Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe konsullin e përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, u mirëpritën nga drejtues dhe anëtarë të shoqatës “Peja”, në New York.
Duke i falënderuar për mikpritjen, kryeministri Kurti gjithashtu shprehu mirënjohje për angazhimin, rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të bashkatdhetarëve tanë në Amerikë, të cilët janë heronj të heshtur jo vetëm të çlirimit të Kosovës, por edhe të shtetndërtimit demokratik.
Ai theksoi se në katër vjetët e fundit Kosova ka shënuar suksese të rëndësishme në ekonomi dhe zhvillim dhe se për sukseset e vendit tonë, përveç popullit të Kosovës, një rol jashtëzakonisht të madh ka pasur edhe mërgata jonë: qoftë duke mbështetur familjet e tyre, qoftë duke investuar drejtpërdrejt në Kosovë.
Me këtë rast, ai i ftoi bashkatdhetarët që të investojnë më shumë në Kosovë, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron vendi.
Ndërkaq, zëvendësministrja Liza Gashi i njoftoi për programet e qeverisë të dedikuara diasporës sonë, në veçanti për profesionistët e rinj, siç është programi i Diplomacisë qytetare, që ka për qëllim përfshirjen e tyre në proceset zhvillimore dhe institucionale të vendit.
Ndër të tjerash, kryeministri gjithashtu foli për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj nga gjeneratat e reja të diasporës, duke theksuar se përmes saj arrihet integrimi pa asimilim dhe ruhet identiteti kombëtar.