Ambasadori gjerman Rainer Rudolph ka folur për ligjin për të huajt dhe zbatimin e tij në Kosovë, ku theksoi se fokusi i partnerëve ndërkombëtarë ka qenë te mënyra praktike e implementimit të ligjit.
Ai shtoi se qëndrimi i tyre ka qenë që zbatimi të bëhet me kujdes, në mënyrë që të mos shkaktohen vështirësi në jetën e përditshme të qytetarëve, sidomos për komunitetet pakicë.
“Ne kemi qenë në kontakt shumë të afërt me qeverinë dhe me kryetarët e komunave që preken më shumë nga kjo. Qëndrimi ynë ka qenë që, nëse ligji zbatohet, prioriteti duhet të jetë që të bëhet në mënyrë që shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore të mos dëmtohen”, tha ai në rtk.
Ndryshe, Ligji për të huajt në Kosovë rregullon mënyrën se si shtetasit e huaj hyjnë, qëndrojnë dhe dalin nga vendi. Ai përcakton kushtet për pajisje me vizë, leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme, si dhe leje pune.
Ligji gjithashtu parasheh të drejtat dhe detyrimet e të huajve gjatë qëndrimit në Kosovë, përfshirë respektimin e rendit juridik. Në raste shkeljesh, ai përcakton masat si refuzimi i hyrjes, anulimi i lejes së qëndrimit, ndalimi apo dëbimi nga territori i Kosovës.

