Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Rashford kalon Beckhamin me gola te Anglia

Kombëtarja e Anglisë shënoi fitore të thellë 0:5 ndaj Serbisë në ndeshjen e vlefshme për kualifkim në Kupën e Botës 2026.

Golin e fundit në këtë ndeshje e shënoi sulmuesi i Barcelonës, Marcus Rashford, shkruan Indeksonline

Rashford shënoi golin e tij të 18-të me fanellën e “Tre Luanëve” duke kaluar legjendën, David Beckham (17).

Kujtojmë që futbollisti me më së shumti gola në histori të Anglisë është Harry Kane (74 gola).

BE synon t’i pezullojë pagesat për Izraelin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja synon të pezullojë pagesat për Izraelin dhe propozoi edhe sanksione ndaj ministrave “ekstremistë” izraelitë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi gjatë fjalimit vjetor “Gjendja e Bashkimit Evropian” që mbajti para Parlamentit Evropian në Strasburg pezullimin e mbështetjes financiare për Izraelin dhe sanksionimin e ministrave “ekstremistë” izraelitë dhe të kolonëve të dhunshëm.

“Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës. Njerëz të vrarë ndërsa lypin ushqim. Nëna që mbajnë në krahë foshnje të pajetë. Këto pamje janë vërtet katastrofike.” – tha von der Leyen, duke shtuar “Ne do ta pezullojmë mbështetjen tonë për Izraelin.”

Sa u përket sanksioneve ndaj anëtarë të qeverisë izraelite, fjala është ndër të tjerë për ministrin e Financave, Bezalel Smotrih dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, të cilët janë vetë kolonë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe avokatë të fortë të vazhdimit dhe të zgjerimit të ngulimeve të paligjshme izraelite në rajon.

Gjithësesi Presidentja e Komisionit Evropian tha se jo të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jenë në të njëjtën linjë me propozimet e saj.

Reagime nga anëtarë të Parlamentit Evropian

Gjatë fjalimit vjetor të von der Leyen mbështetja për Gazën në Parlamentin Evropian ishte e qartë në radhët e shumë partive politike. Një numër i madh anëtarësh ishin veshur me xhaketa apo bluza të kuqe për të simbolizuar një “vijë demarkacioni për Gazën”.

Anëtarët e Parlamentit Evropian në Strasburg i thanë DW se janë të lehtësuar që Presidentja von der Leyen tani po mban një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit. “Më në fund, diçka po lëviz”, tha Sandro Gozi, eurodeputet liberal, ish-ministër i Italisë për Çështjet Evropiane.

Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër Evropiane, eurodeputetja holandeze Bas Eickhout, tha se propozimet e Presidentes von der Leyen janë “propozime modeste”, “por nisur nga vendi prej nga vjen, ky është sigurisht një hap i madh”.

Për pezullimin e marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, e cila mbështet marrëdhëniet tregtare, duhet të bien dakord të 27 vendet e BE-së. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë për shkak të Hungarisë, dhe ndoshta edhe të Gjermanisë, të cilat mund të vendosin veton.

Qëndrimi gjerman ndaj propozimeve

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se qeveria gjermane “është njoftuar” për propozimet e BE-së dhe do të angazhohet në “dialog” me shtetet e tjera anëtare.

“Presidentja e Komisionit e bëri të qartë se do të dialogojë me shtetet anëtare mbi detajet e propozimeve të saj”, tha ai. “Ne po presim për këtë. Sigurisht që do të marrim pjesë në këtë dialog dhe tashmë jemi të angazhuar në një dialog të vazhdueshëm për masat e duhura brenda kornizës së BE-së.” /DW

Mot i keq edhe në Shqipëri: Përmbytje në disa zona

Reshjet intensive të shiut që nisën rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes në Lezhë sollën ujëra sipërfaqësore në rrugët e qytetit, por pa shkaktuar probleme serioze për qarkullimin e automjeteve apo lëvizjen e këmbësorëve.

Brenda dy orësh u regjistruan rreth 70 mm shi, ndërsa intensiteti i reshjeve ra pas orës 06:00, raporton abcnews.

Ujërat u evaduan me shpejtësi, duke shmangur situatat problematike në pjesën më të madhe të qytetit.

Përjashtim mbeti blloku i banimit “11 Janari”, i cili edhe këtë herë u përball me vështirësi për shkak të bllokimeve në kanalet kulluese dhe pozitës së tij më të ulët krahasuar me lumin Drin, që pengon kullimin natyral të ujërave.

Aktualisht situata është përmirësuar. Në terren ndodhen grupet e Ndërmarrjes së Shërbimeve, të cilat po kryejnë pastrimin e zonave të prekura dhe po monitorojnë çdo problematikë të mundshme.

Kadrijaj: Kurti dëshiron kaos, tenton të krijojë situata që qytetarët të mos e përfillin ligjin

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion së dy pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, ku ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me partinë e tij, po e sfidojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ajo theksoi se përkundër aferave të shumta korruptive që kanë dalë në sipërfaqe, Kurti po përdor standarde të dyfishta në raport me drejtësinë.

‘’Po e shohim se Kurti me partinë e vet e sfidon drejtësinë. Me gjithë këto afera korruptive që kanë ne e pamë edhe rastin e Kurtit që dëshmoi kur ishte puna për ofendimet që u janë bërë, ndërsa për rastin e rezervave shtetërore nuk shkoi të dëshmojë duke treguar jo standarde të dyfishta por të trefishta, për të ligji është siç i konvenon atij dhe partisë së tij’’, tha Kadrijaj për “Front Online”.

Sipas saj, veprimet e Kurtit po tregojnë përpjekje për të mos respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ky dëshiron kaos, tenton të krijojë situata që qytetarët të mos e përfillin ligjin’’, tha Kadrijaj.

Ajo tha se Mujka dhe Muzliukaj duhet të japin dorëheqje nga detyrat e tyre aktuale.

“Ish dashur të dorëhiqen nga detyrat, në një moment të caktuar derisa të konfirmohet aktakuza ose të bjerë’’, shprehet Kadrijaj

Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ndërkohë, i pandehuri Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj dy të pandehurve.

Mujka e Muzliukaj ishin arrestuar më 2023 pas një operacioni anti-korrupsion. Atë kohë ishin kryer edhe bastisje në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve tashmë, dhe në njërin lokacion ishin gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro

Tentuan të kalonin ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë, policia kap 4 meshkuj dhe një femër

Të mërkurën janë shoqëruar në stacionin policor katër meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që me veturë dyshohet se kishin kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Ranilluk / 10.09.2025 – 13:55. Janë shoqëruar në stacionin policor katër meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që me veturë dyshohet se kishin kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë

Presidentja arsyeton mbrojtjen e afërt për vajzat: Vajzat e mia e urrejnë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar çështjen e djeshme rreth raportimeve se vajzat e saj mbrohen nga policët.

Ajo thotë se fëmijët e saj s’kanë faj qe ajo ka qëndrime politike, dhe se vajzat e saj e urrejnë përcjelljen, shkruan IndeksOnline.

Por, këtë gjë, Osmani thotë se është e detyruar ta bëjë, sidomos pas kërcënimeve me dhunim dhe me jetë të bëra nga serbët.

“Vajzat e mia e urrejnë atë përcjellje, s’kanë qenë kurrë pro asaj. Ua pengojnë qeshjen normale, rininë normale, dhe ua pengojnë procesi e mësimit si fëmijët e tjerë. Por atë nuk e kam përcaktuar unë, por rregullat dhe ligjet. Çdo 6 muaj policia e bën vlerësimin e rrezikshmërisë, çdo 6 muaj konkluzioni është i njëjtë, që rrezikshmëria e vajzave të mia është e lartë” u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se nuk do të donte që asnjë prind të merrte kërcënime për veten dhe fëmijët.

“Nuk besoj që ka prind që do të dëshironte që për shkak të kërcënimeve t’i izolonte fëmijët nga loja dhe nga jeta. Shumë prej kërcënimeve vijnë nga serbët, po i përmend dy: ka ardhë një kërcënim serb, ku është postuar fotografia ime dhe e dy vajzave të mia, me mbishkrimin se vdekja do të vijë për ne… Ka kërcënime për ngrehje zhag, dëbim e dhunim të fëmijëve të mi” shtoi presidentja.

Ajo mohoi pretendimet se vajzat e saj kanë marrë mësim ndaras, duke deklaruar se ato kanë marrë mësim bashkë me të gjithë nxënësit e tjerë, në të njëjtën klasë dhe në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët.

Ajo thotë se kameramani i arrestuar dje nuk është bërë nga mbrojtja e afërt e fëmijëve të saj, duke deklaruar se incizimi i paautorizuar është i ndaluar me ligj.