Luani i parë mbrëmjen e së dielës në lagjen Sarıyer të Stambollit ende nuk është kapur, ndërsa operacioni për lokalizimin dhe neutralizimin e tij po vazhdon prej rreth 12 orësh. Ekipet janë përpjekur ta vënë nën kontroll me shigjeta qetësuese, por gjatë natës ai nuk është lokalizuar as me kamera termike.
Luani është parë në zonën e Uskumruköy, në distriktin Sarıyer, duke shkaktuar panik te banorët. Pas raportimit, ekipet kanë nisur kërkimet, por deri më tani nuk kanë arritur ta kapin.
Sipas raportimeve, ekipet kishin lokalizuar kafshën dhe tentuan ta neutralizonin me injeksion qetësues, por ndërhyrja nuk pati sukses. Gjatë natës, luani humbi gjurmët edhe nga kamerat termike.
Kërkimet po vazhdojnë në terren, ndërsa zona është filmuar edhe nga ajri.
Një banor i zonës, Arda Koç, i cili tha se e kishte parë luanin dhe njoftuar xhandarmërinë, tregoi se kafsha i ishte shfaqur papritur para automjetit.
“Pasi dëgjova për ngjarjen, dola edhe unë me veturë për ta kërkuar luanin, me shpresën se do ta shihja. Në këtë zonë jetojnë shumë njerëz dhe lëvizin familje me fëmijë. Derisa po vozisja, luani u hodh papritur para veturës sime. Fillimisht u frikësova, pastaj njoftova menjëherë xhandarmërinë. Pesë minuta më vonë ishim në vendin ku ishte parë për herë të fundit”, rrëfeu ai./cumhuriyet

