Hën. Mar 30th, 2026

Radio Dodona

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dhuron çanta me materiale shkollore në Kosovën Lindore

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpërndau çanta shkollore dhe materiale të tjera përcjellëse për të gjithë nxënësit e dy shkollave fillore të këtyre vendbanimeve, në Banjë të Sjarinës dhe Tupallë të Medvegjës.
Në shkollën fillore të Banjës së Sjarinës dhuratat u shpërndanë në prani të drejtorit z. Sinisha Stankoviç, ndërsa në shkollën fillore të fshatit Tupallë në prani të drejtoreshës znj. Arlinda Kadriu.
Ky aktivitet u mundësua në bashkëpunimin dhe koordinim me imamin e Banjës së Sjarinës, Ilham ef.Hasani, duke u bërë mbështetje konkrete për nxënësit në prag të vitit të ri shkollor.
Me këtë veprimtari, Shoqata “Bereqeti” vazhdon të jetë pranë komuniteteve duke kontribuuar në fushën e arsimit dhe të mirëqenies së fëmijëve.

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e 12 Rebiul-Evelit, ditëlindjes së Pejgamberit a.s.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Sonte, në këtë natë të bekuar të 12 Rebiul-Evelit, ne përkujtojmë lindjen e më të dashurit të Allahut, Pejgamberit tonë, Muhamed Mustafasë a.s., i cili është mëshira e dërguar për mbarë botët.

Kjo natë e shënuar dhe ky muaj i bekuar, i njohur si Muaji i Mevludit, na fton ta përforcojmë besimin tonë, dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit të Allahut.

Pejgamberi a.s. është shembull i përsosur i mëshirës, drejtësisë, përkushtimit dhe moralit më të lartë. Ai është drita që ndriçoi njerëzimin, udhëzuesi që na mësoi si të jetojmë me dinjitet, me adhurim dhe me shpresë. Dashuria për të është pjesë e imanit tonë, ndërsa respekti ndaj tij është rruga drejt afrimit me Zotin. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin fisnik, thotë:“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) si dëshmitar, si përgëzues dhe si qortues; që të thërrasësh njerëzit tek Allahu me lejen e Tij dhe si një dritë ndriçuese.” (El Ahzab, 45-46).

Dashuria e besimtarëve për Pejgamberin Muhamed a.s. është e pakushtëzuar dhe e përhershme. Ajo nuk kufizohet vetëm në fjalë, por manifestohet në adhurim, në ndjekjen e Sunetit të tij dhe në përpjekjen për të pasqyruar moralin e tij në jetën e përditshme. Besimtarët e ndiejnë të Dërguarin a.s. më afër se çdo njeri tjetër, e përmendin me salavate, e nderojnë në zemrat e tyre dhe e shohin si udhërrëfyesin që i lidh me Krijuesin e gjithësisë. Kjo dashuri është një shenjë e fortë e imanit, ashtu siç ka thënë vetë Pejgamberi a.s.: “Askush prej jush nuk beson vërtet, derisa të mos më dojë mua më shumë se prindërit e tij, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”

Përgjatë shekujve, dijetarët dhe ulematë tanë e kanë kujtuar dhe nderuar të Dërguarin a.s. me vepra të vyera, me kaside, mevlude, ilahi dhe libra biografikë, që pasqyrojnë jetën dhe misionin e tij madhështor.

Kështu, dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është bërë pjesë e kulturës sonë fetare dhe shpirtërore. Nata e Mevludit nuk është vetëm kujtim i lindjes së tij, por edhe thirrje për të ecur në rrugën e tij, për të manifestuar me vepra dashurinë ndaj tij, duke u munduar të përqafojmë moralin e tij të lartë dhe mësimet e tij hyjnore.

Prandaj, ftojmë besimtarët tanë, familjet tona dhe institucionet e Bashkësisë Islame që këtë muaj të bekuar ta kalojnë duke e përkujtuar në mënyrën më të mirë Pejgamberin a.s., qoftë në ambientet e shtëpisë, me namaz, dhikër dhe lexim të ilahive, qoftë nëpër institucionet fetare, me ligjërata, manifestime dhe veprimtari që ngjallin dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut.

Urime kjo natë e shënuar, me shëndet, mbarësi e harmoni për të gjithë.

Qoftë i kënaqur Allahu dhe Pejgamberi a.s. me veprat tona!

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Putin falënderon Jong Un-in për luftën e koreanëve në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka falënderuar Kim Jong Unin për guximin e trupave të tij që kanë luftuar në Ukrainë, në anën ruse.

Të dy udhëheqësit u takuan të mërkurën në Pekin, ndërsa Kina mbajti një nga paradat më të mëdha ushtarake të të gjitha kohërave, e cila përkujtoi 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi, shkruan BBC.

Kjo shënoi herën e parë që udhëheqësi i Koresë së Veriut merr pjesë në një takim ndërkombëtar të liderëve botërorë. Ai rrallë largohet nga Koreja e Veriut dhe zakonisht takohet vetëm me udhëheqës kokë më kokë.

Putin tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë miqësore dhe se ushtria e Phenianit ndihmoi në çlirimin e rajonit Kursk.

“Ushtarët tuaj luftuan me guxim dhe heroizëm”, i tha Putin Kim-it gjatë bisedimeve të së mërkurës.

“Dua të theksoj se nuk do t’i harrojmë kurrë sakrificat që kanë pësuar forcat tuaja të armatosura dhe familjet e ushtarakëve tuaj.”

Kim shprehu mirënjohjen e tij për njohjen e udhëheqësit rus dhe tha se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve kishin “përparuar në të gjitha fushat”.

“Nëse ka ndonjë mënyrë për të ndihmuar Rusinë, sigurisht që do ta bëjmë si një detyrë vëllazërore.”

Nesër tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotimet e zgjedhjeve të 12 tetorit

KQZ ka njoftuar se nesër në ora 11:00 do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Datë: 4 shtator 2025. Ora: 11:00. Vendi: “Sëiss Diamond”, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Autoritetet turke urdhërojnë arrestime të reja të zyrtarëve të opozitës

Autoritetet turke urdhëruan të mërkurën ndalimin e shtatë zyrtarëve nga bashkitë e drejtuara nga opozita në Stamboll, tha transmetuesi NTV.

Ndalimet vijnë pas shkarkimit të kryetarit të provincës së Stambollit të Partisë Republikane Popullore (CHP) kryesore të opozitës, Ozgur Celik, nga një gjykatë të martën për shkak të parregullsive të dyshuara në një kongres provincial të CHP-së në vitin 2023.

Policia turke arrestoi pesë punonjës nga Besiktas dhe dy nga Avcilar – dy bashki të Stambollit – të mërkurën, raportoi NTV.

Të arrestuarist e sotëm janë në mesin e 15 kryetarëve të bashkive të burgosur si pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion. Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor politik i Erdogan, është arrestuar gjithashtur, shkruan Reuters