Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

Ukraina godet rafinerinë e dytë më të madhe të naftës në Rusi

Ukraina ka shënjestruar rafinerinë e naftës ”Kirishi” pranë Shën Petërburgut, duke përdorur dronë luftarakë, si pjesë e një serie sulmesh në infrastrukturën e naftës së detit Baltik, thanë sot autoritetet.

Guvernatori rajonal, Aleksander Drozdenko shkroi në Telegram se kishte pasur dëme në një zonë industriale ”Kirishi”.

”Njëzet e një objekte ajrore armike u rrëzuan mbi zonë”, tha ai.

Telegram raportoi, duke cituar banorët vendas, se kishte zjarre në rafineri.

Sipas burimeve të industrisë, ”Kirishi” është rafineria e dytë më e madhe në Rusi dhe mund të përpunojë 20 milionë tonë naftë në vit.

Trump: Irani kërkoi pauzë shtatëditore të sulmeve energjetike, unë i dhashë 10

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se Irani i kërkoi një pauzë prej shtatë ditësh për të sulmuar centralet energjetike, por ai u dha dhjetë ditë.

Më parë, Trump njoftoi në Truth Social se ka zgjatur për 10 ditë pezullimin e sulmeve ndaj centraleve energjetike iraniane, raporton BBC.

Pauza ishte planifikuar të skadonte nesër, por kjo zgjatje e re do të thotë se pauza do të jetë në fuqi deri më 6 prill.

“Ata kërkuan shtatë ditë dhe unë thashë do t’ju jap 10-të”, u shpreh ai.

Arrestohet i dyshuari për tentativë vrasje në Gjilan, ishte në arrati

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një rast që kishte ndodhur më 18 mars.

Sipas raportit policor i dyshuari është kapur më 26 mars rreth orës 15:50, pasi kishte qenë në arrati që nga dita e incidentit.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.

Me vendim të prokurorit kujdestar, i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejme ligjore

Vazhdon edhe sot seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

Edhe gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Gjatë seancës së djeshme, Naim Murseli ka deklaruar se grabitësi kërkoi vetëm telefonat dhe paratë nga ta.

“Njëri fëmijë ka qenë ulur mbrapa meje, tjetri pas Liridonës. Nëse më kujtohet, nuk kanë qenë të lidhur. Ata kanë dalë nga dera e njëjtë”, deklaroi Murseli.

Po ashtu I akuzuari, Granit Plava para trupit gjykues dha detaje lidhur me ngjarjen që çoi deri në vrasjen e Liridona Ademajt.

Plava tha se me Naim Murselin kishte pasur komunikim përmes telefonit në “Whatsapp”.

“Kemi fol përmes telefonit në Whatsapp dhe Naimi për një moment më ka shkruar: çu se u çum. E kam pa Naimin që me kerr u nis poshtë, nuk e di sigurtë a ka qenë kerri i tij, unë u nisa me shku për Gjakovë, nuk kam bërë as 10 minuta rrugë më ka thirrë në telefon duke më thënë: ku je, ku je…Pas dy tre minutave ka ardh Naimi… Si e ka pa kerrin tem u ndal te unë edhe shpejtë ma ka gju armën edhe ka thënë ik zhduku. Unë e kam dëgju krismën”, tha Plava.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Seanca nis nga ora 09:30.