Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

Oda Amerikane dhe Kusari Lila diskutojnë për reformat për përmirësimin e klimës së biznesit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim pune me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Odës Amerikane, gjatë takimit, Kusari Lila prezantoi vizionin dhe programin e Ministrisë, duke vënë theks të veçantë në prioritetet e politikave publike dhe agjendën legjislative që synon avancimin e kornizës rregullative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në Kosovë. Në këtë kuadër, ajo veçoi projektet kryesore, përfshirë transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja mbi parimet e ekonomisë qarkore.

Një ndër objektivat strategjikë të prezantuar ishte adresimi i deficitit tregtar, përmes mbrojtjes dhe promovimit të prodhimit vendor, përfshirë trajtimin preferencial në kontratat publike. Po ashtu, Ministrja prezantoi ligjet prioritare që janë në proces apo në planifikim, si ligji për çmimet tavan në përgjigje ndaj situatave të krizës, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ligji për pagesat e vonuara, në përputhje me agjendën e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Diskutimet përfshinë gjithashtu ligje të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në biznes, si ligji për tregtinë e brendshme, ligji për cilësinë e derivateve dhe ligji për shoqëritë tregtare.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e AmCham theksuan disa çështje prioritare për komunitetin e biznesit. Në këtë drejtim, u kërkua rishikimi i barrës fiskale për derivatet e naftës, në funksion të reflektimit të zhvillimeve aktuale në zinxhirët e furnizimit dhe shmangies së shtrembërimeve në treg. Po ashtu, u kërkua përfshirja në agjendën legjislative e një akti ligjor që adreson humbjet teknologjike, avullimin e mallrave dhe humbjet e tjera që ndodhin gjatë proceseve të operimit, me qëllim të rritjes së parashikueshmërisë dhe trajtimit të drejtë fiskal për bizneset.

Një tjetër temë e ngritur ishte nevoja për mbështetje më të fuqishme të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), veçanërisht në drejtim të zhvillimit të fuqisë punëtore dhe adresimit të hendekut të aftësive, në përputhje me kërkesat në rritje të tregut.

Ministrja njoftoi edhe për procesin e transformimit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), i cili përfshin mbështetjen për ndërmarrjet e reja, fuqizimin e grave dhe komuniteteve joshumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion. Integrimi i arsimit dual profesional u theksua gjithashtu si një komponent kyç për zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Gjatë diskutimit u trajtuan edhe zhvillimet globale dhe rajonale, përfshirë menaxhimin e krizës së naftës dhe opsionet për Kosovën, hapat drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, thjeshtimin e kornizës ligjore për sektorin minerar, si dhe nevoja për avancim në fushën e kërkimit dhe testimit të zgjidhjeve teknologjike.

Në përmbyllje, Ministrja Kusari Lila theksoi rëndësinë e përgjegjësisë sociale korporative dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe konstruktiv me sektorin privat.

KRU Prishtina ka një mesazh ndaj atyre qe kanë borxhe ndaj saj

Postimi i plotë:

SHTETI mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne?

A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë?

Pagesa e rregullt e ujit nuk është vetëm obligim, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional, për furnizim të qëndrueshëm dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Është koha për veprim

Kurti udhëton për në Francë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Fancës, Emmanuel Macron.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë. Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë një takim dhe drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, thuhet në njoftim.

Stoilkovski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Këshilltari për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në kabinetin e Kryeministrit, Naum Stoilkovski, thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ato ekzistojnë vetëm në mendjet e Venko Filipçes, Jon Frçkovskit dhe atyre personazheve që kanë mbetur në LSDM. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thotë Stoilkovski.

Stoilkovski foli edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri ku theksoi se zgjedhja e tij është hapi më demokratik i ndërmarrë ndonjëherë nga një qeveri drejt Zyrës së Prokurorit Publik.

Siç thotë ai, ky është një njeri me një dosje të pastër.

“Është zgjedhur një njeri me një karrierë të pastër dhe profesionale, i respektuar nga kolegët e tij, propozimi erdhi prej tyre, kandidatura është e tija – ai ka vullnetin, ka dëshirën, nuk është i përfshirë në politikë”, tha Stoilkovski

Ambasada Amerikane në Kosovë uron Dardanët për fitoren historike ndaj Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës e mori fitoren më të madhe në historinë e saj mbrëmë, duke e mposhtur Sllovakinë.

“Dardanët” fituan 4-3 dhe kështu siguruan kualifikimin në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026.

Pas kësaj humbje të rëndë për ta, sllovakët kanë reaguar të dëshpëruar pas ndeshjes.

E fitoren e Kosovës e ka uruar edhe Ambasada Amerikane në Kosovës, përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

“Urime Kosovë për fitoren historike”, ishte përshkrimi i tyre.

Rexhepi: Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka njoftuar se i ka dhënë Kuvendit të Kosovës një afat shtesë prej 34-ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kushtetuesja ka pranuar kërkesat e kryeministrit Albin Kurti në emër të qeverisë dhe të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve, duke vlerësuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit nuk ka asnjë efekt juridik.

Sipas vendimit të gjykatës, deputetët e kuvendit kanë 34 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi për të zhvilluar dhe përfunduar procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë vendim, kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi tha se respekton vendimin e Kushtetueses dhe kërkoi që deputetët dhe partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake për të votuar brenda afatit.

“Respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kemi mundësinë të zgjedhim presidentin e shtetit brenda periudhës 30-ditore, shpresoj që arsyetimi i deputetëve të mbizotërojë dhe që partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake në kohën e krizës së rëndë gjeopolitike botërore dhe të votojnë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht afatit 30-ditor, Rexhepi mendon se vendi mund të shkojë shumë shpejt drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Mendoj se shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat gjithashtu nuk do të sjellin ndryshime të mëdha”, deklaroi Rexhepi.

Në një prononcim për Front Online-n, Emilja Rexhepi, kryetare e NDS-së u pyet për qëndrimin e partisë ndaj kandidatëve të propozuar për president.

Rexhepi tha se nuk do të ketë vota për “cfardo” kandidati.

“Sigurisht nuk do të votoj për këdo, do të shohim se kush do të jetë kandidati, për momentin nga ana e LVV-së është propozuar Glauk Konjufca dhe sigurisht do të votoj për të”, tha ajo.