Enj. Pri 2nd, 2026

Radio Dodona

KQZ: Vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Kërkesat për akreditim duhet të dorëzohen online brenda afateve të përcaktuara si më poshtë:

· deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certitifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale,

· deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, dhe

· deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkmbëtare.

Si bëhet aplikimi për akreditim?

Më gjerësisht: https://kqz-ks.org/thirrje-per-aplikim-online-per-akreditimin-e-vezhguesve-dhe-mediave-per-zgjedhjet-lokale-2025/

Veteranët ia përcjellin Kroacisë shqetësimet për Specialen

Përfaqësues të OVL-UÇK’së janë takuar me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.

Në komunikatën e OVL’së thuhet se në takim kanë adresuar shqetësimet e tyre lidhur me Specialen dhe trajtimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Komunikata:

Sot, në vazhdën e angazhimeve tona për të adresuar padrejtësitë që po ndodhin në Gjykatën Speciale, zhvilluam një takim me Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barišić.

Me respekt dhe vëmendje u dëgjuan shqetësimet tona lidhur me trajtimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa u dakorduam që këto shqetësime të përcillen edhe tek institucionet shtetërore të Kroacisë, si shtet mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës.

Gjithashtu shprehëm mirënjohjen tonë për shtetin kroat, i cili në kohët më të vështira qëndroi pranë popullit të Kosovës dhe mbështeti luftën tonë për liri.”

Rubin: U përgatita prej vitesh për këtë gjykim

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, i cili po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, tha se është përgatitur prej vitesh për këtë moment.Një prokuror, e pyeti për takimet e tij me mbrojtjen e Thaçit dhe i kujtoi se ka thënë se është përgatitur “me qindra orë” për të qenë dëshmitar në këtë rast.

“A mund të na thoni çfarë keni bërë në këto qindra orë, dëshmitar?”, e pyeti prokurori.Rubin, tha ndër tjerash, se ka marrë lejen e Departamentit amerikan të Shtetit për të dëshmuar në mbrojtje të Thaçit.

Valtonen: Shpresojmë që të ketë zgjidhje të bllokadës së Kuvendit dhe qeverisë në Kosovë

Kryesuesja e OSBE-së, ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen tha në Prishtinë se shpreson që të ketë zgjidhje sa i përket bllokadës së Kuvendit dhe qeverisë në Kosovë.

Ajo këtë deklaratë e bëri në konferencën për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

“Shënuam një arritje shumë të rëndësishme 25 vjet angazhim. Në këtë drejtim mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës dhe shpresoj që procesi i Kuvendit të veprojë në bazë të Kushtetutës. Pata mundësinë që të angazhohem me presidenten Vjosa Osmani dhe përfaqësueset e shoqërisë civile. Pata diskutime të frytshme me presidenten Vjosa Osmani. Përforcimi i marrëdhënieve në mes komuniteteve mbetet esencial. Diskutuam potencialin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me emërimin e përfaqësueses së re Prishtinë – Beograd. OSBE mbetet e gatshme të mbështes këto përpjekje.

Në takimin tim me shoqërinë civile mora reagime të ndryshme se si OSBE mund të përforcojë qeverisjen e mirë. U takova me pjesëtarët e akademisë për gratë e reja. Këto gra janë pjesë të rrjetit të diplomuar që nga ai vit në promovim të dialogut dhe paqes. Përmes rrjetit të OSBE-së, që e ka me operacione fushore shpresojmë të vëmë në praktikë dhe të përmirësojmë jetën e njerëzve. Përgjigja që mora nga palët së bashku me procesin e prekshëm vërtet më ushqen optimizmin që të vazhdojmë të kthejmë përpjekjet tona që të gjithë i synojmë”, tha Valtonen

Ndeshja me Serbinë vendos të ardhmen e Sylvinhos në stolin e Kombëtares

Kombëtarja e futbollit luan ‘finalen’ e madhe për Botërorin në Serbi.

Më 11 tetor ekipi i Sylvinhos ka përballë një rival që nuk është vetëm sportiv, por një sfidë që vendos në pah historinë dhe ndjenjat e tifozëve karshi rivalit.

Veç anës historike dhe marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dueli në fushë merr një tjetër karakter pasi vendos shumë për fatet e Grupit K kualifikues.

Pas pesë sfidave të luajtura, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

Në të tilla kushte, duket se në Leskovc tanët e kanë me të vërtetë një ndeshje finale. Me Anglinë që është me ‘një këmbë’ në fazën finale të Kupës së Botës 2026, dueli për vendin e dytë që të dërgon në play-off është mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Një fitore e Kombëtares në Serbi do të thoshte shumë për kalimin më tej, pasi më pas tanët kanë një ndeshje në Andorra dhe një në Tiranë kundër Anglisë. Por Serbia ka një ndeshje më shumë për të luajtur dhe mund të na kalojë në renditje, kjo edhe falë rezultateve.

Andaj, në një intervistë televizive, kreu i FSHF-së, Armand Duka është shprehur se rezultati në Serbi “diskuton” të ardhmen e trajnerit.

“Nëse ne shkojmë në Kupën e Botës trajneri qëndron, në të kundërt një dështim për të shkuar aty diskuton të ardhmen e trajnerit”, u shpreh mes të tjerash Duka.

Të shtëna në Bruksel: Nëntë plumba të qëlluar drejt automjetit të përfaqësuesit evropian

Një incident ndodhi dje në Bruksel, në të cilin disa plumba u qëlluan drejt makinës së eurodeputetit polak Waldemar Buda.

Deputeti nuk ishte në automjet në kohën e sulmit dhe ai njoftoi gjithçka në mediat sociale, raporton rtl.be.

Sipas tij, makina u qëllua nëntë herë, me shumë mundësi nga një pushkë ajrore. Fotot e publikuara tregojnë dëme të shumta, veçanërisht në dritaret e automjetit. “Sulmi dukej i planifikuar”, tha Buda.

Policia belge ka nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të incidentit. Në këtë fazë, ende nuk dihet nëse ishte një akt i motivuar politikisht apo thjesht vandalizëm. Megjithatë, Buda theksoi se beson se ky nuk ishte një akt spontan dhe se pret një reagim të shpejtë nga autoritetet përkatëse. “E marr këtë çështje shumë seriozisht”, tha ai.

Waldemar Buda ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian që nga viti 2024. Përpara se të merrte këtë pozicion, ai mbante pozicionin e Ministrit të Zhvillimit dhe Teknologjisë në Poloni.