Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se, në koordinim me Drejtorinë rajonale të Hetimeve në Pejë, është arrestuar një person në kuadër të hetimeve për rastin e vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në fshatin Gllaviqicë të Pejës, ngjarje e ndodhur, më 29 prill 2026.
Sipas prokurorisë, i dyshuari po hetohet për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit ai është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, prokuroria ka bërë të ditur se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen veprime hetimore për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokurori i shtetit ka paralajmëruar se brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e sigurisë së punëtorëve në vendet e punës dhe për ndjekjen penale të të gjithë personave përgjegjës.

