Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Gjykata Kushtetuese merr masën e përkohshme për konstituimin e kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë masën e përkohshme në lidhje me rastin e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Burime te mediave brenda Kushtetueses kanë bërë të ditur se vendimi është marrë pak më parë dhe pritet të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Me këtë vendim, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes, puna e kuvendit mbetet e bllokuar.

Ky hap pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të vendit, duke shtyrë përkohësisht funksionimin normal të legjislativit

KQZ tërheq shortin, kjo është renditja e Partive politike për zgjedhjet komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.

Në bazë të shortit Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të garoj me numrin 105.

Partia Demokratike e Kosovës në fletëvotim të zgjedhjet lokale garon me numrin 191.

Lidhje Demokratike e Kosovës do të garon në zgjedhjet komunale të 12 tetorit me numrin 113.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet komunale të 12 tetori kandidon me numrin ka numrin 174.

Nisma Socialdemokrate me numrin 186 do të garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Alternativa në zgjedhjet komunale të 12 tetorit garon me numrin 103.

Lista Guxo garon me 118 në zgjedhjet lokal të 12 tetorit.

Lista Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të garoj me numrin 170.

Lidhja e Prishtinës me numrin 115.

Kandidati i pavarur për Komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovci në zgjedhjet komunale të 12 tetorit do të kandidojë me numrin 101.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se kjo ngjarje është tregues që kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në manifestimin qendror kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s në Ankara

Me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayip Erdogan, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në manifestimin qendror kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s., i cili u mbajt në Kompleksin e Pallatit Presidencial në Ankara.
Ky manifestim u mbajt nën patronatin e presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, i cili në fjalën e tij vlerësoi jetën, veprën dhe misionin e Muhamedit a.s., duke e përshkruar atë si një kandil të pashuar që vazhdon të ndriçojë botën me shëmbëlltyrën dhe mësimet e tij. Presidenti Erdogan, në këtë natë të bekuar, foli edhe për tragjedinë në Gaza, duke apeluar që kjo luftë e padrejtë ndaj civilëve të pafajshëm të përfundojë sa më shpejt, dhe u lut që paqja të mbretërojë jo vetëm në Gaza, por në tërë botën.
Në fjalën e tij, kryetari i Dijanetit, dr. Ali Erbash, theksoi rëndësinë historike dhe shpirtërore të 12 Rebiul Evelit, ditës së lindjes së Muhamedit a.s., si dhe mesazhet universale që burojnë nga personaliteti dhe misioni i tij profetik. Ai po ashtu theksoi se me rastin e 1500-vjetorit të lindjes së Muhamedit a.s. sipas kalendarit hënor, ky vit është shpallur viti që do t’i kushtohet ndriçimit të jetës dhe shëmbëlltyrës së Muhamedit për familjen.
Në këtë manifestim morën pjesë krerët e bashkësive islame nga mbarë Ballkani dhe nga shumë se dyzet vende të tjera të botës, si dhe personalitete të larta shtetërore dhe fetare. Gjatë aktivitetit u interpretuan edhe kaside, ilahi dhe salavate kushtuar Muhamedit a.s. nga orkestra presidenciale.
Aktivitetet do të vazhdojnë në Konja, ku do të mbahet një Konferencë ndërkombëtare kushtuar jetës dhe porosive të Muhamedit a.s. për familjen.

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dhuron çanta me materiale shkollore në Kosovën Lindore

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpërndau çanta shkollore dhe materiale të tjera përcjellëse për të gjithë nxënësit e dy shkollave fillore të këtyre vendbanimeve, në Banjë të Sjarinës dhe Tupallë të Medvegjës.
Në shkollën fillore të Banjës së Sjarinës dhuratat u shpërndanë në prani të drejtorit z. Sinisha Stankoviç, ndërsa në shkollën fillore të fshatit Tupallë në prani të drejtoreshës znj. Arlinda Kadriu.
Ky aktivitet u mundësua në bashkëpunimin dhe koordinim me imamin e Banjës së Sjarinës, Ilham ef.Hasani, duke u bërë mbështetje konkrete për nxënësit në prag të vitit të ri shkollor.
Me këtë veprimtari, Shoqata “Bereqeti” vazhdon të jetë pranë komuniteteve duke kontribuuar në fushën e arsimit dhe të mirëqenies së fëmijëve.

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e 12 Rebiul-Evelit, ditëlindjes së Pejgamberit a.s.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Sonte, në këtë natë të bekuar të 12 Rebiul-Evelit, ne përkujtojmë lindjen e më të dashurit të Allahut, Pejgamberit tonë, Muhamed Mustafasë a.s., i cili është mëshira e dërguar për mbarë botët.

Kjo natë e shënuar dhe ky muaj i bekuar, i njohur si Muaji i Mevludit, na fton ta përforcojmë besimin tonë, dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit të Allahut.

Pejgamberi a.s. është shembull i përsosur i mëshirës, drejtësisë, përkushtimit dhe moralit më të lartë. Ai është drita që ndriçoi njerëzimin, udhëzuesi që na mësoi si të jetojmë me dinjitet, me adhurim dhe me shpresë. Dashuria për të është pjesë e imanit tonë, ndërsa respekti ndaj tij është rruga drejt afrimit me Zotin. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin fisnik, thotë:“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) si dëshmitar, si përgëzues dhe si qortues; që të thërrasësh njerëzit tek Allahu me lejen e Tij dhe si një dritë ndriçuese.” (El Ahzab, 45-46).

Dashuria e besimtarëve për Pejgamberin Muhamed a.s. është e pakushtëzuar dhe e përhershme. Ajo nuk kufizohet vetëm në fjalë, por manifestohet në adhurim, në ndjekjen e Sunetit të tij dhe në përpjekjen për të pasqyruar moralin e tij në jetën e përditshme. Besimtarët e ndiejnë të Dërguarin a.s. më afër se çdo njeri tjetër, e përmendin me salavate, e nderojnë në zemrat e tyre dhe e shohin si udhërrëfyesin që i lidh me Krijuesin e gjithësisë. Kjo dashuri është një shenjë e fortë e imanit, ashtu siç ka thënë vetë Pejgamberi a.s.: “Askush prej jush nuk beson vërtet, derisa të mos më dojë mua më shumë se prindërit e tij, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”

Përgjatë shekujve, dijetarët dhe ulematë tanë e kanë kujtuar dhe nderuar të Dërguarin a.s. me vepra të vyera, me kaside, mevlude, ilahi dhe libra biografikë, që pasqyrojnë jetën dhe misionin e tij madhështor.

Kështu, dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është bërë pjesë e kulturës sonë fetare dhe shpirtërore. Nata e Mevludit nuk është vetëm kujtim i lindjes së tij, por edhe thirrje për të ecur në rrugën e tij, për të manifestuar me vepra dashurinë ndaj tij, duke u munduar të përqafojmë moralin e tij të lartë dhe mësimet e tij hyjnore.

Prandaj, ftojmë besimtarët tanë, familjet tona dhe institucionet e Bashkësisë Islame që këtë muaj të bekuar ta kalojnë duke e përkujtuar në mënyrën më të mirë Pejgamberin a.s., qoftë në ambientet e shtëpisë, me namaz, dhikër dhe lexim të ilahive, qoftë nëpër institucionet fetare, me ligjërata, manifestime dhe veprimtari që ngjallin dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut.

Urime kjo natë e shënuar, me shëndet, mbarësi e harmoni për të gjithë.

Qoftë i kënaqur Allahu dhe Pejgamberi a.s. me veprat tona!

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava