Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Rikthehet funksionaliteti i plotë i “Prishtina Parking”

Është rikthyer funksionaliteti i plotë i “Prishtina Parking”.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Ai është shprehur se pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga nesër hyn në fuqi dhe fillon zbatimi i plotë i Rregullores për Rregullimin e Parkingjeve në Kryeqytet.

Postimi i plotë:

Rikthehet funksionaliteti i plotë i “Prishtina Parking”

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga nesër hyn në fuqi dhe fillon zbatimi i plotë i Rregullores për Rregullimin e Parkingjeve në Kryeqytet.

Njoftojmë qytetarët se shfrytëzimi i parkingjeve publike të menaxhuara nga “Prishtina Parking” bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare.

Çdo parkim pa pagesë sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Prishtina, qytet ku hapësira publike u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.

Uji i Badocit vazhdon të mos jetë i pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i pijshëm nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për shkak të pranisë së lartë të manganit, duke apeluar që qytetarët të mos e konsumojnë atë deri në një njoftim të ri.

IKSH ka bërë të ditur se analizat laboratorike të ditëve të fundit kanë treguar vlera të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar në ujin e pijshëm nga Liqeni i Badocit.

“Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për ‘Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu’, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet”, thuhet në njoftim.

Instituti ka apeluar tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, theksohet në reagim.

IKSHPK po ashtu ka kërkuar që qytetarët të përcjellin komunikatat nga KRU “Prishtina” për zonat, emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet.

Tarifat e Trump-it në rrezik, SHBA-të mund të detyrohen të rimbursojnë miliarda

Politika e tarifave doganore e imponuar nga presidenti Donald Trump po sfidohet në gjykata nga disa kompani amerikane, përfshirë edhe një sipërmarrës italian dhe dy gjykata e kanë rrëzuar tashmë.

Vendimi final pritet nga Gjykata e Lartë, ku shumica e gjyqtarëve është konservatore, por kjo nuk garanton fitoren e administratës në betejën e saj tregtare.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka pranuar se nëse Gjykata vendos kundër tyre, departamenti do të detyrohet t’u rimbursojë kompanive rreth gjysmën e tarifave që ata kanë paguar deri tani për importet, një humbje e madhe për Shtëpinë e Bardhë, sidomos në aspektin e imazhit dhe fuqisë politike, por me pasoja të menjëhershme për bizneset amerikane.

Për pesë muaj, pasiguria mbi tarifat ka sjellë ngadalësim të blerjeve dhe ftohje të besimit të biznesit. Për shembull, tarifat 15% ndaj eksportit europian, të parashikuara në deklaratën zyrtare, janë aplikuar në praktikë mes 30 dhe 50% përmes manovrave të doganave amerikane.

Bessent shprehu optimizëm për rezultatin e gjykimit, por theksoi se sfida ligjore qëndron te fuqitë e jashtëzakonshme që Trump pretendon për të vendosur tarifat, të cilat sipas ankuesve tejkalojnë autoritetin e presidentit. Në rast humbjeje, Thesari do të duhet të kthejë rreth 160 miliardë dollarë, por ekzistojnë edhe “shumë rrugë të tjera” për të menaxhuar tarifat, edhe pse kjo do të dobësonte pozicionin negociues të presidentit.

Ngjarjet e paralajmëruara për sot në Kosovë

Ngjarjet e datës 9 shtator:

Punëtori mbi luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformimit: Etika në media gjatë fushatave zgjedhore (Menza “Ramiz Sadiku”, Prishtinë, ora 09:30)

Protestë nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës për rritjen e pagave të punëtorëve të sektorit privat në Komunën e Prishtinës (ora 10:00, Prishtinë QKUK dhe të gjitha QMF).

INDEP organzion tryezë diskutimi në kuadër të projektit “Energy Poverty in Kosovo II( Hotel Sirius, ora 10:00).

Rregullimi i oborrit të Shtëpisë së Moshuarve, në kuadër të 10 vjetorit të Raiffeisen Insurance Broker Kosova, (ora 10:00, Shtepia e të Moshuarve në Prishtinë).

Qendra Barabar hap ekspozitë të fotografisë (Hotel Grand, kati 4, ora 18:00)

LDK në Prizren prezanton programin zgjedhor të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj dhe prezanton kandidatët për Kuvend Komunal të Prizrenit, merr pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, (Platoja e kompleksit EVROPA mbi xhaminë e Sinan Pashes, ora 19:00).

MOTI SOT 09.09.2025 E MARTË

Sot parashikohet mot shumë i nxehtë, i karakterizuar me diell dhe vranësira të pakta.

Era do jetë, me shpejtësi prej 17-49 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 18 gradë Celcius, ndërsa ato maksimale prej 30 deri në 33 gradë Celcius.

Ne Shqiperi

Ditën e martë vendi do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme.
Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, megjithatë nuk do të mungojnë alternime vranësirash, kryesisht në orët e pasdites. Temperatura nga 14 deri 34 grade celcius
💨 Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – jug me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri 8 m/s.
🌊 Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Bie fluksi i mërgimtarëve, deri 10 minuta pritje për dalje nga Kosova

Janë përditësuar të dhënat mbi fluksin në kufi, nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare, aktualisht pritjet për të hyrë në Kosovë janë të shkurtra nga 3 deri në 5 minuta në të gjitha pikat kufitare.

Pritjet të shkurtra raportohen edhe në dalje, ku pritjet më të gjata raportohen deri 10 minuta te Dheu i Bardhë dhe Merdare.

Përditësimi i fundit ishte në ora 07:25 të mëngjesit