Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

Rubin ua thotë në sy: Kjo nuk është drejtësi, ju po bëni fajësim politik për Thaçin dhe të tjerët

“Mendoj që jam munduar pa fund që të jem i disponueshëm për këtë gjykatë, kam shpenzuar qindra orë përgatitje, dhe ndjesia ime ishte se gjithë njohuritë ishin të pranishme në dokumente. Pikëpamjet e Prokurorisë nuk është se do të ndihmoheshin nga kontributi im. Nëse keni nevojë për pyetje kam qenë këtu dje dhe sot. Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën. Më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për kaq gjatë, këta persona janë dhënë vullnetarisht, dhe kanë qenë bashkëpunues me Gjykatën. Në rastin e të akuzuarve nuk e kuptoj pse është dashur të jenë në burg për 5 vjet, nuk e shoh si shtet të së drejtës, Albright nuk e ka pasur këtë drejtësi në mendje kur e ka incizuar Tribunalin e Hagës. Mua kjo më është dukur si fajësim politik për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së, Duke qenë se kam parë nga afër liderët e UÇK-së dhe asnjë person tjetër nuk e ka pasur këtë mundësi, duke pasur ide t emirë të funksionit, për 3 ditë kam parë si janë sjellë ata, kush ishte përgjegjës, komandant, mbështetës. Duke pasur këtë njohuri mendoj se kjo ka qenë e gabuar, unë nuk jam jurist, kjo nuk është drejtësi”, ka thënë ai.

Osmani pret në takim ministren e Jashtme të Finlandës, diskutojnë për zhvillimet e fundit në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së Elina Valtonen.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.

“Në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së, znj. Valtonen u informua nga Presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut.

E akuzuara për spiunazh te BIA nuk e pranon fajësinë

E akuzuara për spiunazh te BIA serbe, Jelena Gjukanoviq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka nisur shqyrtimi fillestar i rastit ndaj saj.

Gjukanoviq nuk e pranoj fajësinë sot në gjykatore, derisa avokati i saj, Predrag Miljkoviq kërkoi që e dyshuara për spiunazh të lirohet nga masa e paraburgimit dhe të vazhdojë me arrest shtëpiak.

Kur e dyshuara, Jelena Gjukanoviq u pyet nga trupi gjykues nëse është e punësuar, ajo tha se ende është pjesë e OSBE-së.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu e kundërshtoi këtë kërkesë për çka tha se për shkak të peshës së veprës dhe rrezikshmërisë që e dyshuara të ikë, masa e paraburgimit është e nevojshme.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se për këtë kërkesë do të vendoset pas përfundimit të seancës.

Ajo dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu tha se Gjukanoviq akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28 shkurt të këtij viti, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

Para rreth një jave Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurës Jelena Gjukanoviq, për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë.

Shqipëria hap sot dhe 4 kapituj të rinj në negociatat me BE-në

Sot në Bruksel do të mbahet Konferenca e 6-të ndërqeveritare me e Shqipërisë me BE për çështjen e integrimit.

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, Shqipëria pritet të hapë sot dhe 4 kapituj të tjerë të cilët i përkasin agjendës së gjelbër, shkruan A2cnn.

Takimi do të drejtohet nga Marie Bjerre, ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, vend që mban presidencën e BE-së dhe kryeministri Edi Rama, i cili udhëtoi drejt Brukselit një ditë më parë.

James Rubin sot vazhdon dëshminë në Speciale

James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.

Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.

Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin.

Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.

Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.

Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.

Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike.

Reagimet politike në Kosovë kanë qenë të shumta.

PDK dhe OVL-UÇK e përshëndetën dëshminë si mbështetje të qartë për drejtësinë e luftës çlirimtare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.

Deputetja Vlora Çitaku e quajti Thaçin figurë të papërsëritshme që afroi UÇK-në me Perëndimin.

Analisti Agon Maliqi e quajti dëshminë e Rubin një dokument të rëndësishëm historik që çmonton narrativat propagandistike dhe tregon realitetin e kaotik të luftës, derisa Lulzim Peci e cilësoi si ligjëratë publike për historinë moderne të Kosovës.

Nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti falënderoi SHBA-në dhe botën demokratike për përkrahjen ndaj luftës së UÇK-së.

Ndërkohë, Alban Krasniqi nga LVV theksoi se dëshmia e Rubinit nxori në pah se udhëheqës ushtarak i UÇK-së ishte Agim Çeku, jo Hashim Thaçi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Pezullimi i dialogut SHBA-Kosovë është hap shqetësues, rrezikon destabilizim të rajonit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për raportet dypalëshe dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në një deklaratë për mediat, KASH i bën thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit – dhe forcave të tjera politike, që të tejkalojnë ndarjet dhe të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, si dhe për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në në fushat kyçe të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.

“Kosova është ndër vendet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të qartë ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që avancon dialogu me Beogradin, jep një mesazh të gabuar dhe rrezikon të destabilizojë rajonin, duke i dhënë hapësirë ndërhyrjes së Serbisë përmes Listës Serbe”, thuhet në deklaratë.

Këshilli e cilëson të padrejtë që një shtet që ka qenë ndër partnerët më të qëndrueshëm të SHBA-së të penalizohet në këtë mënyrë, ndërsa sipas tij, Serbia – e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën, Rusinë dhe Iranin – përfiton nga një trajtim më i butë.

“Kosova ka nevojë për përkrahje në ndërtimin e institucioneve të saj, jo për presione që mund të paralizojnë funksionimin e tyre”, thekson më tej KASH.

Në reagim theksohet se autoritetet në Kosovë duhet të bëjnë përpjekje për të dalë sa më parë nga masa ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe tani edhe nga SHBA-ja, përmes një qasjeje më konstruktive dhe duke vlerësuar rolin thelbësor të mbështetjes perëndimore për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.

“Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë, përmes partive politike serbe, duhet të adresohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, dhe gjithmonë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shton KASH.

Në fund të deklaratës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje gjithë spektrit politik në Kosovë që të unifikojë qëndrimet për dialogun me Serbinë, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, që do të siguronte njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.