Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Osmani: Me Kosovën përgjithmonë FITORE….

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar pamje gjatë ndeshjes sonte Kosovë-Suedi, ku vendi ynë arriti të merrte tri pikë.

“FITOREEEEEE! Me Kosovën përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani u pa e pranishme në stadium me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.

Gjithashtu ajo ishte e ulur afër me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe Ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrullah Çekut, njëherit kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit.

Kushtetuesja pezullon përkohësisht afatin për postin e nënkryetarit të kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga komuniteti serb. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.

Sipas aktvendimit të publikuar, masa e përkohshme ka për qëllim të ndalojë rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e kuvendit, i përcaktuar në një nga aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses.

Gjykata vlerëson se kjo ndërhyrje është e nevojshme për të shmangur “rreziqe ose pasoja të pariparueshme” dhe se miratimi i saj është në “interes publik”.

Po ashtu, gjykata thekson se kjo masë nuk paragjykon përmbajtjen përfundimtare të çështjes që është ende në shqyrtim.

Mërgata shqiptare në Gjenevë i jep mbështetje të madhe Arbër Ismajlit

Nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kandidatin për kryetar të Gjilanit Arbër Ismaili, kanë qëndruar në Gjenevë, ku janë takuar me bashkëatdhetarët atje.

Haziri ka falënderuar mërgimtarët në Zvicër, për pritjen e ngrohtë, duke theksuar përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, ndaj vlerave rugoviane dhe vizionit të LDK-së.

“Faleminderit nëndegës së LDK-së në Gjenevë, Naserit, Agimit, Dritonit dhe të gjithë bashkëveprimtarëve, për pritjen kaq të ngrohtë dhe motivuese”, tha Haziri, duke vlerësuar lart angazhimin e strukturave të LDK-së në diasporë.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë për familjen e Besnik dhe Hatixhe Benz në Gjenevë.

“Faleminderit familjes së Besnik e Hatixhe Benz në Gjenevë, për krejt dashninë e mbështetjen për rugovizmin e Kosovën. Ia dhanë atdheut mundin, dijen e djersën. Gjilanit ia dhanë krejt dashninë”, ka thënë Haziri.

Pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve në tubim dhe përkrahja e fuqishme për Arbër Ismajlin dhe listën e LDK113 u cilësuan jashtëzakonisht frymëzuese nga Haziri.

Ambasadori britanik: Jemi partnerë të ndërtimit të shtetit multietnik që nga fillimi, kështu do të vazhdojmë

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se vendi i tij e ka mbështetur Kosovën si një shtet shumetnik dhe se si të tillë do të vazhdojë ta mbështesë.

Deklarata e tij vjen pas zhvillimeve në kuvend ku dështoi të zgjidhej nënkryetari nga komuniteti serb dhe pa të cilin kryetari i ri, Dimal Basha, e shpalli kuvendin të konstituuar.

“Kosova duhet të jetë një vend ku të gjitha komunitetet duan të qëndrojnë, ku ndihen të mirëpritura, ku shohin një të ardhme dhe ku brezat e ardhshëm duan të jetojnë. Jam i bindur se kjo është e mundur dhe se ka shumë njerëz që duan ta arrijnë këtë. Ne jemi partnerë në këtë proces, kemi qenë partnerë që nga fillimi i ndërtimit të një shteti shumetnik dhe do të mbetemi të tillë”, tha ambasadori britanik për mediumin lokal në gjuhën serbe Radio Gorazhdevac gjatë një vizite të tij në Rahovec.

Në këtë prononcim, ai theksoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis komuniteteve në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë Kosovën si një vend shumetnik ku të gjitha komunitetet mund të jetojnë, të lulëzojnë dhe të duan të qëndrojnë. Dhe unë do të vazhdoj të punoj për këtë me të gjitha komunitetet që takoj”, tha Hargreaves.

Ai shtoi se gjatë vizitës së tij të parë në Rahovec, ai ishte veçanërisht i impresionuar nga angazhimi i njerëzve për komunikim të ndërsjellë dhe ruajtjen e komunitetit.

“Është gjithmonë prekëse dhe frymëzuese për mua të shoh sa punëtorë janë njerëzit, sa të gatshëm dhe të aftë janë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të ndiejnë historinë dhe lidhjen e thellë të njerëzve me këtë vend”.

Ambasadoriatje vizitoi kishën e virgjëreshës së shenjtë dhe foli me klerin dhe komunitetin vendës.

“Isha i magjepsur që ende ka një komunitet serb të vogël, por të gjallë dhe shumë komunikues këtu. E di që historia ka qenë e vështirë, por jam i impresionuar që komuniteti vazhdon të jetojë dhe të punojë me fqinjët e tij”, tha Hargreaves.

Duke folur për bisedën e tij me kryetarin e komunës, ai theksoi rëndësinë e bujqësisë dhe kujdesit mjedisor, duke shtuar se ka dëgjuar shqetësimet e tij për ruajtjen e burimeve ujore dhe tokës, për të cilat tha se janë thelbësore për jetën e popullit të Kosovës.

Së fundmi, Hargreaves theksoi se komuniteti ndërkombëtar ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në ruajtjen e bashkëjetesës.

“Po punojmë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi për ta bërë dialogun sa më produktiv të jetë e mundur, por edhe brenda Kosovës – midis komuniteteve dhe institucioneve. Ky është çelësi për ta bërë Kosovën një vend ku të gjithë duan të jetojnë”.

Zëdhënësi i Kurtit: Kuvendi është konstituuar, qeveria në detyrë mbetet funksionale derisa të zgjidhet e reja

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se sipas nenit 30 të Ligjit për qeverinë, ekzekutivi aktual, ndonëse në dorëheqje, vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e veta deri në zgjedhjen e një qeverie të re nga kuvendi.

Deklarata vjen pas rastit që disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe poste ministrore në detyrë, vazhdojnë të qëndrojnë në ekzekutiv edhe pas shpalljes së kuvendit si i konstituuar nga kryeparlamentari Dimal Basha.

Kryeziu madje thotë se kuvendi është konstituuar.

“Kuvendi është konstituuar, por ne ende nuk kemi një qeveri të re të dalë nga ky kuvend, përkatësisht legjislatura e nëntë e kuvendit. Neni 30-të i Ligji për qeverinë e thotë qartë se qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligji, deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga ana e kuvendit. Sa i përket rastit të znj. Haxhiu dhe znj. Rexhepi, ato janë liruar nga detyra në kabinetin qeveritar pasi ato janë zgjedhur nga kuvendi në pozitat e nënkryetarëve të kuvendit dhe kanë detyra dhe përgjegjësi të reja”, tha Kryeziu për RTV21.

Dy të arrestuar në aksionin policor për “fajde” dhe “shpëlarje parash”

Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar B.M dhe Q.M, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “fajde”, “shpërlarje e
parave”, “kanosje” , “falsifikim i dokumenteve” dhe “mashtrim”.

Hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot kanë zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në katër lokacione, shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse të personave të dyshuar, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të trajtojë informacionet dhe dyshimet me profesionalizëm, në mënyrë që të gjithë kryesit e veprave penale të vihen para përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë