Mër. Mar 4th, 2026

Akuzat për pengim të drejtësisë, vazhdon edhe nesër gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe nesër do të vazhdojë procesi gjyqësor në rastin ku për pengim të drejtësisë po gjykohen, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Të martën më 03.03.2026, nisi dëshminë eksperti holandez, Kun Herlar, i cili si punonjës në Institutin e Kriminalistikës në Holandë tha se ka ekzaminuar dokumente me kërkesë të ZPS-së. Ai e vazhdoi dëshminë e tij edhe gjatë ditës së sotme.

Në deklaratat hyrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar të premten më 27.02.2026, lexoi në mënyrë të përmbledhur aktakuzën ndaj Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për vepra që lidhen me pengim të drejtësisë.

Sipas prokurorit, “Hashim Thaçi mban përgjegjësi individuale për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi nga së paku 26 qershori dhe 18 korriku 2023, vepër penale kundër rendit publik”.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Thaçi ngarkohet për “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi – midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023”.

Pika e tretë ka të bëjë me “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.

Në vijim, prokurori lexoi edhe katër pika që lidhen me shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe zbulim të dëshmitarit.

Sipas aktakuzës, Thaçi ngarkohet me veprat penale: shkelje e fshehtësisë së procedurës, përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë” (Pika 4), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 5), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes burimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 6), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të një dëshmitari të mbrojtur midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 7).

Aktakuza përfshin edhe katër pika për mosbindje ndaj gjykatës: Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023” (Pika 8), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023” (Pika 9), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 10), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 11).

Prokurori paraqiti edhe përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

Sipas aktakuzës së lexuar, Bashkim Smakaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”, si dhe për “Mos bindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”.

Ndërkaq, Isni Kilaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 6 tetori dhe 2 nëntori 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.

Sipas leximit të prokurorit, Fadil Fazliu “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”.

Ndërsa, për Hajredin Kuçi prokurori deklaroi se “mban përgjegjësi penale individuale për mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023”.

Të gjithë të akuzuarit po gjykohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndërsa procesi gjyqësor po vazhdon në Hagë. Të gjithë ishin të pranishëm në sallë dhe deklaruan se e kuptuan aktakuzën ndaj tyre, teksa u deklaruan të pafajshëm

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *