Policia e Kosovës ka kryer bastisje mbrëmjen e së enjtes në një lokal në rrugën “Blerim Zuqaku“ në Vushtrri, nën dyshimin se aty kryhej organizim i skemave piramidale dhe bixhoz i paligjshëm.
Bazuar në njoftimin e organeve të rendit, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar aparate dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për lojëra fati e bixhozi.
Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit i cili pas intervistimit është liruar në procedurë te rregullt.
Ndaj atij është iniciuari rasti për dyshimin e kryerjes së veprës penale: ’’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’.
“Nën dyshimin e bazuar për veprimtari të dyshimta, hetuesit e Sektorit Rajonal te Hetimeve në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH) në orët e mbrëmjes se datës 23 tetor 2025, në rrugën “Blerim Zuqaku“ në Vushtrri, kanë realizuar bastisje në një lokal ku zhvillohej veprimtari e kundërligjshme: ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’”, thuhet në njoftim.

