Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

Dorëzohet në polici Fazli Ndrecaj, i kërkuar për 500kg drogë

Është dorëzuar në polici në stacionin policor të Suharekës i dyshuari Fazli Ndrecaj, i cili deri më tani ka qenë në kërkim.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai bëri të ditur se i dyshuari është dorëzuar në stacion i shoqëruar nga avokati i tij sot rreth orës 19:30.

“I njëjti dyshohet për vepra penale që lidhen me shitjen dhe posedimin e lëndëve narkotike. Menjëherë është njoftuar Njësia e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, e cila, në konsultim me prokurorin, do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme ligjore”, njoftoi Bytyqi për IndeksOnline.

Fazli Ndrecaj ishte në arrati që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

I njëjti është i dyshuar në rastin e 500 kilogramëve narkotikë, konkretisht veprat penale “kultivimin e bimëve narkotike, blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të substancave psikotrope”, si dhe “mbajtjen e paautorizuar të armëve”.

Kurti në Paris: Macron i jep mbështetje të fortë Kosovës për integrim dhe siguri në Evropë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitë dhe takim me drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili e mirëpriti në Pallatin Elize në Paris.

Presidenti Macron e uroi edhe njëherë Kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, e Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

U theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.

Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë. Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan.

Gjithashtu, u bisedua për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë. Në këtë kontekst, Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.

Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës

Pushtimi amerikan i Iranit do të fillojë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Gazetari libanez, Hasan Illaik ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, një pushtim amerikan ndaj Iranit, nëse Donald Trump vendos për një hap të tillë, mund të nisë nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gazetari libanez, i cili për shumë vite ka punuar për gazetën libaneze Al-Akhbar, e cila lidhet me Hezbollahun, ka theksuar se Irani informacionet për “rrugën” e mundshme të sulmit i ka marrë nga një shtet i madh.

“Të dhënat e inteligjencës që Irani ka marrë nga një shtet i madh tregojnë për fillimin e afërt të një pushtimi amerikan ndaj ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, i cili do të zhvillohet nga territoret nën kontrollin e regjimit të Emirateve. Këshillë për miqtë në EBA: Kur të fillojë ky invazion, largohuni shpejt nga vendi, në rrugë tokësore, drejt Omanit ose Arabisë Saudite. Fillimi i këtij pushtimi do ta bëjë përgjigjen iraniane ndaj regjimit të Emirateve diçka që asnjë sy nuk e ka parë, asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë mendje e Bin Zayed nuk e ka imagjinuar. Dimri po vjen për shtëpinë Nahyan”, ka deklaruar gazetari, duke iu referuar familjes sunduese në Emirate.

MINUTË PAS MINUTE – Lufta në Iran dhe në Lindjen e Mesme, gjithçka ndodhi deri më tani

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump të enjten ka deklaruar se bisedimet me Iranin po vazhdojnë dhe, me këtë qëllim, siç theksoi ai, ka shtyrë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit.

“Me kërkesë të qeverisë iraniane, ju lutem që kjo deklaratë të shërbejë si konfirmim se po e pezulloj periudhën e shkatërrimit të termocentraleve për 10 ditë, deri të hënën, më 6 prill 2026, në orën 20:00 sipas kohës lindore. Bisedimet janë duke vazhduar dhe, pavarësisht deklaratave të pasakta të mediave që përhapin lajme të rreme dhe të tjerëve, ato po shkojnë shumë mirë”, përfundoi ai.

Ndryshe, SHBA-ja pritet të dërgojë mbi 10 mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme.

Kurti në Francë, Vuçiq pretendon se kryeministri mund të kërkojë “shkuarjen e FSK-së” në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij takimi.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar, të enjten mbrëma, se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.
Sipas presidentit serb, Kurti ka shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë e Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Vuçiq pretendon se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.
Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.
“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e Vuçiqit, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Shqetësimet e Kosovës për armatosjen e Serbisë dhe veriu
Pretendimet e Vuçiqit vijnë në një kohë kur autoritetet kosovare kanë shprehur shqetësim pasi Serbia bleu raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina në fillim të muajit.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 mars se Serbia, përmes këtyre blerjeve, po shfaq “tendenca hegjemoniste” karshi vendeve fqinje.
Rreth një javë më vonë, Kurti e akuzoi Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje më 19 mars në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, në kufi me Kosovën.
Ai tha asokohe se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.
Por, misioni i NATO-s në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se ato stërvitjet nuk përbënin rrezik dhe se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi se Forcat e Armatosura të Serbisë do të zhvillonin stërvitje të planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës.
KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.
Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.
Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, nuk ka të drejtë të shkojë në veriun e banuar me shumicë serbe, pa e marrë pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Hera e fundit kur FSK-ja ishte në veri, me pëlqimin e KFOR-it, ishte më 29 korrik të vitit 2025, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një personi që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.
FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet, më 2028.

Erëra të forta dhe dëborë në Kroaci, anulohet mësimi në shkolla

Erëra të forta me shpejtësi deri në 120 km/orë janë regjistruar në Zagreb këtë të premte. Për shkak të kushteve të motit, u pezullua mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Dëme të shumta materiale janë të dukshme në të gjithë qytetin, me pemë të rrëzuara, shtylla ndriçimi të dëmtuara, dhe po ashtu të dëmtuara kanë mbetur çatitë e ndërtesave si edhe automjetet e parkuara anash rrugëve.

Erërat e forta në kryeqytetin kroat dëmtuan edhe linjat e tramvajit.

Ka pasur ndërprerje të transportit hekurudhor, me disa linja të mbyllura dhe me një tren që ka dalë nga shinat. Në bord kishte rreth 40 pasagjerë, dhe sipas informacionit fillestar, tre prej tyre u plagosën lehtë.

Për shkak të borës, janë në fuqi kufizime për lëvizjen në rrugë të kamionëve me rimorkio dhe traktorëve.

Erëra të forta po fryjnë gjithashtu përgjatë bregdetit kroat, ndërkohë që reshjet e mëdha të dëborës kanë sjell bllokim të automjeteve nëpër autostrada.

Haradinaj takohet me Giaufret-in, flasin për zhvillimet politike

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Ai përmes një postimi në Facebook tregoi se me zyrtarin e lartë evropian diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend e rajon.

“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend e në rajon, proceset integruese euroatlantike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Theksova përkushtimin e Aleancës… për avancimin e agjendës evropiane të vendit”.

“Kosova gjatë këtyre viteve ka ngecur në agjendën integruese euro-atlantike, veçanërisht në synimin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, është jetike që ta kthejmë vendin në binarë të sigurt, përmes vendimmarrjes së përgjegjshme dhe forcimit të partneritetit me aleatët tanë”, shkruan Haradinaj.