Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Sela për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë: Arsyetime boshe dhe banale

Arsyetime boshe dhe banale, i ka quajtur Ziadin Sela justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë, në kuadër të projektit për Korridorin 8.

Sela tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e Liqenit të Ohrit.

“Nëse duhet të flasim për UNESCO-n, duhet të flasim për objektet pa leje, të cilat janë me mijëra në Liqenin e Ohrit, në qytetin e Ohrit dhe Strugës.

Nëse flasim për zonën e UNESCO-s, ku në kontekst më tepër vendoset Struga sesa Ohrit, duhet thënë një e vërtet se Korridorit 8, nga Trebenishta në Qafë Thanë, në të gjithë këtë trajektore, nga Liqeni i Ohrit është së paku në vijë ajrore larg 1 km, nëse flasim për segmentin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Ohrin, ky segment, kjo linjë ajrore e afërsisë së autostradës me Liqenin e Ohrit, ka vende ku kjo distancë nuk është as edhe dhjetëra metra. Kështu që është e qartë, është vazhdimësi i një politikëbërje të sëmurë”, tha Sela.

Sela i bëri thirrje faktorit politik shqiptar në pushtet dhe faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë vendim.

Lidhur me vulat e partisë ASH, Sela tha se do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Apelit për të marrë emrin e partisë Aleanca për Shqiptarët.

Sela tha se ka krijuar një parti rezervë, që pavarësisht vendimit gjyqësor, të mund të garojë në zgjedhje pa u varur nga, siç thotë ai, vulat e partive të tjera.

Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët ushtarakë amerikanë

Spanja ka ndaluar avionët ushtarakë të lidhur me operacionet SHBA–Izrael ndaj Iranit që të përdorin hapësirën e saj ajrore, raporton gazeta spanjolle El Pais, sipas Newsweek.

Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez ka mbyllur gjithashtu përdorimin e bazave ushtarake në Rota dhe Moron për avionët amerikanë dhe ka refuzuar planet e fluturimeve të lidhura me sulmet në Iran, duke e quajtur konfliktin “luftë të paligjshme”.

SHBA ka reaguar ashpër, me presidentin Donald Trump që kërcënoi Spanjën me ndërprerje të tregtisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Madridi kanë dhënë deklarata kontradiktore për bashkëpunimin ushtarak.

Irani thotë se ka bllokuar tankera dhe anije mallrash të lidhura me SHBA-në, Izraelin ose aleatët e tyre që të kalojnë të sigurt nëpër ngushticë. Trafiku detar ka rënë me 90 për qind, ndërsa çmimet globale të karburantit janë rritur dhe tregjet e aksioneve janë luhatur, duke rritur presionin mbi SHBA-në për të zhbllokuar situatën.

LDK inicion seancë të jashtëzakonshme për çmimin e lartë të naftës

Lidhja Demokratike e Kosovës iniciuar thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e lartë të naftës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kritikoi qeverinë siç tha neglizhencë në këtë drejtim.

Lushaku pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, foli edhe për zgjedhjen e presidentit, ku shtoi se përgjegjësia kryesore për këtë proces bie mbi LVV-në.

KEDS: Njehsorët elektrikë janë sipas standardeve, mund të ketë devijime të vogla

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS ka reaguar sërish lidhur me akuzat për njehsorët e energjisë elektrike nga të cilët qytetarët janë ankuar se rryma po matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën.

Në njoftim, KEDS thotë se çdo pretendim trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë, duke theksuar se besimi i qytetarëve është thelbësor.

Sipas kompanisë, të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori, duke siguruar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për konsumatorët.

“Të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori duke siguruar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët”, thuhet nga KEDS-i.

KEDS shton se në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla teknike, por çdo shqetësim verifikohet nga ekipet në terren dhe trajtohet sipas procedurave në fuqi.“Në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla teknike, por për çdo shqetësim ekipet tona reagojnë menjëherë, verifikojnë situatën dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme. Në çdo rast kur identifikohet ndonjë parregullsi, ajo trajtohet dhe korrigjohet në përputhje me procedurat në fuqi”.

Në fund, kompania ka bërë të ditur se ka paralajmëruar një konferencë për media të mërkurën, më 1 prill, në ora 15:00, ku pritet të japë sqarime shtesë për këtë çështje.

Rama paralajmëron masa të rrepta: Do të mbyllen të gjitha vendpunishtet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në kryeqytet do të formohet “Komisioni për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishtjeve”, pas shqetësimeve për gjendjen në terren dhe sigurinë publike.

Sipas tij, komisioni i përbërë nga ekspertë të urbanizmit, inxhinierë të licencuar dhe përfaqësues të emergjencave, do të nisë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Prishtinë.

Rama ka theksuar se çdo vendpunishte ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllet menjëherë, ndërsa do t’i nënshtrohet një analize institucionale që mund të çojë deri në revokim të lejes së ndërtimit.

Njoftimi i plotë:

DO TË MBYLLEN TË GJITHA VENDPUNISHTET N’KRYEQYTET!

I shqetësuar me gjendjen aktuale në terren dhe me qëllim të rritjes së sigurisë publike, sot në mëngjes kam ftu drejtorët e Kryeqytetit dhe marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të GJITHA vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit”

Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së

•urbanizmit
•inxhinierë të licencuar
•përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet.

Pas pranimit të këtij raporti, dua të jem shumë i qartë:

Të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë!

Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit!

Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës.

Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin.

Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë: Do të vazhdojnë bisedimet me partitë opozitare për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se Kryeministri Albin Kurti do të vazhdojë konsultimet me partitë opozitare, përfshirë PDK-në dhe LDK-në, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kryeministri Kurti, kryetar i LVV-së tashmë e ka bërë të ditur që do të vazhdojë diskutimet me krerët e partive opozitare, në rast të PDK-së dhe të LDK-së. Ne besojmë, presim që të ketë një marrëveshje dhe të arrijmë të zgjedhim presidentin, po ashtu duke pasë parasysh se janë të panevojshme, të padrejta edhe një palë zgjedhje të reja. Ndërkaq sa i përket nënshkrimeve të deputetëve, paraprakisht e kemi të qartë se kemi edhe së paku 44 deputetë të tjerë të cilët akoma nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre për të zgjedhur presidentin. Ndërkohë, nëse nevojitet një aspekt gjithësisht, një rrugë tjetër në raport me një konsensus i cili mund të arrihet, kjo është një temë që duhet të shqyrtohet pas propozimeve apo diskutimeve konkrete që ne mund të kemi për këtë temë”, tha ajo.