Mër. Pri 1st, 2026

Radio Dodona

Në Ferizaj Vetura godet një çiklist

Një person ka pësuar lëndime trupore, pasi u godit nga një veturë në Ferizaj.

Aksidenti ndodhi në rrugën “Ahmet Kaçiku” sonte rreth orës 22:10,

Rastin për e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli pohoi se viktima ishte duke udhëtuar me biçikletë në momentin kur ndodhi aksidenti.

“Për pasojë të këtij aksidenti, lëndime ka pësuar biçiklisti, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në qendrën emergjente ne Ferizaj. Njësia e Trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes për hetimin e aksidentit” deklaroi Veseli

Rritet konsumi i energjisë elektrike, paralajmërohet rritje e importit

Me rënien e temperaturave pritet të rritet konsumi i energjisë elektrike, e bashkë me të edhe faturat t’u vijnë qytetarëve më të larta.

Nga KESCO i kanë thënë RTK-së se konsumi për këtë vit është rritur për 8%.

Në këtë ngritje thuhet të ketë ndikuar përdorimi i kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera për ngrohje dhe ftohje. Qytetarëve u është bërë thirrje ta kursejnë rrymën, në mënyrë që të mos rriten tarifat.

Për rreth 8% më shumë qytetarët kanë shpenzuar energji elektrike këtë vit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Me rënien e temperaturave, pritet që të rritet edhe më shumë konsumi, e bashkë me të edhe faturat t’u vinë qytetarëve më të larta.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, tha se vetëm për 11 ditët e para të shtatorit, kanë importuar mbi 1 mijë e 100 MË energji elektrike.

Në rast se konsumi vazhdon të rritet, Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRRE-së nuk e ka përjashtuar mundësin shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike.

Njohës të energjetikës thonë se në rritjen e konsumit ka ndikuar rritja e përdorimit të kondicionerëve dhe pajisjeve te tjera elektrike për ftohje dhe ngrohje. Sipas tyre, Kosova duhet të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve gjeneruese.

Ekzekutivi kosovar disa herë ka subvencionuar qytetarët në blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje dhe ftohje, në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

Abdixhiku: Qytetarët tek ne gjejnë njerëzit që bëjnë shtetin, jo që e shkatërrojnë atë

Ne krijojmë. Jo duke rrënuar shtetin, por duke e bërë atë. Jo duke e përulur tjetrin, por duke e afruar atë. Jo duke e zaptuar komunën, por duke e dashur atë”, deklaroi i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku në hapjen e fushatës për zgjedhje lokale.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës, pas çdo stuhie, kthehen prapë tek LDK, sepse vetëm tek LDK gjejnë strehën e sigurt, strehën e arsyes, strehën e shtetit.

“Tek ne gjejnë njerëzit që bëjnë shtetin, jo që e shkatërrojnë atë. Tek ne gjejnë njerëzit që e duan Kushtetutën, jo që e shkelin atë. Tek ne gjejnë njerëz që bëjnë aleanca jashtë, jo që i mbyllin dyert me ta. Tek ne gjejnë njerëz që e duan Kosovën më shumë se sa veten, sepse një Kosovë kemi, këtë shtet kemi, këtë vend kemi”, tha Abdixhiku

Krasniqi: Presim fitore në shumicën e komunave, por edhe të drejtësisë në Hagë për Thaçin e të tjerët

Partia Demokratike e Kosovës e ka hapur zyrtarisht sot fushatën nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Para masës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje që qytetarët të mbështesin dhe votojnë kandidatët që i ka ky subjekt për kryetarë të komunave.

Poashtu, ai u ka thënë prishtinasve se Uran Ismaili, është personi i duhur për të drejtuar Prishtinën.

“Ua them me bindje presim fitore në këto zgjedhje në shumicën e komunave të Kosovës sepse i kemi kandidatët për kryetarë të komunave dhe planprogramet më të mira. Ndërsa nga takimet që i kemi pasë çdo ditë në kryeqytet e nga kjo energji e jashtëzakonshme që po e ndjej sonte këtu po shihet qartë se është edhe Koha për Prishtinën, është edhe Koha për Uranin”, ka thënë Krasniqi.

I njëjti ka deklaruar se pret që edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dalin fitues nga procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre në Hagë.

“Poashtu si popull e si shtet presime dhe një fitore tjetër, fitore të drejtësisë në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tjerë të tyre që janë në Hagë. Duke i përshëndetur bashkatdhetarët tanë që nesër mblidhen atje për të ngritur zërin për pastërtinë e luftës së UÇK-së, shpreh besimin tonë se çlirimtarët do t’i kemi të lirë së shpejti në Kosovën tone”, tha Krasniqi.

Nis fushata për Zgjedhjet Lokale, KQZ-ja kërkon respektim të ligjit

Të shtunën ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor në Kosovë. Subjektet politike tashmë kanë filluar të shpalosin programet e tyre për qeverisje lokale. Kjo periudhë e fushatës do të zgjasë deri në ditën e votimit, pa pasur një periudhë të veçantë të heshtjes zgjedhore.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka rikujtuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton qartë rregullat që duhet të respektohen gjatë kësaj periudhe.

“Fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme dhe demokratike, pa gjuhë urrejtjeje apo frikësime, dhe e distancuar plotësisht nga çdo formë dhune,” ka deklaruar Elezi, duke shtuar se ndalohet çdo formë pengimi i fushatës së kundërshtarit politik, si dhe çdo veprim që përmban kërcënime apo dhunë.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas ligjit në fuqi, trajtimi i ankesave për shkelje gjatë fushatës nuk është kompetencë e KQZ-së, por i takon Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese”, ka sqaruar Elezi për RTKlive.

Ai ka theksuar se, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës. Këta monitorues do të përgatisin raporte të detajuara për aktivitetet e subjekteve politike gjatë fushatës.

“Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, ka theksuar Elezi.

Ky angazhim ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procesit zgjedhor, si dhe sigurimin e respektimit të plotë të kornizës ligjore nga ana e subjekteve politike.

Në garën lokale janë të përfshira 93 subjekte politike, prej të cilave 33 janë parti, dy koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, ndërsa procesi do të organizohet në 938 qendra votimi në 38 komuna.

Të shtëna me armë në Prishtinë, s’ka të lënduar

Një gjuajte me armë zjarri është raportuar në orët e mbrëmjes në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ahmet Krasniqi” rreth orës 19:00.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin. Bazuar në të dhënat fillestare, nuk ka persona të lënduar”, tha Pllana.