Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Policia serbe arreston një 77 vjeçar nga Kosova, MUP-i propagandon se dyshohet për krime lufte

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të Kosovës me inicialet H.H. (77) në pikën kufitare Merdare, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile serbe.

Sipas njoftimit zyrtar të MUP-it, i dyshuari akuzohet se në qershor të vitit 1999, në qytetin e Podujevës, në bashkëpunim me disa pjesëtarë e UÇK-së, ka kryer vrasjen me armë zjarri të një civili serb.

“Personi i arrestuar dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë,” thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe, cituar nga mediat serbe.

Protestë e punëtorëve teknikë të sektorit privat, kërkojnë rritje pagash: Të paguhemi sa në sektorin publik

Punëtorët teknikë të sektorit privat në Prishtinë po protestojnë, duke kërkuar rritje të pagave.

Protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës po mbahet para administratës qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se protesta janë duke u mbajtur në mbi 20 komuna në të gjithë Kosovën.

“Kërkojnë që paga e tyre të jenë e lartë sa paga e punëtorëve teknikë që paguhen nga sektori publik”, tha Azemi.

Afati i fundit sot, LDK-ja nuk dërgon komente në Gjykatën Kushtetuese

Afati i fundit për dërgimin e komenteve në Kushtetuese është dita e sotme, por këtë të drejtë nuk do ta shfrytëzojnë në Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Besian Mustafa në një prononcim për Indeksonline.

”Jo nuk do të dërgojmë komente” ka thënë Mustafa për Indeksonline.

Mustafa është pyetur edhe lidhur me atë se çka pritet të ndodhë pas datës 30 shtator, mirëpo lidhur me këtë Mustafa thotë se duhet pritur aktvendimi i Gjykatës.

”Fillimisht presim aktgjykimin e Kushtetutës”, ka thënë Mustafa.

Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.

Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Hoxhaj shpërndan postimin e protestës në Hagë: Dielli do të lind përsëri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka shpërndarë postimin për protestën që do të mbahet në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Hoxhaj me këtë rast ka shkruar: Dielli do të lind përsëri!

Kjo protestë po organizohet nga mërgata shqiptare dhe mbështetet nga kategoritë e dala nga lufta.

Degët e PDK-së në Gjermani dhe Zvicër, kanë njoftuar se do të organizohet transport falas në mënyre të organizuar për këtë protestë.

Kjo protestë po mbahet disa javë pas protestës së organizuar në Prishtinë, nga OVL-UÇK.

KGJK suspendon gjyqtaren Naime Krasniqi-Jashanica

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njofton se në një mbledhje të jashtëzakonshme ka suspenduar një gjyqtare.

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se bëhet fjalë për gjyqtaren Naime Krasniqi-Jashanica.

Në njoftimin e Këshillit thuhet se mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura me një pikë të rendit të ditës: Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/04/2025/GJTHPR-AD/GJTHPR/17/25.

KGJK-ja bën të ditur se me votim unanim u vendos për suspendimin e gjykatëses deri në një vendim tjetër të Këshillit.

“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit disiplinor ka themeluar panelin hetimor dhe me votim unanim ka vendosur për suspendimin e subjektit të hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”, thuhet në njoftim.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me gjyqtaren Krasniqi-Jashanica, e cila tha se ende nuk e ka marrë vendimin.

“Jo, ende nuk e kam marrë”, tha gjyqtarja.

Suspendimi i gjyqtares Krasniqi-Jashanica vjen pasi ditë më parë u publikua një audio-incizim në të cilin është përfshirë gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica dhe prokurorja tashmë në pension Edina Jupolli. Në atë audio-incizim, prokurorja dhe gjyqtarja diskutojnë me një të akuzuar për dhunë në familje, ku edhe ofendohet viktima e dhunës në familje. Madje, i jepen rekomandime të akuzuarit për dhunë në familje.

FSK gjithmonë e përgatitur, për çdo rrethanë!

Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpetim e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të Kapacitetet Ushtarake për Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile, ka realizuar trajnimin sfidues “Mbijetesa në ujë”, një trajnim i specializuar qe synon përgatitjen e pjesëtarëve të FSK-së për përballje me situata të ndërlikuara në mjedise ujore.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte përgatitja profesionale e pjesëtarëve të FSK-së për operacione në ujë, si ne nivel individual ashtu edhe në nivel ekipor, duke ndërtuar aftësi praktike dhe teknike të domosdoshme për situata mbijetese në kushte të renda ujore.

“Gjatë këtij trajnimi, pjesëtarët u aftësuan në teknika të mbijetesës në ujë, not taktik, improvizimin e mjeteve për të mbijetuar në zona ujore, si dhe improvizimin e mjeteve për kalimin e zonave të rrezikshme ujore”, shkroi në Facebook, Maqedonci.