Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

Lavrov e mbështet Dodikun dhe e fajëson Perëndimin për krizën në Bosnje

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, përsëritën qëndrimet e mëparshme se “marrëdhëniet e ndërlikuara në Bosnje dhe Hercegovinë janë pasojë e ndërhyrjes së madhe të Perëndimit në punët e brendshme të saj”.

Lavrov e mirëpriti Dodikun në Moskë të martën.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Lavrov i përsëriti kritikat e tij ndaj përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Christian Schmidt, duke thënë se ai “nuk ka mandat” nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe se “po përpiqet të imponojë vendime dhe ligje me urdhër të Perëndimit”.

“Ne dënojmë fuqimisht përpjekjet për t’i larguar nga pushteti udhëheqësit serbë që janë të padëshirueshëm për Perëndimin, dhe veçanërisht bashkëbiseduesin tonë të sotëm, mikun tonë, presidentin legjitim të zgjedhur ligjërisht të Republika Sërpska, përmes rasteve të sajuara penale”, tha Lavrov.

Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.

Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje.

Lavrov njoftoi se Rusia do të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tetor të këtij vitit dhe se një seancë mbi situatën në Bosnje do të mbahet më 31 tetor, “kur kolegët tanë në Këshill do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve shumë të pakëndshme në lidhje me Bosnjën”.

Dodik tha se “Bosnja nuk ka marrë kurrë vendim për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, sepse Republika Sërpska e pengoi këtë përmes përfaqësuesve të saj”.

Dodik ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij për mediat Schmidtit.

“Përfaqësuesit e lartë kanë shkarkuar mbi 900 përfaqësues të zgjedhur në Bosnje, dy të tretat e të cilëve janë nga Republika Sërpska. Republika Sërpska i ka mbetur e përkushtuar ndaj ‘shkronjës’ së Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Perëndimi ka përdorur të ashtuquajturën frymë të marrëveshjes. Për vite me radhë kemi pasur një të huaj pa emër të quajtur Schmidt, përmes të cilit ata imponojnë vendime”, tha Dodik.

Dodik, ndër të tjera, tha se nuk ka ndikim të keq rus në Bosnje.

Dodik njoftoi së fundmi në një intervistë me gazetën ruse “Sputnik” se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në tetor.

Siç tha Dodik në atë kohë, ai do t’i kërkojë Rusisë të përdorë veton ndaj zgjatjes së misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR Althea, për të cilin votohet çdo nëntor nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Jashtme e Bosnjës i dërgoi të premten notë proteste Hungarisë pasi ministri i saj i Jashtëm, Peter Szijjarto, e cilësoi Dodikun si president të Republikës Sërpska gjatë një takimi në Budapest

Doli nga shtypi numri i ri (418 – shator 2025) i revistës “Dituria Islame”,

Doli nga shtypi numri i ri (418 – shator 2025) i revistës “Dituria Islame”, ku mund të lexoni:

2 Urimi i Myftiut Tërnava, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026
_________
EDITORIAL
4 Përmbysja e injorancës me lindjen e më të mirit njeri
________
FETARE
5 Si ta përkujtojmë me dinjitet lindjen e Pejgamberit a.s.
Dr. Rijad Imeri
8 Pejgamberi Muhamed a.s. – burim i pakontestueshëm i normave juridike islame
Dr. Selatin Mehani
13 Pejgamberi a.s., model i përkryer i jetës bashkëshortore dhe familjare (1)
Prof. ass. dr. Ilmije Kuqi
17 Mëshira si thelb i edukimit profetik
Rashit Zylfiu
20 Ngjarja e elefantit – një qasje klasike dhe moderne
Prof. ass. dr. Valmire Batatina – Krasniqi
24 Muhadramët – bashkëthemelues të hallkës së parë të medhhebit hanefi
Dr. Muhamed Stublla
28 Eutanazia ne optikën e fesë islame
Verona Rrahmani
_____________________
FAMILJE & EDUKIM
31 Komponentët e edukimit ndërmjet asaj se çka lipset të jenë dhe realitetit
Dr. Myrvete Allmeta
34 Teoria para përvojës – edukimi qytetar pa themel vleror
PhD. Merjeme Gashi
37 Edukimi i fëmijëve në mes të familjes dhe shkollës – nevoja për një modelim të integruar
Prof. ass. dr. Ferdi Kamberi
42 Shkolla, dija dhe vlerat e tyre
Imer Topanica
45 Intoleranca në ushqim
Agron M. Rexhepi, MD, PhD, MSc, Urata Rexhepi, Nderim Rexhepi
_________
KULTURË
48 Ndikimi i mendimit orientalist në Perëndim
Abdulvehab el Karesh
50 El Biruni – një studiues i gjithanshëm
Sead Ahmetaj
53 Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë – ombrellë e dijes islame
Dr. Azmir Jusufi
____________
AKTIVITETE
58 Myftiu Tërnava priti në takim lamtumirës këshilltarin për Çështje Fetare të Turqisë, z. Bunjamin Albayrak
Revistën “Dituria Islame” mund ta siguroni në librarinë “Dituria Islame” në Prishtinë (https://www.facebook.com/librariadituriaislame, dhe në të gjitha selitë e Këshillave të Bashkësisë Islame në të gjitha qendrat e Kosovës.

Osmani po pret përfundimin e muajit për caktimin e mandatarit për qeverinë e re

Presidentja e Kosovës është duke pritur fundin e muajit që të vjen aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilin ajo e konsideron të kryer edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Osmani ka thënë se pasi të skadojë masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja, “menjëherë” do t’i ndërmarrë hapat për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

“Na ndalohet që të ndërmarrim çdo procedurë për caktimin e mandatarit dhe krijimin e qeverisë”, ka thënë fillimisht Osmani, duke shtuar se pas shtatorit do t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë asaj, e më pas ka thënë se “punët e tjera janë në duar të partive”. “Menjëherë pas 30 shtatorit, shpresoj që do ta kemi mundësinë me konstituimin e të gjitha institucioneve, dhe në momentin që të skadojë masa, me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituuimit – po atë ditë do ta thërrasë partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie.

Prishtinës i shtohen 90 autobusë të rinj në transportin publik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se flota e transportit publik në kryeqytet është pasuruar me 90 autobusë të rinj.

Në një postim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet të shtohen edhe 30 autobusë të tjerë, ndërsa paralajmëroi edhe modernizimin e mëtejmë të flotës me autobusë elektrikë dhe logjistikë bashkëkohore.

“Kjo është pjesë e një transformimi të vazhdueshëm që synon një Prishtinë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai.

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si BERZH, IFC, KfW dhe Banka Botërore.

Kliko Ketu per statusin e publikuar

“Aksioni i shembjes do vijojë gjatë gjithë mandatit”, Rama prezanton paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit

Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike nga kryeministri Edi Rama, qeveria ka përgatitur një paketë të re me masa ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.

Gjatë prezantimit të paketës, kryeministri Rama tha se paketa e re nuk është e përkryer por do të krijojë instrumente për ta mbrojtur hapësirën publike.

Sipas Ramës aksioni i nisur gjatë verës do të vijojë gjatë gjithë mandatit të katërt, raporton A2CNN.

“Për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës dhe besoj shumë që duke bërë parantezën që pa diskutim nuk është asgjë e përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore. Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objekte që kanë marrë leje me pamjet e lejes të paraqitura”, tha Rama.

Policia e Kosovës pranon donacion të rëndësishëm nga UNDP

Me datën 09.09.2025, Drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë, priti në takim zëvendës drejtorin e UNDP-së z. Dudley Tarlton, ku edhe u bë pranim-dorëzimi i një donacioni nga UNDP.

Ky donacion synon përforcimin e kapaciteteve për sigurinë publike dhe kontrollin kufitar. dhe me këtë rast Kolonel Hoxha shprehu falënderimin ndaj UNDP-së, pasi që përmes këtij donacione për herë të parë në Policinë e Kosovës është zhvilluar dhe funksionalizuar platforma e-Learning (mësimi virtual), ku policia ka përfituar edhe trajnime të dedikuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trajnimeve të reja në këtë platformë.

Po ashtu në këtë ceremoni të pranim- dorëzimit policia ka pranuar softuerë/licenca të avancuara iBase dhe Analyst Notebook, të cilët mundësojnë mbledhjen dhe analizimin e informatave mbi rastet që lidhen me armë zjarri, municion dhe eksplozivë dhe që edhe më tutje do të ngritin efikasitetin e Pikës Kryesore të Armëve (FFP).

Përveç kësaj, 25 skanerë dore do të përdoren për kontrolle më efikase në pikat kufitare, vijën e gjelbër dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke rritur kapacitetin operacional dhe sigurinë e qytetarëve. Përmes këtij donacioni forcohet bashkëpunimin ndërinstitucional i cili kontribuon në zhvillimin e një sistemi policor më modern dhe të avancuar.