Hën. Mar 30th, 2026

Radio Dodona

Prokuroria Speciale nis hetimet për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka njoftuar se po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Sipas njoftimit, Prokuroria do t’i nënshtrojë çështjen një vlerësimi të detajuar për të përcaktuar nëse ekspozita përmban elemente që mund të sjellin përgjegjësi penale, në përputhje me kompetencat ligjore dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit.

Ky reagim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë dhe figura publike lidhur me përmbajtjen e ekspozitës dhe ndikimin e saj mbi kujtesën historike dhe ndjeshmërinë kolektive.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të veprojë sipas ligjit dhe se çdo vendim për hapa të mëtejshëm do të njoftohet publikisht

Nga nesër nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

Si çdo vit, ndryshimi nga ora dimërore në atë verore do të ndodhë të dielën e fundit të marsit. Këtë vit, kjo përkon me datën 29, kur akrepat e orës në orën 02:00 duhet të shkojnë një orë përpara dhe të tregojnë 03:00.

Ora e kursimit të dritës do të mbetet në fuqi deri të dielën e 25 tetorit 2026. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë elektrike. Gjatë shtatë muajve të kohës së verës, falë dritës së diellit, kursejmë rreth 210 orë energji.

Në vitet 1970, nën ndikimin e krizës së naftës, shumica e vendeve evropiane filluan ta përdornin këtë metodë për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës.

Që nga viti 1996, Evropa ka një rregullore të përbashkët: në pranverë kthejmë orët një orë përpara, ndërsa në vjeshtë i kthejmë një orë pas. Ndryshimi i parë provë u bë më 1932, nga 6 korriku deri më 1 shtator, kur orët u vendosën një orë përpara.

Ndryshimi i orës, që synon kursimin e energjisë, zbatohet edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por ka shkaktuar debate të shumta.

Kritikët thonë se ndryshimi i orës mund të ndikojë negativisht tek shëndeti, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të sistemit imunitar, sepse ndërpret ciklin normal të trupit. Ata gjithashtu argumentojnë se kursimi i energjisë nuk është gjithmonë i dukshëm.

Nisin përgatitjet për Turqinë, Kosova stërviten në ”Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës është rikthyer në shtëpi, pas fitores historike 4-3 ndaj Sllovakisë.

”Dardanët” nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur përgatitjet për ndeshjen finale të play-offit për kualifikim në Kupën e Botës, ndaj Turqisë, shkruan IndeksOnline.

Nën urdhërat e selektorit Franco Foda, futbollistët e Kosovës sot kanë zhvilluar stërvitje në stadiumin ”Fadil Vokrri”.

Ndeshja Kosovë – Turqi zhvillohet të marten me 31 mars, nga ora 20:45, në stadiumin ”Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku interesimi për ta parë këtë ndeshje është tejet i madh

Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës mbanë mbledhjen e rregullt

Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, e cila u hap dhe u kryesua nga kryetari i Kuvendit, Ajni ef. Sinani.

Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e Kuvendit diskutuan dhe miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, ndërsa u trajtuan edhe çështje të tjera të ngritura nga anëtarët e Kuvendit.

Kjo mbledhje u mbajt pas përfundimit të muajit të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit, periudhë gjatë së cilës u diskutuan aktivitetet dhe angazhimet e realizuara.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij vlerësoi angazhimin institucional gjatë muajit Ramazan dhe angazhimin e përgjithshëm në jetën fetare.
Gjatë kësaj mbledhje, Myftiu Tërnava, veçoi aktivitetet humanitare të shoqatës “Bereqeti”, përmes së cilës janë ndihmuar rreth 30 mijë familje. Ai përmendi gjithashtu angazhimin e departamenteve të ndryshme, përfshirë edhe Departamentin e Gruas.

Në kuadër të mbledhjes, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi raportin e punës së Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për vitin 2025, raportin e Komisionit Financiar të Kuvendit, pasqyrën e të hyrave dhe të dalave nga viti 2025.

Kliko ketu per videon e plote

OVL e UÇK-së: Përgjegjësia për ekspozitën bie mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë

OVL e UÇK-së ka reaguar përmes një komunikate për media, duke thënë se e kundërshtojnë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.

OVL thotë se një ekspozitë e tillë shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri.

Në reagim thuhet se paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe se një qasje e tillë është e papranueshme.

“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë”, thuhet në reagim.

“Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale. Askush nuk guxon të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar”, përfundon reagimi

Bordi i Transparencës në Shqipëri rrit çmimin e naftës dhe të benzinës

Bordi i Transparencës në Shqipëri ka vendosur sërish rritjen e çmimit të karburanteve në mbledhjen e kësaj të shtune.

Çmimi i naftës është rritur nga 203 lekë në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë ka arritur në 181 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit (standardit SSH EN 590) do të jetë jo më shumë se 218 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës do të jetë jo më shumë se 181 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi kanë hyrë në fuqi më 28 mars 2026, në orën 22:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të pasqyrohen ndryshime të tjera të mundshme.

Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të tregtimit të karburanteve të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, njofton Bordi i Transparencës.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg