj e kemi revoku edhe sot është marrë menjëherë aksioni për heqjen e tyre nga sheshi”, tha ai.

Ai shtoi se komuna nuk kishte bërë paraprakisht verifikim të materialeve të ekspozuara.

“Jo, ne s’kemi bo kontroll të materialeve. Nuk kemi censurë, nuk jemi Gestapo për me bo diçka të tillë. Materialet kanë qenë të financuara ose të sponzorizuara edhe nga institucionet tona shtetërore, prandaj s’e kemi pa të arsyeshme me hy në detaje të tilla. Edhe nuk e kemi mendu që dikush prej shoqërisë tonë mundet me shku në nivele të tilla që me dhënë të pavërteta kaq të ndjeshme”, tha ai.

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, tha se përmbajtja e ekspozitës nuk përputhet me realitetin që ai dhe të tjerët e kanë përjetuar.

“I kom përjetuar me shokë e dashamirë, krejt çka i kom pas atje. Edhe kjo ekspozitë që e ka qitën në reklamë, nuk përputhet në atë kuptimin me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne e kemi përjetuar live këto. Çdo send që kemi pas, kanë qenë paramilitarë që kanë kryer krimin e parë në atë kuptimin, që e kanë bo masakrën e Dubravës mbi 144 janë të vrarë, dhe 200 e diçka janë të plagosur, pa këmbë, pa veshë, pa sy, e pa krejt. Ai si e deklaroj, si e demantoj, kishe që prej Natasha Kandiqit e ka marrë prej asaj shkinës, m’fal n’shprehje. Kërkoj falje, po Është puna që më interesant ajo se na që jemi live edhe që kemi mbijetuar edhe që jemi live të masakrës së Dubravës”, tha ai.

Ai shtoi se viktimat nuk kanë qenë të armatosura dhe se ngjarja është dokumentuar edhe nga burime ndërkombëtare.

“Përkundrazi, kanë qenë paramilitarë të armatosur. Janë edhe incizimet e NATO-s, se më së pari edhe prej NATO-s i kemi bombardimet e para që janë bo 22 janë prej NATO-s që kanë gjuajt, por janë satelitorë, krejt ato edhe kam qenë edhe në Strasburg, kam qenë për para 3 viteve kom qenë, që më kanë thënë që nuk ka, veç duhet shteti me bo. Ne me pas qenë(të armatosur), në atë kuptimin, kishim bo diçka me shpëtu vetën. Por asnjë send se kemi pas. Tre herë kam qenë unë vet në pushkatim edhe kam nejt nëpër xhenaze të të vrarëve aty. Edhe që kemi pas, kemi pas shumë tortura të mëdhaja që s’ta merr mendja, që gjuajshin qaq që s’mujsha me parashiku çfarë gjuajtje bëjshin. Edhe çfarë masakre bëjshin”, tha ai.

Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.

Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.

Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.

Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.

Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista

Sulmohet baza ajrore në Arabinë Saudite, 10 ushtarë amerikanë të plagosur

Të paktën 10 pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane janë plagosur në një sulm iranian ndaj bazës ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite, bëri të ditur një zyrtar amerikan për CNN. Nuk raportohet për viktima.

Të paktën dy nga të plagosurit kanë marrë plagë nga copëzat e raketës së interceptuar, të cilat nuk konsiderohen kërcënuese për jetën, ndërsa disa ushtarë të tjerë janë “prekur” nga sulmi, megjithëse natyra e dëmtimeve të tyre nuk është ende e qartë.

Gjithashtu, është dëmtuar edhe një avion cisternë për furnizim me karburant në ajër.

Puntorët e Komunës heqin nga sheshi tabelat e ekspozitës me pasaktësi për viktimat

Punëtorët e Komunës së Prishtinës kanë hequr sot të gjitha tabelat e ekspozitës për masakrat e ndodhura në Kosovë, pasi në to janë evidentuar pasaktësi të mëdha.

Ky aksion i Komunës ishte paralajmëruar sot përmes një komunikate për media.

Kreu i Komunës Perparim Rama të premten mbrëma kishte thënë se s’ka vend për një ekspozitë të tillë në sheshin e Prishtinës.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PDK-së për pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte kontestuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, lidhur me një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji – për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Rasti lidhet me njoftimin publik të ZRRE-së të datës 12 mars 2025, që parashihte vazhdimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, duke obliguar konsumatorët jo-familjarë që nuk i plotësojnë kriteret për shërbim universal të kalojnë në tregun e lirë, shkruan IndeksOnline.

PDK-ja kishte iniciuar padi për anulimin e këtij vendimi dhe njëkohësisht kishte kërkuar pezullimin e zbatimit të tij përmes një mase të përkohshme.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, PDK pretendoi shkelje të të drejtave themelore, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke u thirrur në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tyre, vendimet gjyqësore kishin qenë të paarsyetuara dhe të bazuara në interpretim të gabuar të ligjit.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesa është “qartazi e pabazuar”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se: Gjykatat e rregullta kishin dhënë interpretime të arsyeshme dhe jo arbitrare të ligjit; vlerësimi i provave dhe fakteve është kompetencë ekskluzive e gjykatave të rregullta; vendimi i Gjykatës së Apelit përmbante arsyetim të mjaftueshëm, duke trajtuar çështjet thelbësore të ngritura nga pala kërkuese.

Ky është vendimi i plotë:

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me njoftimin publik të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të 12 marsit 2025 mbi vazhdimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, përmes të cilit konsumatorët jofamiljarë që nuk plotësonin kriteret për shërbim universal duhet të kalonin në tregun e lirë. Parashtruesi i kërkesës (PDK), ushtroi padi në Gjykatën Themelore për anulimin e vendimit të ZRRE-së që refuzonte kundërshtimin e tyre administrativ, duke kërkuar njëkohësisht shtyrjen e ekzekutimit të këtij njoftimi/vendimi. Parashtruesi pretendoi se ky proces do t’u shkaktonte bizneseve dhe qytetarëve dëme të mëdha dhe të pariparueshme financiare. Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit të 4 korrikut 2025, e refuzoi kërkesën për masë sigurie (shtyrje të ekzekutimit) me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore dhe se liberalizimi nxit konkurrencën. Ky vendim u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit më 30 korrik 2025, e cila vlerësoi se dëmi i pretenduar monetar mund të kompensohet nëse vërtetohet paligjshmëria në fund të procesit.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të drejtat e Njeriut, si dhe nenet 32, 54 dhe 119 të Kushtetutës. Shkeljet i argumenton si rezultat i: (i) zbatimit të gabuar të ligjit dhe (ii) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, veçanërisht lidhur me mospërfshirjen e raporteve të ZRRE-së dhe opinionit të Avokatit të Popullit në vlerësimin e gjykatave.

Gjykata, pasi konfirmoi aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës për këtë procedurë paraprake, shqyrtoi pretendimet e parashtruesit. Lidhur me pretendimin për (i) zbatim të gabuar të ligjit, Gjykata vlerësoi se interpretimet e gjykatave të rregullta mbi kriteret e nenit 100 të LKA-së nuk ishin arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, duke theksuar se vlerësimi i provave është kompetencë e gjykatave të rregullta. Për sa i përket (ii) mungesës së arsyetimit, Gjykata gjeti se Gjykata e Apelit i kishte adresuar çështjet thelbësore dhe kishte dhënë arsye pse kriteret për masë sigurie nuk ishin plotësuar. Si rezultat, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës

Dorëzohet në polici Fazli Ndrecaj, i kërkuar për 500kg drogë

Është dorëzuar në polici në stacionin policor të Suharekës i dyshuari Fazli Ndrecaj, i cili deri më tani ka qenë në kërkim.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai bëri të ditur se i dyshuari është dorëzuar në stacion i shoqëruar nga avokati i tij sot rreth orës 19:30.

“I njëjti dyshohet për vepra penale që lidhen me shitjen dhe posedimin e lëndëve narkotike. Menjëherë është njoftuar Njësia e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, e cila, në konsultim me prokurorin, do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme ligjore”, njoftoi Bytyqi për IndeksOnline.

Fazli Ndrecaj ishte në arrati që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

I njëjti është i dyshuar në rastin e 500 kilogramëve narkotikë, konkretisht veprat penale “kultivimin e bimëve narkotike, blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të substancave psikotrope”, si dhe “mbajtjen e paautorizuar të armëve”.