Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media ka bërë thirrje që njëherë të vetme të bëhen veprime të përgjegjshme, duke theksuar se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet.
Ai madje ka thënë se nuk është fundi i botës të pranohet se nuk kanë vota.
“Çdo përpjekje për të zvarritur këtë proces për kalkulime të vogla elektorale janë përpjekje të një pushteti që disi nuk e lëshon dot karrigen e vet. Çfarë është kjo mani kaq e madhe për pushtet, saqë shpikin e formojnë forma për të qëndruar me çdo kusht në atë karrige? Kjo sjellje, të them të drejtën, është marrë politike e një gjenerate të re, e cila duhej të tregonte minimalisht dinjitet e respekt. Nuk është fundi i botës të thuhet se nuk keni shumicë. Zvarritja e ditëve, e këtyre 15 ditëve, është thellim i vetëdijshëm i krizave. Sa më herët që Konjufca dhe Vetëvendosje, dhe sekti i tyre, e ndërpresin konsumimin e tyre, aq më shpejt zgjidhet kriza, aq më shpejt vjen qeveria e re, buxheti i ri, aq më shpejt vjen legjitimiteti. LDK bën thirrje që të sillemi të paktën njëherë me përgjegjësi për Republikën e Kosovës. Sot, zgjidhja e vetme, fatkeqësisht, janë zgjedhjet e reja. Çdo vonesë në këtë drejtim është taktikë politike”, tha Abdixhiku duke shtuar se nuk po zgjedhet një drejtor i Teatrit Kombëtar.
Ai ka shtuar se deputetët e LDK-së janë të lirë të veprojnë sië ata duan.

