Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

KRU Prishtina ka një mesazh ndaj atyre qe kanë borxhe ndaj saj

Postimi i plotë:

SHTETI mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne?

A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë?

Pagesa e rregullt e ujit nuk është vetëm obligim, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional, për furnizim të qëndrueshëm dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Është koha për veprim

Kurti udhëton për në Francë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Fancës, Emmanuel Macron.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë. Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë një takim dhe drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, thuhet në njoftim.

Stoilkovski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Këshilltari për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në kabinetin e Kryeministrit, Naum Stoilkovski, thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ato ekzistojnë vetëm në mendjet e Venko Filipçes, Jon Frçkovskit dhe atyre personazheve që kanë mbetur në LSDM. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thotë Stoilkovski.

Stoilkovski foli edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri ku theksoi se zgjedhja e tij është hapi më demokratik i ndërmarrë ndonjëherë nga një qeveri drejt Zyrës së Prokurorit Publik.

Siç thotë ai, ky është një njeri me një dosje të pastër.

“Është zgjedhur një njeri me një karrierë të pastër dhe profesionale, i respektuar nga kolegët e tij, propozimi erdhi prej tyre, kandidatura është e tija – ai ka vullnetin, ka dëshirën, nuk është i përfshirë në politikë”, tha Stoilkovski

Ambasada Amerikane në Kosovë uron Dardanët për fitoren historike ndaj Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës e mori fitoren më të madhe në historinë e saj mbrëmë, duke e mposhtur Sllovakinë.

“Dardanët” fituan 4-3 dhe kështu siguruan kualifikimin në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026.

Pas kësaj humbje të rëndë për ta, sllovakët kanë reaguar të dëshpëruar pas ndeshjes.

E fitoren e Kosovës e ka uruar edhe Ambasada Amerikane në Kosovës, përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

“Urime Kosovë për fitoren historike”, ishte përshkrimi i tyre.

Rexhepi: Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka njoftuar se i ka dhënë Kuvendit të Kosovës një afat shtesë prej 34-ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kushtetuesja ka pranuar kërkesat e kryeministrit Albin Kurti në emër të qeverisë dhe të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve, duke vlerësuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit nuk ka asnjë efekt juridik.

Sipas vendimit të gjykatës, deputetët e kuvendit kanë 34 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi për të zhvilluar dhe përfunduar procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë vendim, kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi tha se respekton vendimin e Kushtetueses dhe kërkoi që deputetët dhe partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake për të votuar brenda afatit.

“Respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kemi mundësinë të zgjedhim presidentin e shtetit brenda periudhës 30-ditore, shpresoj që arsyetimi i deputetëve të mbizotërojë dhe që partitë shumicë shqiptare të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake në kohën e krizës së rëndë gjeopolitike botërore dhe të votojnë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht afatit 30-ditor, Rexhepi mendon se vendi mund të shkojë shumë shpejt drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Mendoj se shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat gjithashtu nuk do të sjellin ndryshime të mëdha”, deklaroi Rexhepi.

Në një prononcim për Front Online-n, Emilja Rexhepi, kryetare e NDS-së u pyet për qëndrimin e partisë ndaj kandidatëve të propozuar për president.

Rexhepi tha se nuk do të ketë vota për “cfardo” kandidati.

“Sigurisht nuk do të votoj për këdo, do të shohim se kush do të jetë kandidati, për momentin nga ana e LVV-së është propozuar Glauk Konjufca dhe sigurisht do të votoj për të”, tha ajo.

Të hënën ndahen 500 mijë euro nga Qeveria pas fitores ndaj Sllovakisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj që pritet të mbahet të hënën do të ndajë 500 mijë euro shpërblim për Kombëtaren e Kosovës.

Kjo pas fitores historike 4:3 ndaj Sllovakisë në ndeshjen e mbrëmshme. Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

”Mirëmëngjesi fitues! Me kërkesë të kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të “dardanëve” do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të qeverisë”, ka shkruar Murati.

Pas fitores ndaj Sllovakisë, Kosova në finalen e “play-off”-it do të luajë kundër Turqisë.

Ndeshja zhvillohet të martën duke filluar nga ora 20:45.