Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës, dje në Prishtinë ka sekuestruar mbi 2 kilogramë drogë, 13 mijë e 550 euro dhe një telefon mobil.
Në një njoftim zyrtar, nga policia bëjnë me dije se bastisja ndodhi gjatë një kontrolli në një automjet me targa të huaja, që drejtohej nga një mashkull kosovar, teksa pasagjer ishte një shtetas i huaj.
“Njësia policore, gjatë zbatimit të autorizimeve të saj, pasi ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuar mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore.
I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë)” thuhet në njoftim të policisë.
Njësitit përkatës iu bashkua edhe ai nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, teksa me urdhër të prokurorit është kryer kontroll edhe te shtëpia e të dyshuarit, shtetas kosovar.
Por, sipas policisë, në shtëpi nuk u gjet asgjë e dyshuar.
“Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë” deklaron policia.