Die. Mar 29th, 2026

Radio Dodona

Reagon KUR “Prishtina”: Shembjen e dheut s’e shkaktoi uji, shkak ishin gërmimet dhe ndërhyrjet në terren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar sërish lidhur me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.

Nga kjo kompani kanë thënë se bazuar në vëzhgimet fillestare në terren dhe pamjet e publikuara, vlerësohet se kjo gjendje nuk lidhet me rrjetin e ujësjellësit, por më tepër me aktivitetet e gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren.

Sipas KUR “Prishtina”, këto gërmime kanë ndikuar në destabilizimin e shtresave të dheut dhe krijimin e kushteve për rrëshqitje.

Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje, kjo kompani ka thënë se është dëmtuar edhe infrastruktura e ujësjellësit në atë zonë.

“KRU Prishtina thekson se disponon kapacitete profesionale dhe teknike, përfshirë inxhinierë të specializuar, të cilët do të bëjnë një analizë të detajuar të situatës në terren. Kjo analizë do të përfshijë vlerësimin e gjendjes së tokës, ndikimin e punimeve të kryera, si dhe verifikimin e çdo ndikimi të mundshëm në rrjetin e ujësjellësit. Deri në përfundimin e këtyre analizave dhe raportit përfundimtar profesional, rekomandojmë që të mos jepen përfundime të parakohshme dhe të mos i atribuohet përgjegjësia rrjetit të ujësjellësit pa u bazuar në fakte dhe vlerësime të mirëfillta teknike.”, thuhet në reagimin e kësaj kompanie.

Shembja e dheut, kryeprokurori i Prishtinës: Është intervistuar pronari, nga hetimi s’përjashtohen as zyrtarët komunalë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zjenullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me veprimet që ka marrë ky organ i akuzës pas shembjes së dheut në një lagje të Prishtinës.

Gashi ka thënë se deri më tash është autorizuar policia, si dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë punëkryese “Klub Invest”.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informatave nëse ka elemente të veprës penale.

“Kemi marrë veprime menjëherë. Është autorizuar Policia dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Pas intervistimit, ai është liruar, derisa jemi në fazën e grumbullimit të informatave të plota për rastin”, ka thënë Gashi për Klankosova.tv.

Ai ka thënë se hetimet do të zgjerohen edhe në pista tjera, duke mospërjashtuar as zyrtarët komunalë, nëse sipas tij, vërehet se dikush prej tyre ka pasur përgjegjësi mbikëqyrëse.

DioGuardi mesazh për Kombëtaren e Kosovës: Mezi pres t’ju takoj në Amerikë

Në prag të finales historike kundër Turqisë, Kombëtarja e Kosovës ka marrë një urim të veçantë nga shqiptari, ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi.

Përmes një mesazhi emocionues, DioGuardi ka kujtuar betejat e gjata për lirinë e Kosovës, duke krahasuar suksesin sportiv të sotëm me qëndresën historike të popullit shqiptar.

“Kam qenë në Uashington me ju duke luftuar për të drejtat e popullit shqiptar. Do të doja shumë të isha në ndeshje me ju, por të gjithë e dinë se çfarë keni arritur. Keni bërë diçka që është thuajse e pamundur; keni mposhtur shtete të mëdha”, shkroi ai.

DioGuardi, i cili ka qenë arkitekti i mbështetjes amerikane për Kosovën në momentet më të vështira, theksoi se kjo ndeshje do të rrisë reputacionin e shqiptarëve në botë.

Ai evokoi figurën e heroit kombëtar, Skënderbeun, duke dhënë bekimin e tij për fitore ndaj Turqisë.

“Ju keni shpirtin dhe një histori të tërë duke luftuar përballë vështirësive të mëdha. Mjafton të mendosh çfarë ka arritur Skënderbeu. Do të doja të isha me ju kundër Turqisë, por mezi pres t’ju takoj në Amerikë kur të ktheheni me fitore”, përfundoi mesazhi i tij.

Përballja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet këtë të enjte nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Protesta për shkak të ekspozitës së Shkëlzen Gashit – këto janë pankartat që OVL do t’i përdorë nesër

Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka thirrur për 30 mars për të kundërshtuar ekspozitën e Shkelze Gashi.

Ekspozita u kritikua për shkak të mënyrës siç u përshkrua masakra e Dubravës.

Por, ka pasur edhe kritika edhe për numrin e dhënë të viktimave.

Janë publikuar edhe pankaratat që do të mbahen nesër.

 

 

 

 

 

 

 

 

Rrahmani prezent për ndeshjen Kosovë-Turqi

Data 31 mars e vitit 2026 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Kjo pasi që Kosova jonë, do të pres në “Fadil Vokrri”, Turqinë ku do të synojë të sigurojë biletën për në Botëror.

Por lajm i mirë është ardhja e kapitenit tonë, Amir Rrahmanit i cili do të jetë prezent në Prishtinë për të përkrahur lojtarët tanë.

Rrahmani, nuk u ftua nga Franco Foda për ndeshjet e marsit pasi që ishte i lënduar.

Kujtojmë se ndeshja luhet të martën, në orën 20:45

Ministria e Jashtme e Shqipërisë u bënë apel qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Lindjen e Mesme

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka dalë me një thirrje lidhur me situatën dhe përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Sipas njoftimit, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë udhëtimet për arsye turistike në këtë rajon.

“Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në njoftim, shkruan EuroNews.