Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit të saj, mirëpo në rastin e Kosovës, ajo ka nevojë për partnerë dhe një qeveri stabile.
“Jemi një kohë vendimtare për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Paketa e zgjerimit e miratuar nga Komisioni Evropian e tregon këtë qartë.
Në një mjedis gjeopolitik që po ndryshon, Bashkimi Evropian është gati të përgjigjet siç duhet dhe të afrojë edhe më shumë partnerët me aspirata evropiane.
Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është strategjik, një investim në stabilitet, mirëqenie dhe siguri. Ndërsa e vëmë këtë vizion në zbatim, angazhimi politik ndaj reformave është thelbësor.
Në disa vende kemi parë përparim të jashtëzakonshëm, dhe reforma të mëtejshme mund ta bëjnë anëtarësimin e tyre një realitet ende brenda kësaj dekade. Fqinjët tuaj, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë në rrugën e duhur. Tani është po aq e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përgatitet për një Union më të madh dhe më të fortë.
Komisioni Evropian së shpejti do të paraqesë gjetjet e tij mbi mënyrën se si zgjerimet e ardhshme do të ndikojnë në fushat kryesore të politikave.Ndërsa ekziston një momentum në anën e BE-së, kjo në vetvete nuk është e mjaftueshme.
Dhe këtu dua të ndalem te Kosova. Dua ta them shumë qartë: për t’ju ndihmuar të ecni përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ne kemi nevojë për partnerë.Kemi nevojë për një qeveri që bashkëpunon, një qeveri që mbështetet në një shumicë të fortë në Kuvend, e aftë të avancojë liritë themelore për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Dhe në këtë drejtim, për fat të keq, ky ka qenë një vit i humbur”, ka deklaruar Orav.

