Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Thyhet xhami i dritares në ajër, avioni bën ulje emergjente në Itali

Një avion Boeing 737 i nisur nga Djerba në Tunizi bëri një ulje emergjente në aeroportin e Malpensës në Itali, rreth orës 18:00.

Sipas mediave lokale u raportua një dritare e thyer në bordin e fluturimit. Kulla e kontrollit menjëherë lëshoi një thirrje emergjence dhe protokollet e sigurisë u aktivizuan menjëherë.

Zjarrfikësit dhe automjetet e shpëtimit mbërritën në pistë. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe për fat të mirë nuk pati të lënduar.

Skandaloze! Faqja zyrtare e Federatës Spanjolle i referohet Kosovës si “Territori i Kosovës”

Grupmoshat U-21 të Kosovës dhe Spanjës do të zhvillojnë sonte ndeshjen kualifikuese, të vlefshme për Kampionatin Evropian të vitit 2027.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku djemtë tanë do të synojnë të bëjnë befasinë e madhe dhe të marrin fitoren e parë në këto kualifikuese.

Mirëpo nga ana spanjolle, nuk po mund të ikin pa bërë politikë duke ju referuar Kosovës në faqen e tyre me mbishkrimin, “Territori i Kosovës”.

Kjo pasi që Spanja është një nga shtetet që nuk njeh pavarësinë e shtetit tonë.

Telashe të këtij lloji kishim pasur edhe në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2022, në Sevilja ku referoheshim me fusnotë si dhe në konferencën për shtyp, ku një gazetar spanjoll refuzoi edhe të përmendte emrin Kosovë.

Kujtojmë se ndeshja Kosova U21, do ta pres Spanjën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë me ndeshjen që zhvillohet në orën 19:00.

Aksidenti i rëndë në Has, vdes edhe pasagjeri

Ka shkuar në dy numri i viktimave pas aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Golaj të Hasit, ku u përplasen dy automjete top “Benz”.

Nga përplasja humbën jetën dy persona, njëri prej tyre me pasaportë britanike, ndërsa tjetri ishte invalid pune. Automjeti i drejtuar nga N. L. u përplas me mjetin e drejtuar nga N. S., ku ndodhej edhe pasagjeri Z. N.

Përveç dy viktimave, një tjetër person mbeti i lënduar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital.

Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia gjatë drejtimit të mjetit, por ende nuk është përcaktuar se cili prej drejtuesve ka shkaktuar përplasjen fatale. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, raporton Top Channel

Kusari-Lila: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se në rrethanat aktuale politike në Kosovë, zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.

Ajo vlerëson se situata e krijuar në Kuvend ka tejkaluar kuadrin normal institucional dhe nuk ka më hapësirë për kthim në funksionim të zakonshëm.

“Nëse do të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë unë mendoj që në aspektin demokratik dhe të funksionimit institucional, zgjidhja e vetme nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk e shoh të mundshme kthimin në normalitet pas gjithë kësaj bllokade”, ka deklaruar Kusari-Lila për IndeksOnline.

Ajo ka kritikuar qasjen e opozitës, e cila sipas saj, po shmang përgjegjësinë përmes kërkesave në Kushtetuese, në vend që të marrë përgjegjësinë përmes votës në Kuvend.

“Deputetët e Kuvendit, në vend se të marrin përgjegjësinë me votë për obligimet që ju takojnë, vendosin të kërkojnë zgjidhje përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, në rrethana të tilla, më përmbajtësore do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në funksion të demokracisë dhe vullnetit të sovranit”, u shpreh ajo.

Sipas Kusari-Lilës, përveç dimensionit politik, edhe aspektet praktike e financiare e bëjnë të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje.

Kusari- Lila tha se është evidente që qeveria nuk i ka numrat për të vazhduar dhe çdo përpjekje për bashkëpunim me partitë opozitare aktualisht duket e pamundur.

“Kjo është çështje që është subjekt për diskutim dhe vendimmarrje të partisë më të madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje. Është e qartë dhe evidente se numrat 61 për qeverinë nuk janë krijuar ende. Sa i përket bashkëpunimeve, ajo krejt do të varet nga pozicionet e subjekteve opozitare, por më e mira për qytetarët dhe për kredibilitetin e procesit është shkuarja në zgjedhje të reja”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila gjithashtu ka akuzuar partitë opozitare për mungesë vullneti bashkëpunues dhe taktizim në dëm të stabilitetit në vend.

“Përderisa ne po flasim, po i shohim gjatë gjithë kohës deklarimet e këtyre partive në raport me funksionimin e vendit dhe me LVV-në e kryeministrin Kurti. Nuk po shoh frymë apo disponim bashkëpunimi; në të kundërtën, po shoh taktizime që po bëhen në vazhdimësi, fatkeqësisht edhe në çmim të stabilitetit dhe sigurisë në vend”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mungesa e opozitës në procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, është tregues i qartë i qëllimeve të tyre politike.

“Mos pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, z. Nenad Rashiq, e ka treguar shumë mirë që llogaritë e tyre nuk kanë të bëjnë me bashkëpunim me LVV, por më shumë me ruajtjen e partneritetit të vjetër me Listën Serbe dhe kultivimin e këtij partneriteti për një qeveri të mundshme nga opozita”, përfundoi ajo.

Osmani mban konferencë për media

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme do të mbajë një konferencë për media.

Sipas njoftimit konferenca do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

Theksojmë se Vjosa Osmani, do t’i dërgojë sot Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, proces ky po tejzgjatet.

Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime. Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kryetari i ri i kuvendit, Dimal Basha në seancën 30 gushtit e kishte konsideruar të mbyllur seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Kjo e kishte shtyrë Listën Serbe që t’i drejtohet Kushtetueses

Ymeri: VV me standarde të dyfishta, sulmet ndaj Kushtetueses rrezikojnë demokracinë

Analisti politik, Visar Ymeri, ka deklaruar për Ekonomia Online se sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese janë janë të pavërteta, të dëmshme dhe të rrezikshme, pasi e minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Ymeri ka theksuar se Vetëvendosja përdor një standard të dyfishtë ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e kritikuar kur vendimet nuk i përshtaten dhe duke e lavdëruar kur i shërbejnë.

“Kjo është bërë si një farë norme që kemi parë dhe po e vërejmë secili që LVV-ja qëndrimin karshi Gjykatave në përgjithësi, përfshirë asaj kushtetuese, ka kogja shumë të ndikuara nga ajo nëse i pëlqen vendimi ose jo. Kur nuk i pëlqen vendimi thotë se kjo Gjykatë është hije e opozitës, e po i shërben Serbisë e 100 mijë akuza të tjera. Ndërkohë se kur i pëlqen vendimi e lavdëron. Për shembull ishte përbërja e njëjët e Gjykatës Kushtetuese që ia kishte shkurtuar mandatin qeverisë Hoti dhe ia kishte krijuar një farë mënyre mundësinë Kurtit që ta formojë qeverinë i vetëm herën e kaluar pa bashkëpunim me partitë e tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto janë të pavërteta, si sulme janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme sepse po e ndikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi”, tha ai.

Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë nga një parti që synon udhëheqjen e institucioneve mund të krijojë kaos dhe rrezik serioz për demokracinë.

“Mendoj që partitë politike, veçanërisht ato që kanë më shumë vota ose si VV-ja ose ato që pretendojnë me i themelu institucionet duhet me qenë shumë të kujdesshme të mirëmbajtjes së kredibilitetit të institucioneve të Kosovës sepse nëse as një institucion nuk i besohet në Kosovë atëherë kjo shkakton një gjendje kaosi. Edhe një rrezik të jashtëzakonshëm për demokracinë. E dyta është pastaj që ekzekutivi nuk ka të drejtë me i ndërhy gjyqësorit e aq më pak gjykatës Kushtetuese e cila është institucioni i vetëm që e ka për detyrë interpretimin e Kushtetutës dhe parimin e Kushtetutës”, tha ai.

Duke folur për masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ai sqaroi se ajo është praktikë e zakonshme në raste të ngjashme.

“Për vendimin konkret të Gjykatës Kushtetuese, ky nuk është vendim, shpesh herë po keqinterpretohet, kjo është masë e përkohshme që është e zakonshme në rastet kur kontestohet një proces në institucionet e Kosovës, në këtë rast në Kuvend. I cili ose veprimet pas të cilit mund të shkaktojnë dëm institucionit si të tillë. Gjykata Kushtetuese ka thënë që tash e tutje deri sa të nxjerrim vendimin për këtë kontestim nuk keni të drejtë me marrë vendime të reja sepse ato mund të jenë antikushtetuese varësisht vendimit që e nxjerr Gjykata Kushtetuese, është masë e zakonshme, e ngrit në një farë mënyre një situatë që mos të lejoj të bëhet më keq. Kjo nuk e paragjykon se si ka me qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese karshi kërkesës së Listës Serbe”, tha ai.

Ndërsa për procedurat e përzgjedhjes së nënkryetarit dhe mbylljen e seancës konstituive pa u zgjedh 5 nënkryetarët në Kuvend, Ymeri u shpreh se aty ka pasur shkelje të qarta kushtetuese.

“Mirëpo për që e ka shkelur Kushtetutën për mendimin tim dhe procedurën Kuvendi, e pastaj kryetari i votuar i Kuvendit kur e ka shpallur të mbyllur seancën pa u zgjedh 5 nënkryetarët, kjo nga perspektiva ime është jashtëzakonisht e qartë që është shkelje kushtetuese. Mirëpo unë nuk muj e as kush tjetër me paramendu e veçanërisht me paragjy aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, tha ai.

Akuza të shumta në drejtim të Gjykatës Kushtetuese kanë bërë të dielën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca. Të dy e kritikuan masën e përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja të premten, përmes së cilës ndalohen veprimet e deputetëve dhe procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese një ditë më parë shprehu shqetësim për “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”, duke theksuar se pavarësia e saj është themel i shtetit të së drejtës dhe se vendimet bazohen në Kushtetutë, praktikën gjyqësore dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut