Hën. Mar 30th, 2026

Radio Dodona

Gucati: Ekspozita ka qenë fyerje për ne, falënderoj Ramën për reagimin e shpejtë

Organizata e Veteranvëve të Luftës përmes një konference për media ka reaguar kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” që u shfaq së fundmi në Prishtinë.

Ekspozita e cila mori kritika të shumta për pasaktësitë e detajeve të masakrave që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, u përcjell edhe me reagimin e OVL-UÇK.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati tha se kjo ekspozitë ishte fyerje për këtë organizatë dhe jo vetëm.Ai falenderoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama i cili mori aksion të menjëhershëm për largimin e kësaj ekspozite.

“Ne shoqatat e dalura nga lufta, siç e keni parë dje edhe reagimin kundër kësaj ekspozite që ka ndodhë, që ka qenë në sheshin e Prishtinës. Dua ta falenderoj pa hezitim, Përparim Ramën që ka marrë aksion të shpejtë për t’i larguar, që për ne kanë qenë një fyerje, jo vetëm për neve, por edhe si shoqëri dhe si komb”, tha Gucati.

Tahiri për presidentin: Bllokada intitucionale ka emrin e partisë në pushtet,

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur për çështjen e presidentit, ku sipas tij faji është tek Lëvizja Vetëvendosje.

Ai në konferencë për media tha se partia që udhëheq po dëshiron me marrë edhe pozicionin e Presidentit të vendit.

“Bllokada institucionale në Kosovë ka emër. Ajo është e partisë e cila i ka 66 deputetë, e cila i ka 19 ministri dhe e cila, s’kanë kaluar as një muaj, po ashtu tenton të marrë edhe pozicionin e Presidentit. Aty është bllokada, aty është tendenca për me kriju dhe instalu një autokraci, dhe aty është edhe zgjidhja. Zgjidhje nuk ka dashur ky formacion politik. Po të kishin dashur zgjidhje, po të kishin dashur President unifikues, po të kishin dashur mos me i maltretu edhe një herë 1 milion qytetarë të Kosovës me dalë në zgjedhje, ata veç e kishin ndarë pushtetin”, tha Tahiri.

Tahiri përmendi edhe kohët e mëhershme kur figura të tjera politike kanë gjetur zgjidhje për udhëheqje duke ndarë pushtetin bashkë.

“Pushtetin e ka ndarë Ibrahim Rugova në vitin 2001 me PDK-në edhe AAK-në, duke i fituar gati 50% të zgjedhjeve. Pushtetin e ka ndarë po ashtu në vitin 2004, e kanë ndarë edhe tjerët. Pushtetin e ka ndarë kur ka fituar edhe Hashim Thaçi. Pushtetin e ka ndarë edhe Isa Mustafa. Ramush Haradinaj, të gjithë e kanë ndarë. Ky zotëria s’po do me ndarë, se po don me marrë edhe institucionin e Presidentit. Kjo nuk shkon në demokraci. Pra, adresa se çka po ndodh, pse po bllokohen institucionet, pse jemi në këtë situatë, nuk është e Aleancës as e partive opozitare; është e një subjekti politik që i ka 66 vota në Parlament, 66 njerëz që i ka vendosë në 19 ministri të vetat, tre-dy zëvendëskryeministrat e vet e që i ka 453 njerëz në qeveri. Pra, çështja e bllokadës institucionale, çështja e daljes nga kjo situatë, çështja se a do të shkojmë apo jo në zgjedhje, varet ekskluzivisht nga vullneti i një partie politike: se a do t’i maltretojë qytetarët e Kosovës edhe një herë 1 milion qytetarë me dalë në zgjedhje apo don me ardhë deri te një emër konsensual. A ka mbetë Kosova veç në një kandidat të një partie? Nuk ka mbetë Kosova. Ka Kosova njerëz. Inati i madh, tendenca me i kapë të gjitha institucionet, na ka prurë në këtë situatë ku një botë po qesh me ne, e qytetarët e Kosovës janë në dridhje se çka po ndodh me ta, me çmimet, e bile-bile nuk po shihet se a do të dalin apo jo edhe një herë në zgjedhje”, tha ai para mediave.

Ish-prokurori i Hagës: Kërkesa për 45 vite burg ndaj katërshes së UÇK-së, e pazakontë

Të panevojshëm e të ndikuar politikisht e konsideron Gjykatën Speciale, njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale ndaj ‘kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviqit.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice në intervistën për KosovaPress, flet për kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim me nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së, të cilën e konsideron të pazakontë. Ai deklarohet edhe për akuzat për të cilat ngarkohen ata dhe origjinën e tyre nga raporti i senatorit Dick Marty.

Britaniku Geoffrey Nice thotë se nuk e ka parashikuar ndonjëherë që do të mund të themelohej gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, e aq më pak që të merret me vetëm një grup të caktuar.

Kryeprokurori në rastin e Sllobodan Millosheviqit, rast që nuk mori epilog për shkak se i njëjti vdiq gjatë gjykimit në Hagë, thotë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga gati gjysmë shekulli për secilin nga katërshja e UÇK-së është e pazakontë.

Prokurori i rastit Millosheviq reagon për 45 vitet e kërkuara ndaj UÇK-së.

“Epo, duket një dënim disi i çuditshëm për t’u kërkuar, sepse nuk besoj, nga shumë pak që di, që akuzat ndaj tij janë aq të rënda sa, për shembull, disa nga akuzat e bëra dhe të dënuara, ndoshta me më pak vite burg sesa 45 vite në Tribunalin e ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Juristi britanik 81-vjeçar, Geoffrey Nice, tregon se pas përfundimit të punës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, iu kërkua të shkruante një artikull për “London Revieë of Books”, lidhur me raportin e Dick Marty, i cili, siç edhe e thotë Nice, pretendonte se Hashim Thaçi dhe të tjerët ishin të përfshirë në vrasjen e serbëve.

Se këto ishin vetëm pretendime e thotë edhe sot Nice, ku thekson se akuzat për trafikim organesh janë bërë nga serbët edhe ndaj kroatëve e boshnjakëve.

Juristi ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili dikur ka qenë i përfshirë edhe me institucionet vendore përmes opinioneve të tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se që në fillim kishte ndjerë se kjo gjykatë kishte “qëllime të tërthorta”.

Kësisoj, britaniku i cili ka karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe asaj publike, në intervistën për KosovaPress, thekson se e ka konsideruar që nga fillimi të panevojshëm themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Se cili do të jetë epilogu në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të njohur si gjyqi i madh, Nice thotë se është e vështirë ta parashikohet.

Marrë parasysh që ai ka udhëhequr ndjekjen penale ndaj ‘Kasapit të Ballkanit’, thekson se nuk e ka parashikuar as se ndonjëherë do të mund të themelohet gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-prokurori në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë pyetet edhe nëse konsideron se politika ka ndikim në këtë proces gjyqësor.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, vendi ka qenë vazhdimisht “nën hijen” e kësaj gjykate, thotë Geoffrey Nice. Ai thekson se është e rëndësishme që e vërteta të dokumentohet saktë.

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve që shënojnë edhe fazën përfundimtare të procesit, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë vendim, por ky afat mund të zgjatet me kërkesë të panelit. Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike: Qëllimi ishte të nderohen viktimat

Organizatorët e ekspozitës, së shfaqur së fundmi në Prishtinë: “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Integra dhe Admovere u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave civile të luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Integra dhe Admovere tha se qëllimi i ekspozitës ishte të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.

Ekspozita që mori shumë kritika për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave të Kosovës, është përcjellur me reagime të shumta nga qytetarë dhe figura politike në vend.

“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.”.

Postimi i plotë:

Reagim publik

Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.

Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.

Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.

Me respekt,

Integra dhe Admovere

Muriqi: Turqia favorite meqë ka emra si Guler e Yildiz, por ne luajmë në fushën tonë dhe do ta bëjmë më të mirën

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për mediat turke të HT Spor në prag të përballjes vendimtare ndaj Turqisë, që zhvillohet të martën në Prishtinë në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës.

Muriqi e pranoi se kundërshtari konsiderohet favorit, por theksoi se Kosova do të mbështetet fuqishëm në avantazhin e fushës vendase.

“Pa dyshim që Turqia është favorite. Avantazhi ynë është se luajmë në shtëpi. Ata kanë lojtarë si Kenan dhe Arda, të cilët luajnë edhe në ekipe të mëdha si Real Madridi. Janë vlera të mëdha për futbollin turk, por edhe për futbollin evropian e botëror. Ne do të japim maksimumin dhe do të mundohemi të zbatojmë lojën tonë si ekip për ta arritur objektivin”, deklaroi ai.

Sulmuesi prizrenas foli edhe për rëndësinë historike që do të kishte një kualifikim i mundshëm në Kupën e Botës, duke e krahasuar me një moment të veçantë për vendin.

“Nëse arrijmë të kualifikohemi në Botëror, do të jetë si një pavarësi e dytë për ne. Të gjithë janë shumë të emocionuar dhe plot shpresë”, u shpreh Muriqi.

Ai gjithashtu la të kuptohet se ky mund të jetë një nga ciklet e fundit të tij me fanellën e Kosovës, duke pasur parasysh moshën dhe ambiciet personale.

“Në prill do të mbush 32 vjeç. Nëse arrijmë të shkojmë në Kupën e Botës dhe të bëjmë një rrugëtim të mirë, mendoj se do të jetë momenti i duhur për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren”, përfundoi kapiteni i Kosovës.

Dalin në shitje biletat për ndeshjen miqësore Ukrainë-Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, në Valencia.

Çdo tifoz mund të blejë deri në katër bileta për këtë takim. Emri dhe mbiemri i vendosur gjatë procesit të blerjes duhet të përputhen me dokumentin e identifikimit. Në rast se gjatë kontrollit të sigurisë konstatohet mospërputhje e të dhënave, hyrja në stadium mund të refuzohet.

Biletat nuk mund të ndërrohen dhe nuk rimbursohen. Nuk ka kufizime moshe për tifozët dhe çdo person që ndjek ndeshjen duhet të pajiset me biletë, përfshirë edhe fëmijët. Çmimi i biletës është i njëjtë për të gjitha grupmoshat.

Portat e stadiumit do të hapen dy orë para fillimit të ndeshjes. Tifozët këshillohen të kontrollojnë numrin e rreshtit dhe tribunën në biletë për të orientuar më lehtë hyrjen në stadium.

Biletat mund të blihen direkt online në këtë link:

Bli biletën e ndeshjes Ukrainë – Shqipëri .Kliko ketu per postimin e plote